26-vjetori: Mungesat VIP në ditëlindjen e PD

lulzim-bashaNë ceremoninë e djeshme munguan themelues të partisë, si: Genc Ruli, Eduard Selami dhe Arben Imami, si dhe figura të rëndësishme si Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi

Nga Nevila Perndoj

Në 26-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalli ditën e dyerve të hapura dhe ndryshe nga herët e tjera drejtoi të ftuarit nga oborri i selisë së PD-së drejt zyrave të partisë.

Nën moton “Partia Demokratike, parti e gjithë njerëzve”, mesazhet dhe gjestet e Bashës dukeshin të frymëzuara nga testamenti politik i presidentëve amerikanë Linkoln dhe Reagan, – ku gjithçka vjen nga populli dhe bëhet për të, – pa harruar presidentin e sapozgjedhur, Trump, të cilin e citoi gjatë: “Me të vërtetë po jetojmë në një kohë ndryshimesh të mëdha. Skenari nuk është shkruar akoma. Nuk e dimë se çfarë do të sjellë e nesërmja, – por për të parën herë pas një kohe të gjatë, e dimë se autor do të jetë secili prej jush. Ju, populli do ta keni në dorë. Zëri juaj, dëshirat tuaja, shpresat dhe ëndrrat tuaja, kurrë më nuk do të bien në veshë të shurdhër, – ju do të jeni zotët e fatit tuaj”.

Atribuimi nuk ishte pa qëllim.

Lulzim Basha paralajmëroi dje ndryshimin e të bërit politikë brenda opozitës.

Ai u zotua se anëtarësia do të ketë fatin e gjithë establishment-it në PD, duke nisur nga vendimet e rëndësishme e deri te përzgjedhja përmes parimit “një anëtar një votë” të kandidatëve për kryetarë bashkie dhe deputetë.

Ai e përcolli mesazhin në një podium të improvizuar, i rrethuar kryesisht nga të rinj, por edhe nga lideri historik i partisë, Sali Berisha.

Ky i fundit respektoi fjalën e Bashës, pranoi ftesën për foto me demokratët, vizitoi ekspozitën në fotografi të artistëve Ardian Isufi dhe Genc Përmeti, për të lënë më herët aktivitetin dyorësh të PD-së.

Mungesa dhe mesazhe

Por në festën e djeshme munguan themelues të partisë, si: Genc Ruli, Arben Imami dhe Eduard Selami.

Nuk u pa gjithashtu Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi.

Ndërsa, për Eduard Selamin u mësua se nuk gjendej në Shqipëri, për të tjerët duket se mungesa ka qenë një gjest politik.

Ish-kryetarja e Kuvendit nuk ishte në festë, por ajo uroi përmes faqes në Facebook 26-vjetorin e themelimit të PD-së.

Topalli e shoqëroi urimin me disa foto të 26 viteve më parë ku dukshëm dallonte ish-kryeministri Sali Berisha në krye të protestave.

Nga ana e tij, Lulzim Basha premtoi hapjen e partisë dhe mundësisë që duhet t’i jepet çdo anëtari.

“Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të bëhet vizioni i partisë”.

Pa dhënë afate konkrete se kur do të përmbushte këto premtime, kryetari i demokratëve nënvizoi se vendimet e rëndësishme do t’iu besohen anëtarëve.

“Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e lartë do të zgjidhen me votën e të gjithë anëtarësisë, por edhe të gjithë kandidatët që konkurrojnë për funksione publike, përfshirë kryetarët e bashkive dhe deputetë, do të përzgjidhen me një anëtar një vote”.

Kjo do të fillojë që me zgjedhjet e ardhshme të 2017-ës, por vetëm në disa zona elektorale, që nuk janë përcaktuar ende. Edhe përfaqësimi politik i PD-së do të vendoset nga anëtarët e saj.

“Ne do të krijojmë një strukturë partiake perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet, duke ndërtuar një platformë moderne që ka për qëllim t’i ofrojë mundësitë çdo anëtari dhe çdo anëtare për karrierë dhe garë elektorale, por jo të ushtrojë pushtet mbi anëtarësinë”, -tha Basha.

Kryetari i opozitës premtoi se PD do të jetë partia e lirisë, mundësive dhe e gjithë njerëzve. Por si shihet lëvizja e Bashës për të hapur partinë nga themeluesit e saj?

Besnik Mustafaj i pranishëm në festën e djeshme la të kuptojë për më shumë punë.

“Tranzicioni në lidershipin e PD-së ka qenë i ndërlikuar, i vështirë, sepse pas Berishës dhe pas asaj humbjeje lidershipi i ri kishte sfida shumë të mëdha në kushtet e mungesës së përvojës, në kushtet e një rinovimi të përgjithshëm të PD-së. Unë besoj se ka ende muaj intensivë pune për PD-në që ajo të bëhet vërtet zëri i pakënaqësisë dhe alternativë për zgjidhjen e problemeve. Sepse pakënaqësia në vetvete thjesht si pakënaqësi nuk përkthehet në votë për opozitën në qoftë se opozita me programin e saj politik, me figurat që i ofron shoqërisë shqiptare nuk i përgjigjet si duhet…”, -vërejti ai.

Preç Zogaj, një tjetër zë me kontribute në PD ishte më optimist.

Ai e lidh këtë gjendje me politikën e dyerve të hapura që Basha kërkon të implementojë kryesisht te të rinjtë.

“Unë besoj shumë dhe jam shumë optimist se PD-ja mund të kthehet në pushtet, sepse është momenti më i mirë ku të rinjtë ta gjejnë veten pasi pjesa më e madhe e tyre janë zhgënjyer”, -tha ai.

Berisha: Arritjet e PD, por shqiptarët hodhën poshtë kontratën me mua

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk foli në 26-vjetorin e themelimit të PD-së, duke lënë zot të shtëpisë kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Por në një postim në faqen e tij në Facebook, Berisha radhiti të gjitha arritjet e PD-se që prej vitit 1992 e deri në 2013.

Berisha foli me shifra konkrete lidhur me punën dhe rezultatet e qeverisjes se PD-së në kohë të ndryshme, ndërsa nënvizoi në fund të postimit të tij se përpos arritjeve domethënëse nga të djathtët, shqiptarët në vitin 2013 hodhën poshtë kontratën e tij.

“Në vitin 2013 shqiptarët me vullnetin e tyre hodhën poshtë kontratën me Sali Berishën dhe votuan për një kontratë tjetër. Respektova plotësisht vendimin e tyre dhe pa ndonjë keqardhje të veçantë mora vendimet e duhura. Sot në opozitë, Partia Demokratike është shndërruar në forcën kryesore politike të vendit, forcën e shpresës dhe besimit të shqiptarëve, e gatshme dhe e sigurt për fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe vazhdimin e misionit të saj historik, integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian!”, -shkruan ai.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Forumet UET, Vangjel Dule: Pse besoj te çadra e opozitës

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ishte i ftuar në Forumet UET me...
Read More