105 vjet Tiranë e pavaruar, Veliaj ngre flamurin në sheshin “Skënderbej” dhe jep një mesazh me vlerë

Tirana përkujtoi sot 105 vjetorin e ngritjes së flamurit, ditë kur patriotët Refik dhe Hamit Toptani, iu bashkuan arkitektit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit në projektin që do sillte lindjen e shtetit shqiptar. Në sheshin para selisë së sotme të Kuvendit të Shqipërisë, aty ku 105 vite më parë burra dhe gra patriote tiranase ngritën flamurin tonë kombëtar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, prefektja, Suzana Jahollari, kreu i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, përfaqësues të komuniteteve fetare, veteranë lufte dhe qytetarë të Tiranës, vendosën kurora me lule në monumentin që simbolizon këtë moment historik për qytetin.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar gjithë qytetarët e Tiranës për festën e pavarësisë së qytetit, duke theksuar se ky akt i atdhetarëve tiranas 105 vite më parë tregoi se Tirana ka qenë gjithmonë një qytet pararojë. “Në këtë ditë të bukur gëzuar festën e pavarësisë së Tiranës. Tirana gjithmonë ka qenë avangard. Me sa duket kjo qenka shkruar në histori. Tirana ka shpallur pavarësinë dy ditë përpara pavarësisë së Shqipërisë edhe për faktin që ishin zonat ende të pa pushtuara dhe të parrethuara nga armiqtë, zona e Elbasanit, zona e Tiranës, ndërkohë që armiqtë po i afroheshin Krujës e pastaj Durrësit e më pas Vlora”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai u shpreh se ditë të tilla duhet të shërbejnë për të kuptuar se, ashtu si patriotë të qytetit të Tiranës 105 vite më parë morën përsipër të shpallnin pavarësinë e Tiranës, ashtu edhe sot qytetarë të saj duhet të shërbejnë për ta çuar Tiranën akoma më përpara në betejat e tjera me të cilat përballet sot njerëzimi, siç është varfëria. “Unë besoj që sot thirrja është të vazhdojë të jetë në avant – garde, edhe për pavarësi të tjera, për pavarësinë nga varfëria, nga injoranca dhe besoj që Tirana do të vijojë të jetë kryeqytet jo vetëm i Shqipërisë por edhe i gjithë shqiptarëve. Sapo u kthyem nga Brukseli ku kanë filluar përgatitjet për festën e Pavarësisë dhe më vjen mirë që kauza shqiptare sot është me fortë se kurrë dhe të gjitha burojnë nga energjia e Tiranës . Nëse kemi një kryeqytet që vazhdon me punë, një kryeqytet që vazhdon me entuziazëm, që vazhdon me optimizëm, kjo reflektohet kudo”, shtoi Veliaj.

Kreu i qarkut Tiranë Aldrin Dalipi theksoi se kjo datë do të duhet të jetë një mësim për gjithë brezat që ne t’i kujtojmë ata dhe t’i vlerësojmë. “U urojmë gjithë qytetarëve festën e flamurit. Është një ditë e shënuar që na kujton që ky qytet në themelet e tij ka punën, pasionin forcën dhe kurajon e atyre burrave të cilët në datë 26 nëntor të 1912-s ngritën flamurin në Tiranë dhe iu bashkuan Ismail Qemalit në Vlorë, madje dhe në qeverinë e tij. Kjo do të duhet të jetë një mësim për gjithë brezat që ne t’i kujtojmë ata dhe t’i vlerësojmë. Tirana është ngritur mbi sakrificën, përkushtimin, mirësinë dhe fisnikërinë”, deklaroi Dalipi.

Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, vlerësoi sakrificat dhe vizionin e atyre të cilët kanë kontribuar për pavarësinë e Tiranës, ndërsa theksuan se Tirana mbetet pikë referimi për gjithë kombin. “Ne kujtojmë me nderim dhe përkulje burrat e Tiranës të cilët patën guximin, kurajon dhe vizionin që të parashikojnë të ardhmen. Sot Tirana është e bukur, sot Tirana jonë mbetet dhe do mbetet për gjithë kombin pikë referimi për t’u bërë më mirë”, tha Jahollari.

Shkruar Nga
More from Revista User

Marina dhe Getoari zbukurojnë shtëpinë për festa, ja si duket ambienti i tyre

Marina dhe Getoari këtë fundvit do të festojnë si çift i martuar...
Read More