140 votat kundër Reformës në Drejtësi

Nga Ervis Iljazaj

Rasti i Saimir Tahirit, është rasti i parë i një politikani që hetohet mbas aprovimit të Reformës në Drejtësi nga Parlamenti me votë unanime. Në këtë kuptim, ky rast përbën një moment të rëndësishëm për politikën dhe drejtësinë shqiptare për të kuptuar vërtet nëse ka një vullnet për ta zbatuar atë apo jo.

Pa hyrë në detajet e çështjes Tahiri, që tashmë është debatuar dhe stërdebatuar në media dhe në opinionin publik, me të gjitha gjasat duket që nuk ka një vullnet për t’i shkuar deri në fund kësaj reforme, të paktën ky është perceptimi që është krijuar me ngjarjet e fundit.

Prandaj, 140 votat që aprovuan Reformën në Drejtësi, praktikisht janë kthyer në 140 vota kundra saj. Nuk mund të ndodhte ndryshe duke parë raportin problematik që një pjesë e politikës shqiptare ka patur me drejtësinë. Kështu që deputetët e Parlamentit të Shqipërisë nuk mund të votonin një Reformë, që me shumë gjasa do të bëheshin “viktima” të saj.

Teatrit të 140 votave pro Reformës në Drejtësi , tashmë i ka rënë maska. Duket qartë që vota unanime për të, ishte një votë e sforcuar dhe e detyruar si pasojë e presionit të aleatëve ndërkombëtarë dhe sidomos SHBA-së. Të vendosur edhe përballë presionit të qytetarëve shqiptarë, të cilët presin me padurim drejtësinë në këtë vend, klasa politike nuk kishte rrugë tjetër përveçse ta votonte atë në bllok.

Rainer Deville, ish-shefi i misionit Euralius, që ka asistuar politikën shqiptare për të hartuar Reformën në Drejtësi, dje në një konferencë të Institutit të Studimeve Politike mbi këtë temë, është shprehur se zbatimit të saj i mungon motori. Motori në këtë rast është vullneti politik, që mungon për shkak se ka një konflikt interesi të pastër midis politikës dhe drejtësisë. Një konflikt interesi, i cili vjen për shkak se në këto 27 vite, drejtësia ka bërë politikë dhe politika drejtësi. Për këtë arsye nuk ka se si të ketë vullnet për ndarjen e këtyre dy pushteteve.

E vetmja mënyrë për të bërë drejtësinë në këtë vend, është gjetja e shkakut të shkatërrimit të saj. Shkaku i vetëm është politika, nga e cila buron dhe drejtësia dhe të gjitha pushtetet e tjera.

Prandaj, duhet të kthejmë sytë nga reforma politike më parë se ajo në drejtësi. Reformë e cila duhet të përmbajë mënyrën se si zgjidhen deputet, sistemin zgjedhor, dhe mbi të gjitha mënyrën e financimit të partive që është burimi i të gjitha problemeve.

Nëse ka një arsye të raportit midis krimit dhe politikës, është pikërisht gjetja e “ e fondeve” nga ana e saj për t’i përdorur ato për aktivitete politike.

Ndoshta duhet t’i japim fund hipokrizisë që është krijuar. Politika ka nevojë për financime, duke nisur që nga rrogat e deputetëve, aktiviteteve, fushatave etj. Në këtë kuptim duhet gjetur një mënyrë ligjore për t’i financuar ato siç duhet dhe një mënyrë kontrolli të rreptë për t’i monitoruar këto financime.

Mënyra e kontrollit që bëhet aktualisht ndaj shpenzimeve të partive politike gjatë fushatave, është qesharake.

Pa zgjidhur çështjen e funksionimit të politikës dhe reformimin e saj, nuk mund të arrijmë asnjëherë të zgjidhim çështjen e drejtësisë.

Mirëpo edhe në këtë rast kërkohet një vullnet politik. A mund të vetërregullohet politika shqiptare?

Me të gjitha gjasat jo! Nuk ngelet gjë tjetër përveçse të kthejmë sytë edhe njëherë nga aleatët tanë ndërkombëtare, me shpresën se kanë vërtet përzemër fatet e popullit shqiptar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pushimet jashtë, oferta dhe destinacionet kryesore

Destinacione tradicionale, pa kokëçarje, e me komoditet të mjaftueshëm. Kjo po i...
Read More