25 Qershori ndryshoi sistemin, por jo aktorët


Nga Ervis Iljazaj

Fitorja e Partisë Socialiste  si forcë e vetme në zgjedhjet e 25 Qershorit, do ketë një impakt të rëndësishëm në sistemin politik shqiptarë. Mbas shumë vitesh një forcë e vetme do të drejtojë pushtetin ekzekutiv dhe, kjo është mëse normale për sa i përket riformatimit të politikës për tu përshtatur me një zhvillim të tillë.

Rama e kishte qëllim këtë gjë dhe ja arriti. Fushata elektorale e Edi Ramës u fokusua më shumë në mënyrën e qeverisjes se sa te përmbajtja e saj, duke kritikuar të gjithë sistemin qeverisës që ishte krijuar deri më tani me anë të koalicioneve që funksiononin më shumë si hesape pushtetesh dhe jo si marrëveshje politike të ndërtuara mbi programe dhe vlera të caktuara.

Megjithatë edhe pse sistemi politik ka ndryshuar, aktorët e tij janë po të njëjtën si para 25 Qershorit. Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim.  Kjo është një nga karakteristikat dhe paradokset e politikës tonë gjatë këtyre 27 vite tranzicion, ndryshon sistemi, ndërsa aktorët jo. Ata janë aty,  të rëndësishëm dhe të fortë si më parë.

Padyshim, që zgjedhjet e 25 Qershorit do te kenë një impakt të rëndësishëm politik mbi disa çështje kryesore.

Një nga efektet e këtyre zgjedhjeve ishte dështimi i plotë i partive politike të vogla, me ndonjë përjashtim jo domethënës. Fitorja si forcë e vetme e Partisë Socialiste, nëse nuk do të ndryshojë sistemin në dypartiak, më së paku do ta thjeshtojë shumë atë. Mbetet për t’u parë roli i tyre në skenën politike duke qenë se gjatë periudhës së tranzicionit ato kanë pasur një rol të rëndësishëm në formimin e mazhorancës politike, por këto zgjedhje treguan se shqiptarët nuk i besuan kauzave që ato përfaqësojnë.

Gjithashtu, seksioni i  ri parlamentarë do të ketë zhvillime për sa i përket opozitës. Asgjë nuk është e qartë nëse opozita do jetë e ndarë apo e bashkuar dhe, mbi të gjitha mbi çfarë marrëveshjesh. Që tani ka filluar një garë midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike për të marrë rolin e opozitës. Kjo marrëdhënie nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u përcaktuar dhe, vështirësia për t’i bërë opozitë një qeverie me një ngjyrë politike do të thellohet edhe më shumë për shkak të një garë opozitare që nuk do ta ketë të lehtë të përkufizojë aksionin e saj politik. Nëse do të krijohet një aleancë opozitare midis PD-së dhe LSI-së e cila do të shërbejë dhe si një koalicion qeverisës më pas, apo Partia Demokratike do të marrë e vetme meritat e aksionit opozitar, është çështja më e rëndësishme që pritet të ndodhë në atë kamp.

Përtej marrëdhënieve LSI-PD, Partia Demokratike ka dhe një marrëdhënie të sikletshme brenda saj. Për herë të parë Lulzim Basha do të jetë në Parlament dhe, kjo do ta bëjë betejën e tij më efikase, por nuk dihet nëse Sali Berisha, do të ketë të njëjtin protagonizëm si në mandatin e kaluar apo jo. Nëse do të jetë kështu, atëherë ky do të jetë një problem i madh Për Lulzim Bashën për të konsoliduar lidershipin e tij, pasi dihet që karizma e Berishës vazhdon ende të elektrizojë militantët e Partisë Demokratike. Në këtë kuptim opozita do të jetë më shumë kokë duke qenë së ka emra të rëndësishëm dhe me peshë politike brenda saj, gjë e cila nuk ndihmon opinion publik të jetë i qartë në mbështetjen e saj.

Së fundmi, zgjedhjet e 25 Qershorit, kanë sjell një zhvillim pozitiv për sa i përket qeverisjes, e cila nuk do të ketë më alibinë e koalicioneve për keqqeverisjen, duke rritur përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

Për të gjitha këto arsye, mund të thuhet se kemi një kohë të re, për sa i përket sistemit politik, por të njëjtë për sa i përket aktorëve të saj. Nëse do vazhdojnë ende ti mbajë politika në skenë, edhe mbas këtij ndryshimi thelbësore mbetet për tu parë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tejkalimi i kombit si gabim politik i shqiptarëve

Nga Viliem Kurtulaj* Të paktën që pas Luftës së Dytë Botërore, por...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.