1.1 mld euro, zbulohet formacioni më i shtrenjtë i të gjitha kohërave

Pasi braziliani Alisson vendosi një rekord të ri për shumën e paguar për një portier, duke lënë mbrapa bashkatdhetarin e tij Ederson dhe italianin Buffon me transferimin 73 milionë euro te Liverpool, lindi pyetja: kush do të ishte formacioni më i shtrenjtë i të gjitha kohërave? Shifrat tregojnë se kjo skuadër do të kushtonte 1.1 miliard euro dhe gjashtë prej këtyre lojtarëve luajnë në Premier League.

Alisson (Nga Roma te Liverpool për 73 mln euro)

Portieri brazilian është identifikuar si njeriu që do të zgjidhë problemet e Liverpool mes dy shtyllave. Një nga të preferuarit te Roma, tifozët e Liverpool do të jenë shumë entuziastë për një lojtar që fitoi garën me Ederson të City-it për fanellën me numrin 1 të Brazilit. Për ta marrë në “Merseyside” është dashur një shifër rekord, por mund të thuhet se ka qenë një nga blerjet më të mira të kësaj merkatoje.

Benjamin Mendy (Nga Monaco te Man City, 57.9 mln euro)

Karizmatik dhe shumë argëtues për shokët e ekipit, Mendy konsiderohet si një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në botën e futbollit, edhe pse nuk e ka treguar akoma potencialin e tij të plotë në “Etihad Stadium”. Francezi ka pësuar një dëmtim serioz në gju shtatorin e kaluar dhe ka qenë i detyruar ta ndjekë suksesin e City-it nga stoli. Kur është në formë, ai duket shumë i rrezikshëm dhe paraqitja e bërë te Monaco në sezonin e titullit (2016/17) ka treguar se investimi për të ka qenë i justifikuar.

Virgil van Dijk (Nga Southampton te Liverpool, 78.5 mln euro)

Kur ishte te Celtic konsiderohej si një talent që do të bëhej një nga më të mirët e Europës. Van Dijk ka respektuar pritshmërinë dhe është bërë nja nga lojtarët e shumtë që kanë kaluar nga Southampton te Liverpool në vitet e fundit. “Të Kuqtë” siguruan shërbimet e holandezi në janarin e 2018-ës, duke e bërë atë mbrojtësin më të shtrenjtë të të gjitha kohërave.

Aymeric Laporte (Nga Bilbao te Man City, 65.5 mln euro)

Pep Guardiola kishte disa objektiva të qartë në mendje kur mori drejtimin e Manchester City dhe Laporte ka qenë një nga ata. 24-vjeçari ka nënshkruar një kontratë deri në 2023-in janarin e kaluar, por është aktivizuar me ekipin në fazën e dytë të sezonit, teksa po përshtatej me futbollin anglez.

Është shumë i aftë me këmbët dhe shumë i rrezikshëm në ajër. Laporte do të jetë pika e referimit për mbrojtjen e City në vitet e ardhshme. Një dyshe qendërmbrojtësish e përbërë nga John Stones dhe Laporte ka qenë ideja e Guardiola që nga koha kur mori drejtimin e “Qytetarëve”.

Kyle Walker (Nga Tottenham te Man City, 53.1 mln euro)

Tottenham bëri aq sa mundi, por, në fund, mbrojtësi anglez ishte i vendosur të transferohej te Manchester City. Dhe ka rezultuar lëvizja e duhur në sezonin e tij të parë me ekipin e Guardiola-s.

Zgjedhja e tij për t’u transferuar te një rival i Tottenham ka bërë shumë zhurmë, por dëshira e tij për të fituar trofe është shpërblyer kur ai ka ngritur trofeun e Premier League në maj.

I transformuar në një qendërmbrojtës i djathtë tek Anglia, Walker do të shpresojë që Guardiola të vazhdojë ta aktivizojë në krah dhe të lërë Laporte, Stones dhe Nicolas Otamendi në qendër.

Paul Pogba (Nga Juventus te Man United, 105.2 mln euro)

U largua me kosto zero dhe u kthyer për një shifër rekord. Shitja e Paul Pogba nga Juventus tek United ka qenë një nga operacionet më të bujshme në historinë e merkatos.

