“’10 Ministri/100 Institucione’, një reformë e dobishme dhe e duhur”

Presidenti i Institutit Europian Pashko, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, në një intervistë për gazetën Mapo komenton studimin e tre pedagogëve të UET, “10 Ministri/ 100 Institucione”, mbi reformën e administratës dhe debatin publik të hapur pas publikimit të këtij studimi.

“Konsolidimi institucional është i dobishëm jo vetëm në kuptimin e kursimeve që krijohen, por më shumë të uljes së barrierave administrative ndaj qytetarëve dhe ekonomisë që mund të prodhojnë reforma të tilla”. Kështu shprehet Presidenti i Institutit Europian Pashko, Selami Xhepa, në një intervistë për gazetën MAPO. Xhepa vlerëson studimin e tre profesorëve të UET, “10 ministri/100 institucione”,

i cili është një propozim konkret për reformën administrative. “Personalisht e mbështes fort shkurtimin e ministrive sipas formulës që paraqesin kolegët, në jo më shumë se 10 ministri, dhe nga ana tjetër, organizimin e brendshëm të vetë ministrive sipas funksioneve kryesore politikëbërëse”, shprehet Xhepa. Në të njëjtën kohë Presidenti i Institutit Europian Pashko, flet edhe për debatin e hapur për liberalizimin e sektorëve të shërbimeve publike, siç është edhe rasti i arsimit të lartë. “Duke mos vendosur një çmim tregu për këtë shërbim, ne nuk e dimë edhe se sa duhet të jetë masa e subvencionit që shoqëria duhet të bëjë për studentët që meritojnë të studiojnë në auditorët e universiteteve, por që nuk kanë kushtet ekonomike të përshtatshme”, thotë Xhepa.

Ka një diskutim të gjerë për një reformë tërësore në administratë. P.sh. kryeministri dje lajmëroi bashkimin e të gjitha institucioneve që merren me pronat në një të vetëm që është Agjencia e Titujve të Pronësisë. Si e gjykoni këtë lëvizje në tërësi? 

Reforma në administrate me objektiv reduktimin e numrit të institucioneve publike, duke filluar nga ministritë dhe agjencitë qeveritare ligjzbatuese dhe monitoruese, mendoj se është një reformë shumë e dobishme dhe e duhur për disa arsye. Së pari, nga shkurtimi i tyre, reduktohen kostot fikse të mbajtjes së një morie institucionesh që kryejnë funksione të përafërta të cilat rëndojnë buxhetin e shtetit dhe janë joefikase si të tilla. Së dyti, konsolidimi i agjencive me funksione të përafërta lehtëson përmbushjen e detyrave të tyre në një mënyrë më efektive për publikun. Me të drejtë, krijimi i një agjencie të titujve të pronësisë, për shembull, jo vetëm se redukton kostot fikse të mbajtjes deri më sot të tri agjencive të ndryshme, por edhe lehtëson kryerjen e shërbimeve për qytetarët dhe biznesin, si dhe shmang burokracitë e panevojshme. Ky është një rast ilustrues. Raste të tilla janë të shumta. Mbikëqyrja e institucioneve financiare, për shembull, duke kaluar në një administratë të vetme si mbikëqyrjen e bankave, deri më sot nga Banka e Shqipërisë, edhe institucionet financiare jobanka që aktualisht mbikëqyren nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, do të shërbente për të garantuar më mirë stabilitetin financiar të vendit në kushtet kur aktivitetet financiare janë shumë të ndërlidhura midis institucioneve të ndryshme. Po kështu, bashkimi i administratës tatimore me atë doganore do ta bënte shumë më efikase luftën ndaj informalitetit përveçse do të rriste efektivitetin e administratës fiskale. Ndoshta edhe tek entet e pavarura rregullatore mund të ketë hapësira konsolidimi. Për shembull enti rregullator i shërbimeve të telekomunikacionit dhe të frekuencave (mjeteve audiovizive) më duket se ndajnë të njëjtin objekt pune: menaxhimin e frekuencave si një mall publik. E thënë shkurt, çdo konsolidim institucional që nuk bie ndesh me parimet e organizimit dhe ndarjes së pushteteve, do të ishte i dobishëm jo vetëm në kuptimin e kursimeve që krijohen, por më shumë të uljes së barrierave administrative ndaj qytetarëve dhe ekonomisë që mund të prodhojnë reforma të tilla.

