5 studentët europianë të UET

Erasmus+ është një nga programet më të njohura të shkëmbimit studentor, me një kontribut të madh në formimin dhe pasurimin e karakterit, si dhe në njohjen dhe përqafimin e kulturave të reja. Një program i cili të ofron mundësi të pafundme, me eksperienca të paharrueshme, me miq dhe kujtime që zgjasin një jetë. Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e këtij programi shkëmbimi prej disa vitesh tashmë, duke dërguar çdo vit studentë të tij, në universitetet më me zë të Europës dhe duke pritur njëkohësisht studentë europianë në auditorët e tij. Ky vit i ri akademik sjell në Shqipëri 5 studentë të huaj të cilët kanë vendosur të vijojnë studimet e larta në kuadër të programi Erasmus+, për një semestër në Universitetin Europian të Tiranës. Ata vijnë nga vende të ndryshme, përfaqësojnë kultura të ndryshme dhe secili prej tyre ka një ‘histori’ për të rrëfyer.

Gijis Thissen: Për Shqipërinë më kanë folur mirë studentë të tjerë holandezë
Gijis është student në The Hauge University of Applied Sciences, në degën Studime Europiane me profil Shkencat Politike. Ai tregon se për shkak të natyrës që dega në të cilën ai studion ka, është e detyrueshme për të që të ndjekë një semestër në një universitet jashtë vendit. Gijis tregon se mundësitë për të zgjedhur janë të shumta, por ai vendosi të vijë në Shqipëri për shkak se dëshironte të studionte në një vend në të cilin nuk kishte qenë më parë.
“Kisha dëgjuar për Shqipërinë fjalë shumë pozitive nga njerëz të cilin e kishin vizituar këtë vend por edhe nga studentë të tjerë të cilët kanë disa vite më parë këtu me Erasmus+. Doja të vazhdoja studimet në një vend në të cilin nuk kisha qenë ndonjëherë prandaj e zgjodha”.
Ndërkohë që tregon se Shqipërinë e vizitoi për herë të parë këtë verë.
“Erdha në Shqipëri gjatë verës sepse dëshiroja të shihja vendin. Ndenja në Tiranë për tre ditë, pastaj shkova në plazh. Është një vend shumë i bukur, me njerëz shumë miqësor. Jeta këtu është shumë e gjallë, ndërkohë që në qytetin tim përditshmëria është pak më e zymtë”, thotë ai.
The Hague University of Applied Sciences është një ndër universitetet më të mira në Holandë ndaj lind natyrshëm pyetja nëse Gijis ndihet komfort në një universitet të ri.
“Përshtypja e parë për Universitetin Europian të Tiranës është shumë pozitive. Diferenca më e madhe qëndron te hapësira e kampusit, për shkak se THUAS është një universitet më i madh në krahasim me UET, por deri më tani nuk shoh shumë diferenca. Pres me padurim të mësoj më tepër për kulturën e vendit, të njoh shumë njerëz, të udhëtoj dhe sigurisht të përfitoj nga shkolla”, përfundon Gijis.

Heridis Zeka: Erasmus+, një mundësi për t’u kthyer në “shtëpi”
Heredis ka lindur në Shqipëri por jeton në Spanjë prej 14 vitesh tashmë. Ai është student në Universitetin e Almerisë, në degën Administrim dhe Drejtim Biznesi. Heridis tregon se ka aplikuar për të ndjekur një semestër Erasmus në Shqipëri për shkak se kishte shumë dëshirë të rikthehej në atdhe.
“Kam lindur në Shqipëri, por kam 14 vite që jetoj në Spanjë. Atje studioj në Universitetin e Almerisë për degën Administrim dhe Drejtim Biznesi. Nuk e mendova dy herë aplikimin për një semestër Erasmus në Shqipëri, pasi kisha shumë dëshirë të rikthehesha në Shqipëri”, tregon ai, me një shqipe të pastër, ndonëse shumë vite larg vendit.
Heridis shprehet se është mjaft komod në Tiranë dhe se mikpritja në UET e ka bërë të ndihet si në shtëpi.
“Tirana si qytet më pëlqen shumë dhe ndihem mjaft komod këtu. Ndërsa ajo çfarë më ka bërë më tepër përshtypje në UET është mikpritja. Është një mjedis mjaft i ngrohtë dhe shoqëror dhe shpresoj që edhe semestri që do të kaloj këtu të jetë po kaq i këndshëm sa përshtypjet e para”.