Francezi ka shkëlqyer me bardhezinjtë nën drejtimin e Antonio Conte dhe Massimiliano Allegri, gjë që e ka shtyrë Jose Mourinho-n të ndërtojë një ekip rreth tij.

Shpesh në qendër të kritikave, Pogba do ta nisë sezonin e ri si kampion i botës dhe do të kërkojë të tregojë se triumfi në Moskë ka qenë vetëm fillimi për të.

Philippe Coutinho (Nga Liverpool te Barcelona, 125.9 mln euro)

Liverpool ka qenë i vendosur të mos e shesë brazilianin, por largimi i Neymar te Paris Saint-Germain bëri që Barcelona të paguante një shifër të çmendur për të gjetur një zëvendësues.

Tentativat e katalanasve kanë dështuar gjatë verës së 2017-ës, por anglezët janë dorëzuar janarin e kaluar dhe kanë pranuar ofertën prej 125 milionë eurosh.

Coutinho ka realizuar ëndrrën e tij hde Liverpool mori fondet e duhura për të përforcuar ekipin, kryesisht në mbrojtje. Coutinho ka patur sukses që në momenti e zbarkimit në “Camp Nou” dhe pritet të jetë pasardhësi i Andres Iniesta, i cili është transferuar në Kinë.

James Rodriguez (Nga Monaco te Real Madrid, 75.5 mln euro)

Paraqitja e jashtëzakonshme e bërë në Brazil 2014 e ka bërë të pamundur për Monaco që ta mbajë kolumbianin në ekip.

Real Madrid nuk është menduar dy herë dhe ka paguar 75 milionë euro për të siguruar galakatikun e radhës. Aventura e tij me madrilenët ka qenë me shumë ulje-ngritje dhe ai është huazuar për dy vite te Bayern.

Neymar (Nga Barcelona te PSG, 223.7 mln euro)

Ky ka qenë operacioni që askush nuk mendonte se do ta shihte ndonjëherë. Arsyeja? Shifra e çmendur e paguar nga PSG për të siguruar shërbimet e yllit brazilian.

“O Ney” donte të ishte ylli i ekipit dhe nuk mund ta bënte një gjë të tillë te Barcelona e Leo Messi-t. Kështu, PSG pagoi 223 milionë euro për t’ia plotësuar dëshirën e atij, edhe pse akoma nuk është e qartë se për sa kohë do të vazhdojë të luajë në Ligue 1.

Çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kjo lëvizje e ndryshoi përgjithmonë merkaton.

Cristiano Ronaldo (Nga Real Madrid tek Juventus, 117.5 mln euro)

Pikërisht në momentin kur mendohej se shkëlqimi i Ronaldo do të zbehej, ai vendosi të transferohej tek Juventus për 117 milionë euro. CR7 ka befasuar të gjithë me sfidën e re që ka ndërmarrë.

Në nëntë vitet e kaluar te Real Madrid, ai ka fituar pesë Topa të Artë dhe shumë trofe të tjerë.

Konsiderohet me të drejtë si një nga më të mirët e të gjitha kohërave dhe është një nga yjet më të shndritshëm të këtij formacioni.

Kylian Mbappe (Nga Monaco te PSG, 135 mln euro)

Një huazim me detyrimin e blerjes në fund të sezonit ka qenë mundësia e vetme për PSG që të justifikonte marrjen e Kylian Mbappe në të njëjtën verë që morën Neymar për 223 milionë euro.

Ngritja e Mbappe është e vazhdueshme, veçanërisht pas Botërorit të fituar me Francën, ku ai u shpall edhe Lojtari i Ri më i Mirë i turneut. Vlera e tij është e pallogaritshme në këtë moment.

Një Kupë të Botës dhe dy tituj në Ligue 1 në moshën 19 vjeç tregojnë se sa e shndritshme është e ardhmja për Mbappe. Nëse ekziston një lojtar që mund të thyejë rekordin e Neymar në merkato, ai është francezi këmbëshpejtë./TeleSport

Shkruar Nga
More from Redaksia

Studio dhe puno/ Studentët e UET: Karriera profesionale nis që në universitet

  “E vështirë dhe e bukur. Si ia dalim të ekuilibrojmë jetën...
Read More