2017, viti i bllokimit

Ngjarjet e vitit që lamë pas dhe reformat e mëdha që nisën dhe mbetën po aty. Përpjekjet e politikës për të penguar Reformën në Drejtësi, rritja e pamjaftueshme ekonomike, mungesa e liberalizimit të tregjeve e bëjnë 2017-ën një vit të bllokimit

Nga Luljeta Progni

Nëse do të mblidheshin të gjitha ngjarjet që shënjuan vitin 2017, padyshim janë shumë, por disa mbesin nga ato zhvillime të kohës që kushtëzojnë edhe të ardhmen. Reforma në Drejtësi, stepja e saj në vetvete për çështje mirëfilltës burokratike, por edhe një “ndalesë” me dashje e reformës nga politika në tërësi, kanë bërë që drejtësia të jetë kryefjala për vitin që lamë pas dhe shpresa për vitin që po vjen. Të gjithë palët “betohen” se e duan Reformën në Drejtësi, por që të gjitha kanë edhe marrëveshjen e heshtur dhe të qartë se një drejtësi ndryshe, të parët që do rrezikonte janë ata që na kanë qeverisur dhe qeverisin, në rrethana të tilla kleçkat e pengesës, qoftë edhe për ta shtyrë në kohë, nuk janë më risi.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017 u karakterizuan me një luftë të ashpër nga janari 2017 deri buzë pranverës kur u arrit pajtimi i madh pozitë-opozitë. Një “dashuri” që zgjati pak, por ishte bukur për aq kohë sa ndodhi, duke u mbyllur thuajse ekzaktësisht me largimin e ministrave teknikë nga qeveria Rama dhe betonimit thuajse përfundimtar të pushtetit të kryeministrit Edi Rama që siguroi 74 mandate, pa patur nevojën të ndante “tepsinë” me të tjerë. Edhe këtë sukses Rama nuk e shijoi, pasi i shpërtheu në duar një skandal me përmasa të mëdha, siç ishte dyshimi që erdhi nga Italia se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mund të jetë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. As suksesi i këtij viti që pati më pak drogë, gati në nivele të papërfillshme nuk e gëzuan Ramën, pasi hambari i vitit 2016 i kanabisit do kohë të zhduket. Për më shumë, në të gjithë këtë “histori suksesi” të kanabizimit u fuqizuan grupet kriminale, që shpesh ngrenë krye dhe janë gjithnjë në gjendje të shkaktojnë pasiguri dhe kaos në vend. Politika si gjithnjë garanton konfliktin që duket se do vijojë edhe për vitin e ardhshëm, ndërsa nevojitet një reformë e thellë zgjedhore që me gjasë akoma nuk i ka vendosur piketat ku do shkelë.

Një drejtësi e re dhe ekonomi më e mirë, do ishte oksigjeni i vërtetë për shoqërinë, por që të dyja nuk janë në ditët më të mira, pasi 2017 ishte një vit bllokimi. Shpresa se hapja e negociatave për integrimin në BE do jetë një lajm i vitit që vjen do ishte sukses në tërësi, por gjithçka varet jo nga shoqëria, por sjellja e politikës.

