“10 Ministri/100 Institucione”: Mbështetje studimit të profesorëve të UET

Pas projektit të UET për një shtet më të vogël me 10 ministri dhe 100 institucione reagon Shoqata e Gjeologëve të Shqipërisë, nëpërmjet kryetarit të saj Arben Pambuku. Propozimet për funksionim më të mirë në fushën e gjeologjisë dhe qëndrimet e shoqatës që agjencitë ekzekutuese të bashkohen kur janë të përafërta në funksionet dhe natyrën e tyre.

Shoqata e Gjeologëve të Shqipërisë, teksa i bashkëngjitet përpjekjes së tre pedagogëve të UET-së të cilët hartuan një propozim për një qeveri të vogël dhe efikase, paraqet disa propozime të sajat. Shoqata vlerëson studimin e tre pedagogëve të UET-së, përkrah idenë e një qeverie me më pak ministri dhe atë të një administrate jo kaq shumë të parcelizuar dhe të shndërruar në një hapësirë të vështirë për të marrë vendime të shpejta dhe të drejta. Shoqata bën disa propozime konkrete në fushën e gjeologjisë, në mënyrë që të jetësohet më mirë tërë projekti. Kryetari i Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë Arben Pambuku propozon disa ndryshime që mund të sillnin efikasitet më të madh në fushën e gjeologjisë dhe kërkimit shkencor. Bashkimi i disa agjencive apo drejtorive të veçanta në një dikaster të centralizuar dhe të ndërlidhen me njëra-tjetrën shihet si mundësi për të reduktuar institucione të ndryshme dhe dhënë atyre rëndësinë e duhur. Në 27 vitet e fundit janë ngritur një numër i madh institucionesh të cilat më shumë se për nga rëndësia për atë që ofrojnë janë krijuar vetëm për të pasur vende pune në administratën e tejfryrë. Propozimi i tre profesorëve të UET, për të pasur një administratë më të vogël nga niveli i lartë qendror deri në atë lokal, duke eliminuar burokracitë, por njëkohësisht edhe duke u dhënë rëndësi institucioneve të reja që do krijohen. Në këtë vazhdë mbetet edhe qëndrimi i kreut të Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë.

Arben Pambuku*

Të nderuar profesorë të UET-së,

Në emër të Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë dëshirojmë të shprehim disa mendime duke marrë shkas nga artikulli i botuar me studimin tuaj me titull: 10 Ministri/100 Institucione: Ja Projekti për Shtetin e Vogël”. Në parim vlerësojmë maksimalisht punën dhe cilësinë e studimit të kryer nga autorët. Mendojmë se studimi është realisht konkret dhe paraqet veç njohjes së mirë të situatës edhe një analizë të thelluar të problemeve lidhur me funksionimin dhe mënyrën e kompozimit të administratës shtetërore. Duke qenë një shoqatë e lidhur ngushtësisht me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, ku kemi edhe numrin më të madh të anëtarëve tanë, mendojmë që sugjerimi nga autorët e studimit për:

  • Heqjen e emrit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar dhe;
  • Bashkimin e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar me Sekretariatin e Nismës për Transparencë dhe Industri Nxjerrëse (EITI);

mund të modifikohet nëse jepet një mundësi e dytë për kontribut shtesë në përmirësimin e strukturave të propozuara. Lidhur me pikën e parë mendojmë se veç anës formale të ruajtjes së emrit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, i cili është në sinkron të plotë me të gjitha vendet europiane e më gjerë, duhet të marrim në konsideratë dhe ta trajtojmë këtë institucion si një aset jo vetëm të shtetit shqiptar, por si një aset që identifikohet me vlera të identitetit kombëtar. Institucione të tilla flasin për aftësinë shtetformuese dhe mbartin vlera të spikatura edhe në historinë e vendit tonë. Ndërrimi i emrit do të na kthente mbase pak si shumë në kohë. Lidhur me pikën e dytë mendojmë, ashtu siç edhe politika qeverisëse shprehet, që agjencitë ekzekutuese të bashkohen kur janë të përafërta në funksionet dhe natyrën e tyre. Vërejmë se Sekretariati i Nismës për Transparencë dhe Industri Nxjerrëse (EITI) mund të bashkohet sipas propozimit me Shërbimin Gjeologjik Shqiptar jo në mënyrë organike por pak a shumë në mënyrë mekanike, proces i cili në vend që t’i shërbejë mirëfunksionimit të agjencive ekzekutive do të ndërlikonte më shumë këtë proces. Ky konstatim vjen për shkak të natyrave dhe funksioneve shumë të ndryshme që kanë këto dy institucione ndërmjet tyre. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar në fakt nuk është një agjenci ekzekutive, por ka natyrë kërkimore shkencore dhe monitoruese në fushën e Shkencave të Tokës, ndërsa Sekretariati i Nismës për Transparencë dhe Industri Nxjerrëse (EITI) ka në fokusin e vet çështje ekonomike. Për sa më sipër mendojmë se ajo çka kemi përmendur është një opinion, i cili sadopak mund të kontribuojë në këtë nismë shumë të mirë lidhur me reformën administrative.

UET sjell projektin 10 ministri, 100 institucione

Universiteti Europian i Tiranës në vazhdën e ndihmesës së debatit për reformën në administratën shtetërore solli një studim të detajuar për reduktimin e ministrive dhe institucioneve të tjera në vend. Ministritë e shtetit shqiptar kanë lëvizur në numër midis 14 dhe 22, vazhdimisht nga qeveri të ndryshme. Sektorët i janë bashkëngjitur herë një ministrie, herë një tjetre dhe kjo ka krijuar përveçse një numër të madh ministrish, 19 aktualisht, por edhe një çoroditje dhe një mungesë prakticiteti në lidhje me fushat dhe sektorët që mbulohen. Si i tillë, ka nevojë të grumbullohen në jo më shumë se 10 pole problematikash dhe çështjesh që ministritë mund të mbulonin. Tre studiuesit, profesorë të UET, prof. asoc. Arbi Agalliu në Departamentin e Financës, prof. asoc. Hemion Braho, Departamenti Juridik dhe prof. asoc. Roland Lami, Departamenti i Shkencave Sociale, propozuan që numri i ministrive mund të shkojë në dhjetë të tilla. Arsyet që japin lidhen pikërisht mbi efikasitetin dhe mospasjen nevojë për shumë ministri, pasi në disa raste përveç “suficitit” të portofolave ministrorë, sillte edhe mbivendosje të kompetencave dhe mungesë shërbimesh. Një tjetër platformë e hartuar nga UET ishte edhe për administratën shtetërore, ku nga mbi 600 institucione propozohet në reduktimin deri në 100. Kjo do të ulte si burokracitë ashtu edhe kohën e marrjes së një shërbimi të caktuar, duke bashkuar shumë drejtori apo agjenci të ndërlidhura me njëra-tjetrën, por edhe për shkak të koalicioneve politike që funksiononin si dikastere më vete.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zjarret si shenjë e paralizës së administratës publike shqiptare

Nga Ervis Iljazaj Pamjet e politikanëve që shuajnë zjarret në zona të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *