Arian Leka: Zhdukja e Tjetrit nga harta meteorologjike

  

I shkruar në formën e një fakt-fictioni, teksi ndërthur përvojat personale të autorit me kujtimet kolektive, me sloganet dhe hartat e vjetra alegorike të fillimit të shekullit XX.

Skaje litari mbi humnerën e fqinjësisë  

Shkak për të shkruar këtë tekst u bënë dy rrethana. Një hartë alegorike me shënimin Europa 1917, pra plot 100 vjet më parë, ku një njeri duket sikur po del dhe po e lëshon territorin mbi të cilin shkruhet ALBANIA. Hollësia e dytë lidhet me një mike të largët, e cila disa vjet më parë, me një anglishte si prej sitcom–it Friends, i cili filloi të shfaqej në Amerikë një vit para përfundimit të luftës në Bosnjë, më tha diçka që nuk munda ta harroj: – Unë nuk ndihem serbe, tha ajo. Unë ndihem jugosllave. Kupton, my friend? Edhe pse Jugosllavia nuk ekziston më në asnjë hartë, unë jugosllave jam, vazhdoi ajo dhe, duke më vështruar në sy, shtoi: – E di ti se cila është fjala më e bukur në jugosllavisht? Jo? Ja ku po ta them! Dui-ššoo! Kjo është fjala më e bukur jugosllave, edhe pse jugosllavishtja nuk mësohet më në asnjë shkollë. Duu–šš–oo! Të gjithë kombet që dolën pas shpërbërjes së Federatës e përdorin ende fjalën dušo! Kjo na mban të bashkuar, edhe pse nuk jemi më bashkë. E kupton rëndësinë e kësaj fjale? Jo? Have a nice flight, Dušo!, më tha dhe, teksa largohej duke përshëndetur me dorë, ajo më pyeti krejt befas: – Mos e keni edhe ju në shqip fjalën Dušo? Jo?! Sa keq! Po a jetohet pa dušo, prijatelju moj, my Albanian friend?!

Ishin fjalët e fundit që dëgjova prej poetes serbe, me të cilën kisha qenë në të njëjtin festival poetik. Me të hyrë në dhomën e hotelit fillova të kërkoj në Google se  ç’kuptim mund të kishte fjala dušo që, sipas mikes sime, i mbante ende bashkë kombet e ndarë të ish–Jugosllavisë. Kisha shkruar vetëm Duš.., kur Google sugjeroi: Do you mean Dušan? Stefan Dušan the Mighty?

Jo! Nuk po kërkoja Stefan Dušan–Ngadhënjyesin, nën sundimin e të cilit Serbia njohu kulmin e zgjerimit territorial, politik e kulturor. Kisha lexuar se ndërroi jetë në Devollin shqiptar, si pasardhës i Stefan Dečanski–t, emri i të cilit shfaqet sa herë që përmendet Manastiri i Deçanit në Kosovë. Po kërkoja kuptimin e një fjale të vetme: Dušo. Shkrova sërish Duš…, kur Google sugjeroi versionin e dytë: Do you mean Dušman? Lexova shpjegimin në monitor. Düşmen. Huazim prej turqishtes otomane.  Përveç se si toponim – në formën Dushman – atë fjalë aspak të panjohur për mua, e kisha ndeshur nga Theodor Ippen i cili,  siç saktësova në kthim, në numrin 12, viti 1928 i revistës “Dituria” të Lumo Skëndos, kishte botuar artikullin “Shqipërija e ndarë në zotëní regjionale”, ku përmendej edhe “Luk Dushmani, zotëni i Pultit”.

Vite më pas, te “Hylli i Dritës”, Nr. 1, viti 1936, në shkrimin “Në shka fajíset Skânderbegu?”, P. Marin Sirdani përmendte edhe Lekë Dushmanin, princin e Zadrimës i cili, “bashkë me princa tjerë toskë e gegë”, iu bashkua Lidhjes së Princave Shqiptarë, ku “Skënderbeu u zgjodh një zani kryetar i saj e kryegjeneral i ushtrisë së federatës”. Vijimi i artikullit paraqiste edhe një dushman tjetër, me emrin Gjergj, që ndryshe  nga i pari, “mbajti anën e Venedikut”.

Por nuk mbaronte me aq. Dushmanët kishin zënë vend mirë në kulturën shqiptare, duke filluar që nga Eposi i Kreshnikëve, ku këndohej se “n’Bjeshkë të Nalta dushmani â dalë/n’medis t’udhës kamkryq–o ish nalë” e deri te Lahuta e Malsisë, ku lëvdoheshin djelmt shqiptarë, që kishin qenë “ma t’parët n’fushë t’mejdanit” dhe “ma të rreptë n’ballë t’dushmanit”.

