18 qershori, skadojnë afatet, s’ka marrëveshje Rama-Basha

Takimi Rama-BashaRama: Kohën e fituar nga tërheqja jonë nga Kavaja dhe shmangien e një shfaqje turpi në rrugët e qytetit të vogël, Partia Demokratike nuk e shfrytëzoi për të mbyllur laboratorin e krizës artificiale… Basha: …Partia Demokratike kurrë nuk ka marrë, dhe nuk do të marrë ndonjë vendim për bojkot të zgjedhjeve…

Nga Nevila Perndoj 

Anulimi i zgjedhjeve në Kavajë nuk prodhoi një negociatë të re mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Në komunikimin e tij javor përmes Facebook, kryeministri Edi Rama tha se PD-ja nuk e shfrytëzoi afatin e mbetur për të arritur një marrëveshje për zgjedhjet e ardhshme.

“Kohën e fituar nga tërheqja jonë nga Kavaja dhe shmangien e një shfaqje turpi në rrugët e qytetit të vogël, Partia Demokratike nuk e shfrytëzoi për të mbyllur laboratorin e krizës artificiale që ka instaluar në Bulevard për të hapur një faqe të re bashkëpunimi të qeverisë me opozitën. Ajo e humbi këtë kohë të çmuar duke festuar një fitore imagjinare në bunkerin ku është kyçur nga frika e drejtësisë dhe duke kërcitur dhëmbët për fitore të reja si kjo… Kështu që nëse nuk ndodh mrekullia në orët e mbetura, edhe po ndodhi dhe këto fjalë nuk kanë më asnjë rëndësi, ne nesër (sot) do të nisemi drejt 18 qershorit pa PD-në, e cila duhet ta ketë shumë të qartë se Shqipërinë peng nuk e merr dot kurrë. As s’e bën dot një vatër të re gjurulldie në rajonin e trazuar nga ndërhyrjet e aktorëve të tjerë kundër BE-së e NATO-s…”, -tha Rama. Kryeministri bëri publike edhe njëherë ofertën e tij për PD-në që përfshin në vija të përgjithshme përfaqësimin me zv.kryeministër dhe tri zv.ministra.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e përcolli qëndrimin e tij në bashkëbisedimin me qytetarët në çadrën e ngritur para kryeministrisë.

“…Rruga e vetme drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është qeveria teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila jo vetëm do të njohë, por edhe do të luftojë problemet e rënda të vendit, që kanë sjellë këtë kolaps politik, këtë krizë elektorale dhe politike…”, – tha Basha, i cili foli jo pak edhe për protestën e paralajmëruar më 13 maj në Tiranë.

“…Bashkë, ditën e shtunë në orën 12:00, ballë për ballë shpresa dhe besimi tek e ardhmja që po vjen dhe Republika e vjetër që përgatitet të hyjë në analet e historisë. Të bashkuar gjithëpërfshirës, të gjithë shqiptarët do të jenë qytetarë të Republikës së Re. Asnjë nuk do të jetë më qytetar i Republikës së vjetër të dredhive, krimit, drogës, hipokrizisë dhe korrupsionit. E ardhmja nuk ndalet dot më! E shtuna e ardhshme shpalos para shqiptarëve derën e madhe të kësaj të ardhme europiane…”, -tha ai.

Në funksion të kësaj protestë, Basha mblodhi dje grupin dhe kryesinë e Partisë Demokratike. Ai ka kërkuar që të nisë puna në terren, për të siguruar një pjesëmarrje sa më masive të shtunën.

Pas mbledhjes së grupit, Basha tha se nuk do të ketë bojkot, por as zgjedhje më 18 qershor. “…Partia Demokratike kurrë nuk ka marrë dhe nuk do të marrë ndonjë vendim për bojkot të zgjedhjeve. Kurrë nuk ka marrë e nuk do të marrë ndonjë vendim për mospjesëmarrje në zgjedhje. E gjithë kjo betejë bëhet për të marrë pjesë në zgjedhje.

Për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin, por ama të zgjedhin të lirë…”, -tha ai.