Tre profesorë të UET publikuan një “policy paper, “10 ministri/100 institucione, ku propozojnë parimisht dhe teknikisht kalimin nga 18 ministri në 10 dhe nga afro 600 institucione në 100 agjenci, shërbime apo ente rregullatore dhe inspektorate. Si e gjykoni këtë policy paper?

Debati publik që është ngjallur me publikimin e një studimi të tre kolegëve tanë të UET mendoj se është edhe kontributi i parë shumë i rëndësishëm i vetë studimit. Personalisht e mbështes fort shkurtimin e ministrive sipas formulës që paraqesin kolegët, në jo më shumë se 10 ministri, dhe nga ana tjetër, organizimin e brendshëm të vetë ministrive sipas funksioneve kryesore politikëbërëse. Ministritë nuk duhet të kryejnë asnjë funksion tjetër ligjzbatues apo monitorues, por këto funksione t’ju delegohen agjencive që janë krijuar dhe që funksionojnë, të cilat janë gjithashtu në varësi të ministrive përkatëse. Ministritë shpeshherë shihen dhe veprojnë thjesht si ente prokuruese ose shkruese dokumentesh tenderësh publikë dhe kjo e ka denatyruar natyrën politikëbërëse të këtyre institucioneve, dhe madje shpeshherë kjo bën që ato të jenë në një konflikt interesi në raport me baraslargësinë ndaj interesit publik që duhet të bartin politikat qeveritare. Sa iu takon propozimeve që sjell studimi lidhur me entet e pavarura apo agjencitë e ndryshme qeveritare, mendoj se ka vend për një shqyrtim më të hollësishëm të natyrës së punës dhe qëllimeve për të cilat janë krijuar agjencitë publike. Për shembull, nëse agjencia e prokurimit publik është thjesht një agjenci teknike mbi procesin e prokurimeve, komisioni i prokurimit publik është një ent i pavarur ku subjektet e ndryshme mund të ankimohen në rast të praktikave të padrejta nga entet prokuruese. Por, ky ent duhet realisht të jetë shërbyes i interesit publik, në kuptimin e mënyrës së zgjedhjes së drejtuesve dhe stafit të vet. Po kështu, shumë ente publike janë krijuar për të mundësuar kontrollin parlamentar mbi punën e ekzekutivit, dhe si të tilla objektivi i reformës administrative duhet të jetë fuqizimi i tyre në kompetenca dhe kapacitete për të përmbushur misionin për të cilin janë krijuar. Tregu i lirë dhe konkurrenca e lirë e tregut mund të funksionojnë normalisht vetëm në kushtet e një mbikëqyrjeje të fortë dhe të rreptë nga ente publike apo agjenci mbikëqyrëse dhe kontrolluese që janë të afta profesionalisht dhe kanë autoritet të plotë të përmbushin misionin e tyre.

Ka një diskutim për çmimin e ujit në Tiranë dhe më tej për tregjet e shërbimeve publike “ujë, energji, arsimi i lartë, shëndetësi”. Çfarë mendoni për debatin që po shoqëron idetë për liberalizimin e këtyre sektorëve?