Veçse “dushmanët tanë” paskëshin qenë jo vetëm të jataganit, por edhe njerëz si ipeshkvi i Pultit, Pal Dushmani që, pavarësisht se për Papatin quhej Paolo Dusso/Dusmanus e për serbët Pavle Dušman, kishte qenë edhe autor kronikash e biografish dhe besohej se ndikoi në pajtimin mes Skënderbeut dhe Lekë Dukagjinit.

Por fjala dušman nuk gjendej vetëm në një gjuhë e në një kulturë. Ajo i kishte bërë ballë aksioneve puritane që mëtuan spastrimin e gjuhëve ballkanike nga çdo gjurmë dhe prani e të huajve. Fjala dušman ishte treguar aq këmbëngulëse sa, jo vetëm që nuk u zhduk, por kishte ruajtur kudo të njëjtin kuptim.

Dushman kishte të njëjtën domethënie si për shqiptarët ashtu edhe për serbët, malazezët, maqedonasit, kroatët e boshnjakët. Edhepse kishin më shumë se sa një shekull pavarësi prej Turqisë, fjala turke dushman vazhdonte t’i mbante sërish bashkë ballkanasit kandidatë për në Bashkimin Europian, si për t’u kujtuar atyre rrënjët e armiqësisë.

Më kumbuan në vesh fjalët e mikes sime serbe, që më pyeti se mos kishim ndonjë Dušo të fshehur edhe në shqip? Kërkova në YouTube, derisa dëgjova zërin e një shkodrani, që këndonte: Shyqyr Dush–o’ që t’kam kojshie / Kur t’mërzitem, o vij e rrije. Dy skaje litari, ndehur mbi humnerën e fqinjësisë: Dušo – Shpirt; Dušman – Armik.

Shpikësit e hedonizmit dhe placenta e armiqësisë

Kur udhëton nëpër Ballkan duhet të jesh i përgatitur për çdo ndodhi. Në këto vise, njerëz më të zotë se unë, nuk kanë arritur të parashikojnë fillimin e luftërave botërore dhe jo më  shpërthimin e ndonjë stuhie, siç desha të bëj unë, duke dashur të kuptoj motin nga aq pak qiell që shfaqej në kornizën e dritares. Por orët e fundit të pritjes përmbajnë ankth dhe mendime që nuk ndjellin mirë. Po sikur, për shkak të reshjeve të dendura, të anullohen fluturimet?

Me këto dyshime në kokë, mora telekomandën dhe fillova të kërkoj ndonjë stacion televiziv, ku shfaqej rubrika e parashikimit të motit. Nuk kisha nevojë të njihja gjuhën. Nuk më duhej as dušo dhe as düşmen. Mjaftonin rrathët e fronteve atmosferike, thua se nuk bëhej fjalë për klimën, por për fronte luftimi. No 1 në telekomandë: BHT 1–Sarajevo. No. 2: Vojvodina–ВЕСТИ Novi Sad. Më pas Ljubjana. Podgorica. Para syve të mi kaluan emisione porno me shenjën +18, rubrika me produkte bio, tepër të kushtueshme për banorët e rajonit më të varfër europian, debat politik, orë e bizhuteri qe shiteshin online dhe rubrika gatimi pa qepë dhe hudhra, që i lejonin njerëzit të puthen, pa drojën e duhmës kutërbuese ballkanase. Gjithçka, po jo emision që prita.

Veçse atëherë kur nuk pritej, në ekran u shfaq një valle e kënduar, motivin e së cilës e kisha dëgjuar teksa udhëtoja nga Shkodra drejt Malit të Zi. .“Ajde Jano, ‘ajde dušo, kolo da igramo. Ajde Jano, ‘ajde dušo, kolo da igramo! Ajde Jano, ‘ajde dušo, konja da prodamo! ‘Ajde Jano, ‘ajde dušo, kuću da prodamo! Da prodamo, Jano dušo, samo da igramo!” 