Më tej, Basha shtoi: “Ato që do të organizohen me datë 18 qershor, nuk do të jenë zgjedhje, do të jenë votime të një koalicioni monist, të ndihmuara nga droga dhe nga krimi. E gjithë përpjekja jonë dhe e gjithë qytetarëve shqiptarë, është që 18 qershori, nëse nuk ka reflektim nga pala tjetër, të shënojë jo një votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, por një sprapsje totale të krimit dhe drogës dhe çdo krahu politik përfaqësues të tyre, sepse më 18 qershor, votime moniste pa opozitën, me krimin dhe me drogën, nuk do të ketë…”.

Por a janë shuar mundësitë për dialog me Ramën? “…Prej ditës së parë dhe çdo ditë, ne jemi të hapur për dialog politik. Dialogu politik duhet të ketë premisën e suksesit ndërtuar mbi kuptimin dhe pranimin e të vërtetave nga të gjitha palët. Nëse, e vërteta e krimit dhe e drogës që janë sot aleatët e njërës palë në këtë përballje, palës qeveritare, refuzohet nga ana e qeverisë, atëherë premisat për një marrëveshje me dialog, janë zero…”, – u përgjigj Basha.

 

 

Bregu: Moszhvillimi i zgjedhjeve nuk është fitore. Reagon Basha

Në mbledhjen e grupit parlamentar, deputetja demokrate Majlinda Bregu përcolli si shqetësim për PD-në mospjesëmarrjen e saj në zgjedhje. “Unë nuk e gjej me vend, pavarësisht faktit se jam një njeri që kam hyrë në politikë me Partinë Demokratike, jam me PD-në, do të jem me PD-në, por nuk e shoh me vend që të heshtet përpara një situate, e cila është situata më e rëndë që po kalon Partia Demokratike…”, -tha Bregu. Duke iu referuar Kavajës, Bregu theksoi se moszhvillimi i zgjedhjeve nuk mund të konsiderohet fitore. “Kam frikë se në mos u shpiktë ndonjë jetë politike në Mars, dalja ose vazhdimi i luftës apo i mosbindjes civile jashtë institucioneve nuk e bën PD-në më të madhe dhe nuk mund të hesht e të mos e them këtë shqetësim që kam sot. Shpresoj shumë që ky shqetësim të mos jetë vetëm i imi, edhe në qoftë i imi dhe i disa kolegëve të tjerë, nuk e them se kam hallin tim apo të kryetarit të PD dhe as ndonjërit prej nesh, ne do kemi mundësinë që të gjejmë një punë, që ai qytetari i fundit nuk do ta gjejë, por është halli i atyre demokratëve që sot nuk do ndihen të përfaqësuar në parlamentin e ardhshëm. Dhe ky nuk është një shqetësim i vogël… Megjithatë, jam e bindur që 18 qershori nuk do jetë ditë zgjedhjesh, nga ana tjetër jam po aq e bindur se 18 qershori s’mund të keqpërdoret dhe nuk mund ta trajtojmë çdo ditë siç po dëgjohet nga Edi Rama si të jetë 29 nëntori i Enver Hoxhës. Dhe kjo po ndodh sot. Jam e bindur se pas kësaj situate, detyra kryesore e çdo demokrati është rindërtimi i Partisë Demokratike”, -tha Bregu pas mbledhjes së grupit parlamentar.

Por cili është komenti i Bashës për qëndrimin e Bregut?  “…Kjo Parti Demokratike ekziston, është themeluar dhe do të vazhdojë të ekzistojë, që çdokush të thotë mendimin e tij. Por pasi sheshohen argumentet, merren vendime. Pa dyshim është shprehur një mendim nga një anëtar i grupit Parlamentar, njëkohësisht anëtar i kryesisë, i bazuar në një premisë të gabuar, premisën e mospjesëmarrjes në zgjedhje. Dhe në mënyrë unanime, mbledhja e përbashkët e Grupit dhe e Kryesisë, ka konstatuar atë që kemi thënë prej ditës së pare; nuk ka bojkot të zgjedhjeve, nuk ka mospjesëmarrje në zgjedhje nga ana e opozitës, por ka luftë të vendosur, totale, paqësore, demokratike, për të mos lejuar marrjen peng të zgjedhjeve, nga krimi dhe nga droga…”, -tha Basha.

Shkruar Nga
More from revista mapo

A ka të drejtë Mustafa Arapi për autorësinë e Motra Tone?

Prej ditësh në media dhe rrjetet sociale është hapur një debat që...
Read More