Paqen që na e sollën… 

“Është më mirë të jesh një lider i guximshëm në arenë, sesa një kritik apo vëzhgues nga jashtë”. Kjo thënie e presidenti amerikan Theodore Roosevelt, u citua nga zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee, verën e këtij viti, kur erdhi në Tiranë për të zgjidhur krizën politike. Ishte koha e krizës para zgjedhjeve të 25 qershorit, kur opozita ishte ngujuar në çadër e refuzonte të hynte në zgjedhje. Kishin dështuar të gjitha negociatat, ishin konsumuar të gjithë faktorët politikë e diplomatikë, brenda dhe jashtë vendit duke përfshirë edhe ambasadorët më të fuqishëm në vendin tonë, Donald Lu e Romana Vlahutin. Liderët e mazhorancës dhe opozitës nuk iu bindën çiftit të diplomatëve Lu-Vlahutin duke e lënë të pazgjidhur situatën politike në Shqipëri. Vendi po shkonte me shpejtësi drejt krizës së thellë institucionale dhe në lojë hynë krerët e lartë të Brukselit. Komisioneri Johannes Hahn erdhi në Tiranë dhe pasi takoi drejtuesit e dy partive kryesore, u kthye në Bruksel pa zgjidhur asgjë. I dërguari i kancelares gjermane, McAllister u duk se po gjente një zgjidhje, por përpjekja dështoi në momentin e fundit. Paketa McAllister nuk u pranua nga palët. Partitë Popullore Europiane u panë si shteg për të bindur PD-në të hynte në zgjedhje duke pranuar paketën McAlister. Por McAllister kishte qenë vetë në Tiranë, kishte takuar Ramën dhe Bashën dhe ishte larguar pa zgjidhje. As PPE-të nuk ia dolën të bindin Bashën e PD të dilte nga çadra. U përdor çdo lloj joshjeje e kërcënimi deri në momentet e fundit nga Lu e Vlahutin, por asgjë nuk funksionoi, PD vazhdonte e ngujuar në çadër dhe Rama në Kryeministri i vendosur të shkojë në zgjedhje pa opozitën.

Më 15 maj mbërriti në Tiranë Hoyt Brian Yee. Qëndroi pak orë, zhvilloi pak takime dhe u largua. U duk se kriza mbeti në vend, por shpejt situata ndryshoi si me magji. Një takim krejt i papritur midis kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha do të sillte një marrëveshje gjithashtu të papritur.

Mesnatën midis 17 dhe 18 majit, Rama e Basha shtrënguan duart mbi një marrëveshje që i jepte zgjidhje krizës. Pikat e marrëveshjes nuk ishin aq justifikuese për ta futur opozitën në zgjedhje. Pavarësisht kësaj, marrëveshja u arrit, Rama ndau pushtet për një muaj me opozitën dhe lideri i opozitës Lulzim Basha hyri në zgjedhje. Kështu u kapërcye kriza e fortë institucionale e politike që kishte përfshirë Shqipërinë verën e këtij viti që po mbyllet. “Suksesi iu takon liderëve të vendeve që ishin të afta të ndërmarrin vendime të vështira, qoftë Maqedonia, ku presidenti Ivanov vendosi t’ia japë mandatin koalicionit në Parlament që ka mazhorancën, mënyrë që t’i hapët rrugë formimit të qeverisë, por edhe opozita në Shqipëri që ndërmori një vendim të guximshëm për të ndryshuar qëndrimin e saj duke vendosur të marrë pjesë në zgjedhjet që u shtynë. Por këtu përmendim edhe Ramën, të cilit iu desh të gjente fleksibilitetin e nevojshëm për të bindur opozitën të kthehej. Kjo është shumë fitimprurëse për vetë Shqipërinë dhe situatën shqiptare”, kështu tha zyrtari i DASH, pas marrëveshjes Rama-Basha më 18 maj 2017.