Ishte një 7/8, i qetë, ritëm ndërballkanik i cili, që kur ballkanasit filluan të luftojnë nën ritme marciale, kishte mbetur pa përkatësi etnike. Koha e këngëve, kur njerëzit rrëmbenin jo armën, por sharrën, për të sharruar selvinë, e cila e pengonte të dashuruarin të shihte fqinjën e bukur, kishte mbetur larg. Askush nuk çmendej më për dashurinë, siç këndohej me polifoni në Jugun shqiptar: “Do marr sharrën / Do sharroj selvinë / Thëllënxë, moj / Gush e bardhë, moj / Pse s’mëflet o me goj’. / Do sharroj selvinë, moj / Ty të t’bej sehirë/ Kur mbledh trëndafilë, moj /  O, për dashurinë.”

Në mbyllje të këngës dashnorët serbë nuk e shesin kalin, nuk shesin as shtëpinë për pak më shumë gëzim. As dashnori shqiptar nuk e mori kurrë sharrën për ta prerë selvinë, që e pengoi ta shihte fqinjën e bukur të shtëpisë përtej. Nga shpikës të hedonizmit dhe të komedisë, ballkanasit ishin bërë placentë ushqyese për armiqësinë.

Kur kishte filluar kjo armiqësi mes fqinjëve në Ballkan? Gazetat, ekranet dhe politikanët përmendin qindravjeçarë luftërash dhe shekuj urrejtjeje. Bëhej e besueshme se ato luftra ishin filluar në kohërat parahistorike, përderisa fqinjët ballkanikë, “n’mëni t’sho’shoqit kemi le / kemë ndërmjet nji qiellë e’i dhe!”, siç mësojnë në shkollat shqiptare. Prej këtej krijohej përshtypja sikur dikush mezi ç’pret t’i japë kuptime shoviniste rastit të Marko Kraljević–it, (heroi kulturor që, për llogari të Sulltanit, me ndihmën e Zanës dhe me thikën e fshehur në brez, vrau Gjeto Basho Mujin – shqiptarin me tri zemra a me tre gjarpërinj në gjoks), siç e gjejmë në eposin e Vuk Stefanović Karadžić–it, në të cilin ndodhet edhe vargu pendestar: “Zot i mëshirshëm! Paskam vrarë një më të mirë se vetja”.

Sa herë që dëgjon fjalimet apo një lajm mbi martesat ndëretnike në Ballkan, të duket se dikush do të të kujtojë patjetër të shoqen e Mark Kralević–it, e cila i ankohet të shoqit se nuk i kishte sjellë “ndoj shqyptar të ri gjallë me ma kishe pru / e dadicë na fëmive do t’ja bajshim.”

Një shtet klimatikisht i varur, mbetur pa klimë dhe i papërfaqësuar në hartë

Këto po sillja ndërmend, duke pritur parashikimin e motit që, si për ta shtuar pezullinë, nuk shfaqej në asnjë ekran. Por në agim, stacioni që po transmetonte Ajde Jano, filloi lajmet dhe fill pas lajmeve, RTRS TV–Televizija Republike Srpske, shfaqi siglën e rubrikës së shumëpritur.

Një burrë mbi të pesëdhjetat, që e mbushi ekranin me trup, filloi të shpjegonte tabelat sinoptike të motit mbi Ballkan. Kishte pamjen e pakënaqur të atyre që jeta i detyron të ndërrojnë profesionin në moshë të shkuar. Çfarë pune mund të kishte bërë më herët njeriu me uniformën  e zymtë të parashikuesit të motit?

Me gjithë lodhjen e lexueshme në fytyrë, ai shfaqej aq fuqiplotë, sa dukej sikur kishte nën kontroll jo vetëm territorin, por edhe zonat operative të presioneve atmosferike. Diçka e pabesueshme m’u duk se ndodhi atë çast në ekran dhe para syve të mi. Rrymat ajrore që kishin mbuluar hapësirën e Ballkanit i zhdukën kufitë. Retë dhe reshjet e shiut dukej sikur po rithemelonin Federatën Meteorologjike e ish–Jugosllavisë. Shtetet e ndara me luftë nga harta federative, duket sikur i bindeshin thuprës së njeriut që ndiqte veprimet e masave ajrore njëlloj siç një ushtarak ndjek lëvizjet e ushtrisë mbi hartat topografike. Prej aty, parashikuesi i motit dukej sikur urdhëronte mësymjen e armatës së reve, shpërthimin e stuhisë apo kundësulmin e repartit të shirave të rrëmbyer mbi rajonin e trazuar të Ballkanit.

Si mbaroi punë me vranësirat, ai filloi leximin e temperaturave. Beogradi 7  gradë celsius. Podgorica 10. Shkupi 8. Athina 13. Sofia 12. Bukureshti 11. Ankaraja 20 gradë. Budapesti 9. Pas kësaj leximi, parashikuesi i motit përshëndeti me kokë dhe e mbylli me Hvala… i laku noć! Kaq. Prishtina ishte zhdukur sa hap e mbyll sytë nga harta e motit të televizionit serb.

