3 vjet ekonomi Rilindase



Besart KadiaNga Besart Kadia

Në një shkrim të para zgjedhjeve të vitit 2013, hidhja hipotezën se nga mandati i tretë i PD-së, do të fitonte e majta. Argumenti ishte i tillë: Së pari, e majta nuk kishte nje plan ekonomik të mirëfilltë për të nxjerrë ekonominë nga vështirësitë, së dyti, nuk ishte një PS me qasje të re ndaj pushtetit politik nga ajo e ministrave të Nanos (shih korrupsionin) dhe së treti, do të qeveriste me një koalicion me LSI, që ishte pika e dobët e mandatit të djathtë gjithsesi.

Tri vite më vonë, me pushtet aritmetik të madh në parlament, Rilindja është e paaftë të tregojë sesi qytetarët shqiptarë janë më mirë sesa më parë. Biznese në pyetësor, të bërë nga Fondacioni për Liri Ekonomike, tregojnë për rënie konstante të shitjeve. INSTAT gjithashtu tregon për inflacion nën objektiv të Bankës Qëndrore dhe për papunësi që është rritur nga 17.3% në 17.8% në muajt e fundit etj.

Të dhënat ekonomike flasin për një ekonomi me strukturë të ngjashme me atë që mori Rilindja në 2013, por me borxh publik më të madh, taksa më të larta (kujto taksën progresive) dhe pasiguri më të madhe të investitorëve vendës dhe të huaj. Në konferencën e djeshme të investitorëve të huaj, ambasada amerikane thotë që “Amerikanë të interesuar për të investuar në Shqipëri, janë larguar”. Vetëm kjo fjali mjafton për të dhënë një sinjal të fortë se shteti shqiptar është problematik. E majta ka rritur korrupsionin sërish: Sipas studimit të fundit nga Bashkimi Europian dhe ACER, në vend është rritur numri i personave që kanë bërë korrupsion në 46% (më e lartë sesa në 2014). Për më tepër, kemi humbur 35 vende në Doing Business dhe 5 vende në liri ekonomike, sipas Heritage Foundation etj.

Ndaj është e kuptueshme përse sot ka një mungesë të theksuar të debatit publik për ekonominë. Lajmet nuk janë të mira. Pretendimi që punë ka por nuk ka profesionistë, nuk mban gjatë dhe s’tregon vizion real për ekonominë. Borxhi i keq në banka mbetet i lartë dhe kreditimi i investitorëve i ulët. Ulja e normës së interesit nga BQ ka qenë agresive, por pa rezultat. Emigrimi i lartë jashtë vendit është vërtetuar dhe nga të dhënat e fundit të INSTAT për vitit 2015, (duke hedhur poshtë ministrin Tahiri se janë shqiptarë nga Greqia) etj.

Tre vjet nga ardhja në pushtet, Rilindja është politikisht e paqartë me pushtetin e saj dhe politikat ekonomike kanë sjellë aq shumë çorientim, sa të gjithë janë në “wait and see mode” dhe për këtë arsye, rritja ekonomike do të jetë e ulët duke e bërë vitin 2016 një vit të ashpër. Qeveria nuk po pranon dhe nuk po synon t’i zgjidhë këto probleme, ndaj bëhuni gati për “dimrin që ka hyrë në mes të ekonomisë shqiptare”.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Basha i shkruan FMSH: Jemi kundër martesave të homoseksualëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shprehet se partia e tij nuk...
Read More