Veronica Murialdo: Zgjodha të studioj në Shqipëri për shkak të industrisë së turizmit që po lulëzon dita-ditës
Veronica Murialdo, vjen nga Universiteti i Bolonjës, për degën “International Tourism and Leisure Industries”. Ajo vjen në Shqipëri për të bërë një kërkim shkencor.
“Kam qenë në Shqipëri pesë vjet më parë. Më pëlqen shumë si vend, atmosfera këtu, kultura dhe tradita e këtij vendi. Ndaj vendosa të vij këtu dhe të studioj në Universitetin Europian të Tiranës, për të bërë një kërkim shkencor të fokusuar në turizëm, meqenëse këtu është një sektor që po ‘lulëzon’ çdo ditë e më shumë”, tregon Veronica në lidhje me arsyet që e kanë shtyrë të zgjedhë Shqipërinë.
Kërkimi i saj është i fokusuar brigjet shqiptare dhe zonat e mbrojtura, nën udhëheqjen e prof. dr. Adrian Civici. Ndërkohë që përshtypjet e saj të para për UET dhe Tiranën janë shumë pozitive.
“UET është një universitet shumë i organizuar. Na ka ndjekur hap pas hapi që në fillim dhe është kujdesur për çdo gjë. Ndërkaq Tirana është një qytet shumë i sigurt, me gjallëri dhe me një frymë rinore dhe energjike. Këto ditë kam parë përreth. Kam shkuar dhe në muze dhe në përgjithësi më pëlqen si vend”, thotë Veronica.

Claudia Smakaj: Zgjodha të studioj në Shqipëri sepse dua të mësoj shqip
Claudia Smakaj ka lindur në Itali, por origjinën e ka shqiptare. Ka qenë pikërisht ky motivi kryesor që e ka nxitur të aplikojë për të realizuar një semestër në Universitetin Europian të Tiranës.
“Unë kam lindur në Itali. Shkollën e kam ndjekur tërësisht atje, ndërkohë që aktualisht jam studente në Universitetin e Bolonjës, në degën Shkenca Politike dhe Diplomatike. Zgjodha të vij në Shqipëri pasi prindërit i kam shqiptar dhe kam shumë dëshirë të mësoj më mirë gjuhën shqipe”, tregon ajo.
Claudia thotë se vjen shpesh në Shqipëri për të takuar të afërmit e saj, por dëshirën e kishte që të provonte dhe eksperiencën akademike këtu.
“Për Universitetin Europian të Tiranës kam opinion shumë të mirë. Duket një universitet shumë profesional. Mendova se do të gjeja shumë ndryshime me universitetin ku studioj në Itali, por nuk shoh aq diferencë. Pres me padurim të përmirësoj shqipen, të krijoj shoqëri të re shqiptare si dhe të eksploroj sa më shumë vendin”, thotë Claudia.


Kevin Koppel: Zgjodha Shqipërinë sepse dua të njoh një vend ndryshe

Kevin Koppel vjen nga Estonia, nga Tallinn University of Technology dhe do të vijojë studimet e tij të larta në Universitetin Europian të Tiranës, në vitin e dytë të ciklit Bachelor. Ai thotë se zgjodhi të studiojë në Shqipëri pasi ishte në kërkim të një eksperience të re, në një vend të ri.
“Zgjodha të studioj në Shqipëri për shkak se kisha dëshirë të shkoja në një vend të ri të cilin nuk e kisha parë më herët. Vendet e tjera të Europës janë pak a shumë të ngjashme në kulturë, ndaj dhe unë doja të vija në një vend që më ofron diçka ndryshe, kulturë ndryshe, njerëz ndryshe…”.
Për sa i përket përshtypjes së tij të parë në këto pak ditë që ka këtu në Shqipëri, thotë se mbresat janë mjaft pozitive.
“Këtu në Shqipëri nuk janë mësuar të shohin shpesh njerëz me tipare të çelëta si unë dhe shpesh më shohin me kureshtje, por nuk kam patur eksperienca të këqija. Gjithashtu, edhe qyteti duket shumë i këndshëm. Ka mjaft vende për të vizituar dhe më duket një mundësi shumë interesante për të mësuar gjëra të reja”, thotë Kevin.
Ai tregon se nga kjo eksperiencë pret të mësojë shumë.
“Shpresoj që nga kjo eksperiencë të mësoj sa më shumë. Jo vetëm rreth një kulture të re, por edhe të krijoj pavarësinë time. Do kisha dëshirë të mësoja edhe shqip, por më duket një gjuhë disi e vështirë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Flet mjekja: Dëmtimi i syve nga diabeti; kontrollet e para, si zbulohet

Retinopatia Diabetike është shkaku më i shpeshtë i humbjes së shikimit në...
Read More