Për shkak të mosnjohjes formale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, e merrja me mend pse Prishtina u zhduk nga harta e reshjeve të rajonit tonë. Përderisa emisioni transmetohej në një ekran me financim shtetëror, edhe sporti edhe moti bëheshin pjesë e politikës dhe e klimës që prodhon ajo. Kosova ishte dhe duhet të mbetej Serbi jo vetëm në edicionet politike, por edhe për parashikimin e motit. Kosova nuk mund të ishte as klimatikisht një shtet i pavarur. Ajo duket të mbetej me të njëjtin status: krahinë autonome, në hartën e reshjeve të Serbisë. Fundja pse duhet të ndaheshin në qiell ata që kishin qenë dhe do të jenë përjetësisht bashkë në Tokën e Shenjtë, siç shpallej nga militantët në sheshet e mitingjeve elektorale dhe nga tifozët e të dy palëve në  shkallët e stadiumeve?!

Duke parë se si një shtet i pavarur u zhduk aq lehtësisht nga harta meteorologjike, fillova të kërkoj të njëjtën rubrikë edhe në stacionet e tjerë. Ljubjana. Zabgebi. Beogradi. Sarajevo. Shkupi. Ato qytete nuk ishin zhdukur. Ato kishin ende vend në hartën e reshjeve.

Por, pikërisht atëherë kur thupra e parashikuesit të motit duhej të ndalej mbi Tiranë, ajo u shmang dhe qëndoi mbi Athinë. Cili do të ishte fati i kryeqytetit shqiptar dhe i një milion banorëve të tij të mbetur pa klimë dhe të papërfaqësuar në hartë? Do të futeshin ata nën mëngën e errët të xhaketës së parashikuesit të motit, si dikur hebrejtë në kampe, si emigrantët afrikanë sot në Europë, për t’u zhdukur fillimisht nga harta e motit dhe më pas edhe nga harta antropogjeografike e racave dhe popujve?

Tani po, tani mund të shijoje një hartë pa shqiptarë, të pastër dhe të spastruar mirë. Vërtet që sot askush nuk të përjashton dot nga harta politike pa vendime dhe konventa të mëdha, por për të të zhdukur nga harta e parashikimit të motit nuk duhet mund. Çdo folës i zymtë apo çdo folëse e brishtë e ekraneve publike apo kombëtare në Ballkan, mund të  zhdukej nga harta sinoptike e presionit të ulët dhe e presionit të lartë atmosferik.

Shikuesit as që do e vënë re një ndryshim kaq imcak sa zhdukjet nga hartat e reshjeve. Madje ata as që do e besojnë se  është një kanosje, agresion, shantazh apo kërcënim. Shpesh gjithçka fillon nga fakte të vogla, që pakkush i vëren dhe u jep rëndësi në kohën e duhur, të tilla si një atentat djaloshar në Sarajevë apo vrasja e një diplomati gjerman prej një hebreu polak me banim në Paris. Kush e kuptoi që në nëntor të vitit 1938 se pas Kristallnacht rrugët do të mbusheshin jo vetëm me xhama të thyer shitoresh, shtëpish dhe sinagogash, por edhe me qindra të fyer, të poshtëruar, të dhunuar dhe të vrarë dhe se kjo për nazistët do të ishte si një uverturë lirike përballë Holokaustit? Kësisoj askush nuk do t’ua ndjejë mungesën shqiptarëve, serbëve, malazezëve, maqedonasve, boshnjakëve, grekëve apo kroatëve të zhdukur nga harta metereologjike. Fundja çfarë ndodhi? Qesharake ta besosh. Ballkanasit nuk janë më ata të parët, që merrnin gjak në vetull,  që këndonin se t’i hanë mëlçitë gjallë dhe që i ndryshonin kufitë si të ishte gardhi apo lesa e derës së kopshtit. Të jenë ballkanasit aq të squllur e spitullaqë sa të ankohen si zonjusha se dikush kërcënon me zhdukje nga harta e parashikimit të motit për sot, për nesër dhe për ditët në vijim?

Dikush mungon gjthmonë në hartë: Kill that Eagle! – Töte den adler!

