1000 diplomatë dhe nëpunës civilë nga Turqia kërkojnë azil në Gjermani

Rreth një mijë diplomatë dhe nëpunës civilë nga Turqia janë midis 15,654 personave që kanë kërkuar azil në Gjermani, që nga grushti i dështuar i shtetit në vitin 2016.

Enti Federal Gjerman për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) njofton se nga viti 2016 deri në fillim të marsit 2018 në Gjermani  kishin kërkuar azil 288 nënshtetas turq me pasaporta diplomatike dhe 771 me pasaporta “jeshile” (pasaporta shërbimi)

 

Në këto shifra përfshihen edhe fëmijët e azilkërkuesve, njoftoi BAMF-i. Ndërkaq po sipas BAMF-it në këto shifra nuk përfshihen ushtarët turq që kanë dezertuar, janë arratisur dhe kanë kërkuar azil në Gjermani.

Pas përpjekjes për grusht shteti të korrikut 2016, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pezulloi ose shkarkoi nga detyra rreth 150,000 nëpunës civilë dhe burgosi rreth 50,000 vetë, nën akuzën janë pasues të predikuesit, Fethulah Gülen, të cilin ai e bën edhe përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit.

Prandaj Ankaraja kërkon kthimin e tyre në Turqi si dhe që Evropa të kthejë gjithashtu azilkërkuesit turq për të cilët dyshohet se janë të lidhur me militantët kurdë.

Rriten kërkesat e shtetasve turq për azil

Numri i turqve që kanë kërkuar azil në Gjermani që nga viti 2016 ka arritur në 15.654 vetë. Vitin e kaluar kërkesë për azil bënë rreth 8,500 qytetarë turq, kurse në vitin 2016 kjo shifër ishte 5,700 vetë. Deri në fund të shkurtit të këtij viti kërkesë për azil kanë bërë më tepër se 1,400 qytetarë turq.

Numri i kërkesave të aprovuara u rrit gjatë vitit 2017 nga tetë në 28 përqind, kurse deri në mars 2018 u rrit me 42 përqind të kërkesave të atyre që kërkojnë qëndrim në Gjermani, tha BAMF-i.

Frikë nga spiunimet

43-vjeçari Murat T, avokat turk që u arratis nga Turqia pasi kishte qenë gjashtë muaj në paraburgimin turk, tha për agjencinë gjermane të lajmeve DPA se ai dhe e shoqja e shmangin “komunitetin turk, që jeton prej vitesh këtu [në Gjermani], se nuk janë të sigurt se nëse mund të ndeshemi me dikë që na spiunon tek qeveria [turke].”

Avokati turk tha se supozon se disa nga tre milionë turqit që jetojnë në Gjermani, janë të manipuluar nga mediat turke dhe “ata duket se besojnë çdo fjalë të Erdoganit”. Edhe një sipërmarrëse turke, Selina, 40-vjeç, tha për DPA, se ka frikë nga spiunimi. Sipas saj në Turqi atë dhe familjen e saj e kishin spiunuar disa miq të vjetër të cilët e kishin  denoncuar si mbështetës të Gülenit./DW

Shkruar Nga
More from Redaksia

Zbulohen përgjimet e reja te Habilajve për Tahirin, nga kostumi 15 mijë euro te targa e Presidentit dhe Kryeministrit

Dalin në dritë të tjera përgjime që rëndojnë pozitën e ish-Ministrit të...
Read More