Dështimi

E pati jetën të shkurtër kjo marrëveshje sepse funksionoi vetëm dy a tre muaj, sa kohë ishin në qeveri ministrat e Bashës. Por jehona e marrëveshjes vazhdon edhe sot, jo domosdoshmërisht përmendet për mirë, por ama përmendet vazhdimisht. Marrëveshja Rama-Basha e diktuar nga zyrtari i lartë amerikan, ishte kulmi i ngjarjeve politike të këtij viti. U duk se do të sillte një erë të re zhvillimesh politike në Shqipëri. Zbuti ndjeshëm gjuhën politike, uli thuajse krejtësisht tensionet politike dhe pritej të pasohej me reformat e mëdha që do të kishin ndikim thelbësor në të ardhmen europiane të Shqipërisë. U përfol shumë për një bashkëqeverisje të mundshme PS-PD, pasi pritej që Rama dhe PS të mos e arrinin numrin 71 mandate, dhe në një rast të tillë, qeverisja ishte e pamundur pa aleancë me një parti të opozitës. Marrëveshja me LSI-në ishte përjashtuar kategorikisht, qoftë nga Rama qoftë nga LSI. Mbetej si opsion qeverisja me bazë të gjerë PS-PD. Po shihej si një mundësi për start të ri në politikën shqiptare, atë të qeverisjes pa tensione dhe me bashkëpunim mes dy krahëve të politikës. Por rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit e prishi krejt harenë e kësaj marrëveshjeje. Rezultati ishte surprizë ndoshta edhe për vetë Edi Ramën. PS mori 74 mandate dhe kështu nuk pati nevojë t’i lutej as PD-së e aq më pak LSI-së. Zërat për bashkëqeverisje u shuan bashkë me jehonën e marrëveshjes së bujshme Rama-Basha. Nisi sërish tensioni përmes akuzave për blerje të votave nëpërmjet parave të kanabisit. Një ndër pikat kryesore të marrëveshjes Rama-Basha, ishte reforma zgjedhore. Vota e lirë ishte kauza kryesore e çadrës së Lulzim Bashës. Pra, në thelb ishte Reforma në Drejtësi. Në fund të mandatit që shkoi, ishte krejt e pamundur të kryhej reforma zgjedhore sepse edhe opozita ishte kujtuar shumë vonë për këtë nismë. Por pas marrëveshjes Rama-Basha, pritej që nisja e punës për reformën zgjedhore do të ishte hapi i parë i politikës. Është ngritur komisioni parlamentar për reformën zgjedhore por nuk është mbledhur asnjëherë dhe nuk dihet të ketë një axhendë të këtij komisioni. Reforma zgjedhore mbetet një ndër reformat e bllokuara për shkak të situatës së tensionuar politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Bllokimi i Reformës në Drejtësi

Reforma në Drejtësi, është padyshim kryefjala e podiumeve politike e diplomatike në Shqipërinë e dy viteve të fundit. Reforma në Drejtësi u miratua me 140 votat e parlamentit, në verë të vitit 2016. Do të duhej që kjo reformë të kishte avancuar ndjeshëm në zbatimin e saj, kryesisht gjatë vitit 2017. Por nuk ka ndodhur. Politika e dy krahëve bëri ç’ishte e mundur për ta bllokuar atë. Me gjithë përpjekjet e ndërkombëtareve, kryesisht ambasadorit Donald Lu, Reforma në Drejtësi nuk startoi dot gjatë vitit 2017. Pritet që efektet e saj të nisin në fillim të vitit që po vjen. Kështu ka paralajmëruar ambasadori Donald Lu kur tha se në janar pritet të kapën “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit. Hap i rëndësishëm për të besuar në pritshmëritë e ambasadorit amerikan duket të jetë edhe prokurorja e re e përgjithshme Arta Marku. Ajo u zgjodh në krye të këtij institucioni të rëndësishëm përmes një procesi problematik, ndërkohë nuk janë ngritur ende institucionet e reja që dikton Reforma në Drejtësi. Është fjala për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili do të duhej të kishte zgjedhur edhe Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Në një situatë të tillë, mazhoranca refuzoi të shtyjë për disa muaj mandatin e kryeprokurorit Llalla dhe nisi një proces për zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm. Ky proces u konsiderua antikushtetues nga opozita. Kaq mjaftoi për të nisur një betejë e re politike, ku si zakonisht do të bëhej protagonist edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Ai e mbështeti zgjidhjen që ofroi mazhoranca edhe pse opozita e konsideroi antikushtetues dhe një rrëzim të krejt filozofisë së Reformës në Drejtësi, për të cilën Donald Lu është investuar aq shumë. Megjithatë, kjo betejë e opozitës nuk shkaktoi asnjë pendesë tek ambasadori amerikan, ai e mbështeti hapur zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Arta Marku u zgjodh në këtë detyrë përmes tymit që opozita shkaktoi në parlament. Ambasadori amerikan reagoi menjëherë me një mesazh shumë të qartë, ku dënoi protestat e dhunshme të opozitës brenda dhe jashtë parlamentit dhe shprehu kënaqësinë se u largua një kryeprokuror që nuk e donte arrestimin e politikanëve.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë dhunën që ndodhi në protestën e sotme në Tiranë. Ne mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike, hedhja e granatave tymuese në Parlament dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Ne iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të nxisin qetësi. Populli shqiptar nuk duhet të habitet që politikanët e tyre po luftojnë njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se Reforma në Drejtësi më në fund po zbatohet. Komisionet e Vettingut do të kenë së shpejti rezultatet e tyre të para. Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur. Së shpejti do të shohim krijimin e SPAK-ut dhe BKH-së, të cilat do hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë të korruptuar të nivelit të lartë. Qytetarët shqiptarë presin me padurim për drejtësi. Dhe politikanët kanë frikë”, theksohet në deklaratën e ambasadës amerikane. Ishte një qëndrim maksimalisht mbështetës për procesin e mazhorancës dhe shumë dekurajues për betejën e opozitës për “kushtetutshmëri në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit”. Ish-kryeministri Berisha do të ishte një ndër politikanët që u shfaq hapur kundër ambasadorit Donald Lu. “Në konflikt të hapur interesi. Lu dhe Vlahutin, që është e vërtetë që ata përfaqësojnë SHBA dhe Europën, por është aq e vërtetë që ata janë dhe përfaqësues të Edi Ramës. Kanë tejkaluar çdo lloj kufiri që ata janë në mbështetje të Edi Ramës. U dhunua një deputete, a tha një fjalë shkëlqesia e tij. Kërpaci ishte dhuna aty, nuk kishte gjë më të shëmtuar, përgjakja e një deputeteje. E shikon me këtë optikë se ka një anësi ekzemplare”, -tha Berisha në media një ditë pas deklaratës së Donald Lu. Ndërsa politika i ka “dyert e hapura” për të sulmuar kurdo e kudo, kryeprokurorja Arta Marku është tashmë në krye të prokurorisë së Përgjithshme dhe prej saj priten rezultate konkrete, jo më vonë por në janar.