Debati që është hapur së fundmi për liberalizimin e çmimeve në shërbimet publike duke marrë shkas nga rritja e çmimit të ujit të pijshëm, ka disa anë. Së pari, krijimi i një çmimi tregu për çdo shërbim publik është pika nisëse e çdo politike publike apo mundësisë potenciale të angazhimit të sektorit privat në ofrimin e shërbimeve të tilla. Prandaj, nuk ka asnjë arsye se përse të mos zhvillohen metodika mbi të cilat do të formësohen tarifat e shërbimeve, siç është vepruar në rastin e energjisë elektrike ku ka një model tregu, me gjithë problematiken ose nevojat për përmirësime të saj. Së dyti, në rastin e mallrave publikë, si: uji, energjia, kostimi i shërbimit shëndetësor dhe arsimor, ka disa specifika të cilat nuk mund të mos merren në konsideratë. Duke qenë të mira publike dhe ku aksesi duhet të garantohet në një mënyrë të përballueshme për çdo qytetar, kostimi i shërbimit duhet të respektojë disa rregulla të caktuar, të cilët duhen shkruar dhe debatuar publikisht dhe profesionalisht, brenda të cilave pastaj mund të shfaqen edhe preferencat politike. Nëse për formimin e tarifës së energjisë, për shembull, kemi një model tregu dhe metodike të formimit të çmimit dhe ku operatorët e tregut janë në dijeni të rregullave të lojës (edhe pse shpesh ka ndryshime të forta dhe të paparalajmëruara), në shërbimet e tjera nuk kemi një politikë të formimit të tarifave. Në rastin e ujit të pijshëm, jam dakord me një mendim të shfaqur nga zoti Mero Baze, që ujin duhet ta shohim si një politikë kombëtare dhe jo si një fushë beteje politike për interesa të ditës. Jemi vendi më i pasur në burime ujore dhe ku në zonat rurale shpërdorohet në mënyrë të pashembullt, ndërsa në qytete edhe në rastet kur janë shtruar tubacione humbjet vazhdojnë të jenë në nivele të papranueshme. Çështja është serioze. E njëjta gjë duhet thënë për shërbimin arsimor dhe shëndetësor. Shteti vazhdon të miratojë për universitetet publike kuota shumë të larta, ndërkohë që burimet financiare për një student vazhdojnë të bien. Kjo bie ndesh me nevojën emergjente që kemi si shoqëri për të rritur cilësinë në arsim. Duke mos vendosur një çmim tregu për këtë shërbim, ne nuk e dimë edhe se sa duhet të jetë masa e subvencionit që shoqëria duhet të bëjë për studentët që meritojnë të studiojnë në auditorët e universiteteve, por që nuk kanë kushtet ekonomike të përshtatshme. Më duket e pakuptimtë praktika e derisotme kur ne si taksapagues duhet të paguajmë edhe për një student që vjen nga një familje me të ardhura të larta, ndërkohë që nëse familje të tilla paguajnë për shkollim, shoqëria mund të ketë më shumë financime për familjet e pamundura. Kjo do të bënte që të rritej financimi për arsim, duke krijuar mundësi reale për një arsim cilësor. Të gjitha studimet e kryera deri më sot, nënvizojnë nevojën dramatike që ka shoqëria jonë për të ndryshuar rrënjësisht filozofinë e qeverisjes se arsimit, veçanërisht atij të lartë. Shoqëria me taksat e veta financon studentin dhe jo ndërtesën e universitetit publik dhe pagat e garantuara të tyre. Nëse edhe ata nuk e ndiejnë presionin e konkurrencës, sistemi arsimor do të vazhdojë të vegjetojë dhe degradojë në pikën e shkatërrimit të plotë dhe kjo do të jetë tragjedia më e madhe e politikave publike të paarsyeshme. E njëjta filozofi vlen edhe për sistemin shëndetësor dhe në tërësi për gjithë sektorin e të mirave publike. Por, duke u kthyer sërish te reforma administrative, shqetësimi kryesor i publikut, me të drejte mbetet cilësia e këtyre shërbimeve. Veçanërisht në kontekstin e krijimit të një konkurrence reale në këtë treg, entet mbikëqyrëse shtetërore duhet të jenë funksionale, transparente dhe profesionale. Kontrolli mbi ligjshmërinë dhe standardet e cilësisë në universitete, kontrolli mbi zbatimin e protokolleve mjekësore në shëndetësi etj., kërkojnë agjenci të forta ligjzbatuese dhe që janë të besueshme nga publiku. Në të kundërt, dobia e shoqërisë nga liberalizimi dhe reformat rregullatore do të ishte zero. Edhe këto agjenci që veprojnë në mbikëqyrjen e aktivitetit të arsimit dhe shëndetësisë, gjithashtu duhen konsoliduar duke i bërë ato më të përgjegjshme ndaj mbrojtjes së interesit publik.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fushata pas fushatës: Pse i duhet Edi Ramës aksioni pas fitores

Fushata e çuditshme e bashkëqeverisjes me popullin pas fitores së zgjedhjeve dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *