25 mijë dorëshkrime: Pasuria e Lasgush Poradecit dorëzohet në Arkiv

Mbi njëzet mijë fletë, dorëshkrime të poetit Lasgush Poradeci i janë dorëzuar dje Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit. Janë të bijat, trashëgimtaret e tij që kanë marrë këtë vendim pasi shumica prej këtyre letrave kanë njohur botimin, përveçse disa sendeve dhe objekteve personale. Në rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta, brenda këtij viti, të bijat thonë se do t’ia dorëzojnë Arkivit edhe dy ditarët personalë të poetit

Të bijat: Të pasigurta për t’i ruajtur në shtëpi, ishte një dëshirë e hershme e babait

Mbi njëzet mijë fletë, dorëshkrime të poetit Lasgush Poradeci i janë dorëzuar dje Arkivit të Përgjithshëm të Shtetit. Janë të bijat, trashëgimtaret e tij që kanë marrë këtë vendim pasi shumica prej këtyre letrave kanë njohur botimin, përveçse disa sendeve dhe objekteve personale. Duke kujtuar se tani studiuesit do të shohin të hapur një vepër origjinale në dorëshkrim, Maria dhe Konstadina Gusho kanë nënshkruar vendimin e aktit të dhurimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Ardit Bido, drejtor i Arkivit ka paraqitur këtë pasuri: Bëhet 19 mijë e 308 fletë dorëshkrime të Lasgush Poradecit, 8562 fletë shkrimi, 3662 fletë gazete, 26 revista, 1606 fotografi dhe kartolina, 315 ftesa dhe telegrame, 296 partitura, 14 harta, 8 kartëmonedha, 11 dekorata, 7 certifikata, 12 pulla postare. Sipas të bijave kjo është pasuria që ato kanë mundur të ruajnë nga babai i tyre. Ndërsa ky vit përkon me 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit, Maria është ndalur në disa nisma që pritet të çojnë deri në fund “detyrat” e tyre për ta përkujtuar.

Aktin e dhurimit të dorëshkrimeve e bija e ka lidhur me një dëshirë të hershme të Poradecit, që pasuria e tij t’i takojë trashëgimisë kombëtare.

Për këtë ajo ka përmendur një letërkëmbim të poetit. Që në datë 23 tetor të vitit 1939, Lasgushi i shkruan Mitrushit kur ai ndodhej në Bukuresht: “I dashur Dhimitraq-i thotë-dorëshkrimet e mia mos u nxito t’i japësh në Akademi aty në Rumani. Kujdestarja e tyre të jetë Mëma Shqipëri, këtë dëshirë kam. Në Rumani mund t’i lesh me kusht të përkohshëm, vetëm në rast urgjence dhe rreziku. Zoti mos e dhënë ashtu”.  Në këtë pasuri me dorëshkrime, e bija e poetit ndalet në faktin se studiuesit do të gjejnë gjurmë të procesit të punës së Lasgushit, me shënime personale, pasi e ruante këtë fletore duke dërguar në shtypshkronjë një kopje përfundimtare.

U tha se dorëshkrimet janë në gjendje të mirë, por disa prej tyre të ekspozuara dje në Arkiv ishin në mizerje, mezi lexoheshin, dhe pothuaj të degraduara. Arkivist Sokol Çunga duke garantuar se ky arkiv do të sistemohet sipas metodës së punës arkivore, tha se gjendja e tyre varej dhe nga lloji i letrës, që i përket një cilësie të dobët që nuk mund t’i rezistonte aq gjatë kohës. Megjithatë nga këto 20 mijë dorëshkrime, Maria është shprehur se ka lënë jashtë dy ditarë personalë, dhe një dosje dokumentesh nga periudha 10-vjeçare e studimeve në Grac, që do të dhurohen edhe ato, por pasi familja t’i botojë, brenda këtij viti.

“Tashmë ajo është e gjithë në dorë të publikut, studiuesve dhe shkrimtarëve dhe unë nuk njoh shkrimtar shqiptar që të mos jetë frymëzuar nga poezia e tij. Arkivi është një vend i sigurt duke bërë ftesë që edhe familjarët e tjerë të sjellin në arkiv dorëshkrimet”, -tha Kumbaro.

Lasgushi, dorëshkrimet në një kartelë personale fashiste

Pjesa e dorëshkrimeve të ekspozuara dje në Arkivin e Shtetit ndonëse nuk ishin në gjendje të mirë, sërish mbanin një dëshmi të kohës, vitet kur niste punën Lasgushi. Por, na tërheq vëmendjen një dosje e vitit 1943 ku, kapakët dhe brendia mbanin informacione nga koha e Italisë fashiste, pra ishte një kapakë kartoni që bëhej fjalë se ishte një kopje e kartelës personale fashiste. Sigurisht e paplotësuar, por që mbështillte një prej dorëshkrimeve, atë të Eugjen Onjegin.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Frederik Stamati: Tekstilet më të vjetra të zbuluara në Shqipëri

Restauratori Frederik Stamati ka publikuar skica nga tekstilet e tipit damask më...
Read More