2018, dialektika politike duhet të rifillojë

Nga Ervis Iljazaj

Viti që lamë pas, me siguri do të mbahet si një vit politik, që në aspektin e dinamikës politike nuk shënjoi ndonjë ngjarje domethënëse përveç fitores së vetme të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Qershorit. Në këtë kuptim duket çdo gjë e bllokuar, dhe koha ka mbetur në vend.

Dhe, kjo për një arsye thelbësore, Reformës në Drejtësi. Një Reformë rreth të cilës, u vërtitën të gjitha strategjitë politike, pasi padyshim do të ndryshojë të gjithë sistemin juridiko-politik që është instaluar përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Me një imponim qartësisht amerikan, Reforma në Drejtësi është gati në fundin e saj, dhe palët politike duket sikur janë në pritje të efekteve të saj, që në disa aspekte kanë filluar që tani.

Prandaj, e gjitha dialektika politike është e bllokuar, pa të cilën të gjitha spuntot ekonomike dhe sociale paralizohen dhe mbeten në vend. Kështu që, viti 2018 duhet me patjetër të rikthejë në vëmendje të aktorëve politikë dialektikën dhe komunikimin midis palëve, tashmë të stopuar.

Padyshim, të gjitha palët politike për të ruajtur marrëdhëniet me organet gjyqësore, bënë ç’të ishte e mundur për të stopuar një reformë, e cila po merr nga dora e tyre drejtësinë. Tensioni politik që ndihet në ditët e javët e fundit, është pikërisht për këtë arsye, sepse politika shqiptare e ka kuptuar tashmë, që organet e drejtësisë po i rrëshqasin nga duart.

Mirëpo një situatë e tillë, ka bllokuar çdo politikë qeverisëse, çdo iniciativë politike domethënëse, çdo nxitje ekonomike, në pritje se çfarë do të sjelli Reforma në Drejtësi në kampin politik.

Në këtë kuptim, ajo që ka munguar këtë vit është pikërisht dialektika normale politike, pa të cilët një demokraci kthehet në gjendje të ngrirë.

Duket sikur asgjë nuk lëviz në planin e qeverisjes, por edhe në kampin opozitar që janë duke përgatitur protesta pa një kauzë të vërtetë politike, protesta që erdhën si pasojë e zgjedhjes së kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm. Edhe kjo lëvizje si shkak i diskutimeve të Reformës në Drejtësi.

Palët politike, duhet të dalin nga gjumi letargjik ku i ka futur Reforma në Drejtësi, dhe duhet të rifillojnë dialektikën politike. Ka vetëm një mënyrë për të ringjallur shpresë për të ardhmen në një shoqëri, është gara politike që ofron në një demokraci normale. Mirëpo kjo garë, ka mbetur peng e një drejtësie të re që pritet të vijë, e cila ka strukur të gjithë klasën politike shqiptare në zyrat e tyre me sytë nga pasojat e një sistemi që me siguri po ndryshon rrënjësisht.

Është pikërisht kjo paralizë politike, që po pengon çdo dinamikë demokratike, që është kusht thelbësor për zhvillimin e një vendi.

Për këto arsye, instalimi i një drejtësie të pavarur totalisht nga politika, është duke krijuar një efekt kolateral, atë të mangësisë së komunikimit politik. Komunikimi politik zhvillohet vetëm duke identifikuar aktorët e tij, të cilët edhe pse duken po të njëjtit janë në gjendje paaftësie për të ndryshuar momentin në të cilin ndodhemi.

Nëse viti 2018 në aspektin politik do të vazhdojë të jetë i njëjti si ai që lamë pas, atëherë efektet në shoqëri dhe ekonomi do të jenë shkatërruese, sepse e gjithë politika ka lënë çdo iniciativë për të nxitur atë, dhe është duke vështruar me një ankth që po e përcjell edhe tek opinioni publik, të gjitha frikërat e saj ndaj drejtësisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vrasje në bastionin e mafies ballkanike

Nga Michael Martens, FAZ Kur Angela Merkel vizitoi Kosovën në verën e...
Read More