Ekonomia në vend numëro

Gjendja më e keqe në ekonomi nuk është kriza, por ngecja në vend për një kohë të gjatë. Kriza mund të sjellë dinamikë, mund të sjellë masa dhe energji për të dalë nga ajo ndërsa një gjendje ngecjeje për një kohë të gjatë kthehet në ankth, prodhon pasiguri, ndal rritjen, zgjeron varfërinë etj. Viti që po mbyllet shfaqi shenjat e një ngecjeje të tillë në ekonominë shqiptare. Kjo ngecje në qoftë se do të vazhdojë do të nisë të kthehet pikërisht në atë lloj bllokimi që është më e keqe se sa kriza. Ekonomia jonë nuk prodhon vende të reja pune që të mbajë gjallë shpresën dhe rritjen ekonomike, ekonomia nuk rritet në terma që të mbajë gjallë një konsum të pranueshëm dhe të mundësojë një kosto jetese të përballueshme, shpenzimet publike nuk janë domethënëse, vetë biznesi ka humbur entuziazmin. Megjithatë kreu i qeverisë, ndoshta në daljen e fundit për këtë vit në një intervistë të gjatë televizive foli diku nga fundi për ekonominë, por “shpresëplot” se 2018 do vijojë rritjen ekonomike dhe do ketë më shumë investime. Ndërsa INSTAT dha lajmin e keq në bazë shifrash se ka rënie të ekonomisë. Për ekspertët për një ekonomi të brishtë si Shqipëria është i nevojshëm rritja me 5.5-6 % çdo vit, në mënyrë që të ndihet. Po kjo është një shifër e largët me treguesit aktualë dhe mungesa e një politike të qartë të modelit ekonomik po e mbajnë sektorin më të rëndësishëm në vend në ujëra të turbullta.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bëni kujdes! Mos i lani dhëmbët asnjëherë pas…

Bardhësia e dhëmbëve është dhe dëshira e secilit nga ne. Shpesh ne...
Read More