Derisa mbërriti ora e nisjes drejt aeroportit, e shtyva kohën duke këqyrur hartat fantazmagorike me shtete dhe qytete të zhdukur, mbi të cilat lexoheshin fjalët: “Kill that Eagle” apo “Töte den adler”. Ishin alegoritë ngjethëse të Paul Hadol, të Fred W. Rose dhe të karikaturistëve të tjerë, ku fuqitë europiane dhe fqinjët ballkanikë personifikohen si arinj, rrëqebuj, majmunë, cerberë dykokësh, qyqe, lakuriqë nate, korba, kukuvajka e oktapodë.

Ky kishte qenë dikur përfytyrimi për tjetrin dhe për fqinjët tanë. Në ekran ishin shfaqur zyrtarë të lartë të shteteve ballkanike që, me buzëqeshje të ngrira dhe zell të shtirur ndaj ofertës europiane, shtrëngonin duart duke përsëritur sloganet për normalizim marrëdhëniesh mes fqinjëve dhe tejkalimin e armiqësimit shekullor.

Por nisur nga fakti i zhdukjes së tjetrit nga meteo–harta, pas kthimit në Tiranë kërkova të di se si trajtoheshin fqinjët në rubrikat shqiptare të parashikimit të motit. A kishte edhe në Shqipëri raste të shovinizmit në formatin metereologjik, ku “tjetri ynë” fshihej nga harta, sikur të kishim të bënim jo me motin, por me strategji të spastrimit etnik? 

Për fat të keq, në ekranet e shumtë kombëtarë të Shqipërisë, ndodhte e njëjta dukuri. Gjithmonë dikush mungonte në hartën e parashikimit të motit. Përsëritej çdo orë, me ngulmin e një përbetimi. Zhdukje. Mospërmendje e emrit. Sidomos e fqinjit problematik.

Teleshikuesit e vendeve të rajonit ballkanik – këta nxënës, që e mësojnë historinë e urrejtjes nga mitingjet elektorale dhe gjeografinë nacionaliste nga rubrika sportive dhe nga parashikimi i motit në ekan – e kishin tanimë armën sekrete për asgjësimin e fqinjit. Procesi zgjat fare pak. Si të gjitha anestezitë. Vetëm disa fraksione të pafajshme kohe kushtuar të shpërfilljes së përditshme të tjetrit–fqinjë do të mjaftonin për të na mëkuar me qumështin e zi të Paul Celan–it. Urrejtjen e marrim çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në kujtim të flokut tënd të artë Margaretë, që u bë i përhimtë, si floku yt, Sulamith.

Ndërmend format e fshehura, por ngulmuese të propagandave, elaborateve me bazë gjenocidiste që, njëlloj si populizmi, militantizmi, autoritarizmi dhe autokracia, janë ringjallur fuqishëm, edhe saje medieve e rrjeteve sociale, në rajonin ballkanik. Kujtoj me këtë rast një fotografi të periudhës së izolimit komunist. Në të shfaqen dy njerëz krejt të panjohur, por të ngjashëm me prindërit tanë, të cilët, për t’u mbrojtur disi nga dielli përvëlues i plazheve me rërë të artë të Adriatikut shqiptar, rrinë strukur jo nën një çadër, por nën hijen e një tabele të llamarintë, që ngjason me formën primitive të një billboard–i. Mbi llamarinë, me shkronja kapitale, pa pikë dhe presje, por me ngjyra kombëtare kuq e zi, ishte shkruar parulla që besohej se do t’i mbronte nga rrezatimi i televizioneve armiqësore të fqinjvëve jo vetëm ata dy njerëz të ngratë, por edhe gjithë të tjerët që u strehuan nën llamarinat e sloganeve mediatike. Edhe sot mund të lexohet i njëjti mesazh: “QËLLIMI I TELEVIZIONIT BORGJEZO–REVIZIONIST ËSHTË TË DEGJENEROJË MASAT!” Çudi si jemi ende gjallë dhe si i mbijetuam rrezatimit mediatik të fqinjëve tanë! Gjithsesi është zor të thuhet se kemi shpëtuar, ne prej tyre dhe ata prej nesh, se jemi shëndoshë e mirë dhe se vatrat e mospranimit të tjetrit janë zhdukur e përtharë, përderisa grupe të tëra paramilitarësh ushqehen përmes sloganeve dhe imazheve të gatshme, sa herë që ulen përballë ekranit, pa mundur të bëjnë dallimin mes realitetit dhe jetës virtuale, propagandës dhe informacionit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Akademia e Biznesit ALBtelecom diplomon brezin e tretë të profesionistëve të rinj

  Kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom, përmes një...
Read More