50-vjetori i “Majit francez” dhe ‘68-a shqiptare!

Viti 1968, për nga intensiteti i zhvillimit të ngjarjeve, simbolizon gjithë Lëvizjen botërore të studentëve dhe punëtorëve që kishte filluar para atij viti dhe që në forma të ndryshme ka vazhduar deri nga fundi i viteve ’70

Nga Albert P. Nikolla

Lëvizja studentore e vitit 1968 në shumë vende të botës mund të konsiderohet si fenomeni i parë i “globalizmit” politik e kulturor i cili pati një impakt të jashtëzakonshëm në të bërit politikë në dhjetëvjeçarët që vijuan. Kur flitet për Lëvizjen e ‘68-s, opinioni publik e lidh atë ngjarje me “Majin francez” në Paris dhe në gjithë Francën. Por, në fakt “Maji francez” ka shpërthyer mjaft kohë pas tubimeve të mëdha që tashmë kishin tronditur shumë shtete të tjera, si SHBA-në, Meksikën, Brazilin, Italinë e Gjermaninë.

Viti 1968, për nga intensiteti i zhvillimit të ngjarjeve, simbolizon gjithë Lëvizjen botërore të studentëve dhe punëtorëve që kishte filluar para atij viti dhe që në forma të ndryshme ka vazhduar deri nga fundi i viteve ’70. Pra viti 1968 nuk i përmbledh dot të gjitha dinamikat politike e kulturore të kësaj lëvizjeje që vetëm simbolikisht quhen: Lëvizja e ‘68-s. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Majin francez”, i cili ka simbolikë të jashtëzakonshme, por nuk përmbledh shkaqet dhe pasojat e kësaj lëvizjeje në Francë. Ajo çka e bën të veçantë “Majin francez” është ndoshta intensiteti i zhvillimit të ngjarjeve dhe radikalizimi politik i lëvizjes.

Simbolikisht “Maji francez” fillon më datë 2 maj 1968 me një tubim të madh antiimperialist kundër ndërhyrjes amerikane në Vietnam, tubim që, pasi kishte filluar në Universitetin e Nanterres, përhapet edhe në Universitetin e Sorbonës. Aty fillon dhe masivizimi i kësaj lëvizjeje, e cila në vetëm pak ditë u përhap në gjithë Francën. Hopi cilësor i lëvizjes shënohet me përqafimin e lëvizjes dhe qëllimeve të saj nga shumë intelektualë në zë të Francës. Më 2 dhe 3 maj arrestohen shumë studentë dhe më 6 maj organizohet një tjetër tubim në shenjë solidarizimi me studentët e arrestuar. Por, në vend që të arrestuarit të lirohen, bëhen dhe 400 arrestime të tjera dhe kjo situatë përshkallëzohet edhe më tej në 10 maj, kur gjatë një manifestimi marrin pjesë 50 mijë studentë të universiteteve dhe shkollave të mesme.

Interesant është momenti kur politika “fut hundët” në lëvizjen e “Majit francez”! Ndërkohë që Partia Komuniste Franceze ishte shprehur me përçmim për protestën në fillimet e saj, duke i quajtur studentët “grupime anarkistësh”, grupimet e tri sindikatave franceze shpallin një grevë të përgjithshme në 13 maj, duke paralizuar krejt punën në Francë dhe në tubimin e asaj ditë marrin pjesë 500 mijë njerëz. Po atë ditë, më 13 maj, rihapet edhe Universiteti i Sorbonës që ishte mbyllur me vendim disiplinor të autoriteteve drejtuese. Lëvizja merr karakter të fortë politik më datë 17 maj, kur grevat përhapen nëpër fabrika dhe lëvizja punëtore kërkon të përfitojë politikisht nga lëvizja studentore. Është data 24 maj që shënon edhe thyerjen e parë të solidaritetit midis studentëve dhe punëtorëve. Edhe qeveria franceze e kishte një interes që të mos kishte solidaritet midis studentëve e punëtorëve, e për këtë qëllim shpalli një marrëveshje tinëzare me punëtorët, duke bërë disa lëshime në çështjen e pagave dhe orëve të punës.

Qeveria franceze arrin të krijojë përplasje e keqkuptime midis studentëve, sindikatave dhe partive të majta, duke u dhënë jetë “Marrëveshjeve të Grenelles”, ku bëhen mjaft lëshime për punëtorët, fakt ky që sjell krisjen midis grupeve mbështetëse të lëvizjes.

Ndërkohë, më 30 maj, Presidenti de Gol (De Gaulle) shpall shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhjet e parakohshme politike në 23 qershor, ku ai fiton shumicën absolute! Partitë e djathta e kanë zhvlerësuar shpesh ‘68-n franceze. Edhe ish-presidenti francez N. Sarkozy kishte shprehur kundërshti e përçmim mbi çdo arritje të kësaj lëvizjeje. Si reagim ndaj këtij qëndrimi kundrejt lëvizjes, filozofi francez André Glucksmann ka shkruar një libër me natyrë divulgative: “Mai 68 expliquè à Nicolas Sarkozy” (Maji i ‘68-s shpjeguar Nikolas Sarkozy-së).

Lëvizja e ‘68-s ishte përhapur në shumë vende të botës, por kryesisht në SHBA, në Amerikën Latine dhe në Europë. Dy ishin elementet kryesore përbashkuese të lëvizjes në nivel ndërkombëtar: mbështetja për Vietnamin kundër SHBA-së dhe interesi i madh i studentëve dhe i punëtorëve për Revolucionin Kulturor Kinez. Veç këtyre elementeve, kishte edhe dukuri të tjera që e shtonin pasionin për lëvizjen, siç ishte veprimtaria antiraciste e partisë Pantera e Zezë në SHBA. Ishte risi përfshirja masive e “proletariatit me ngjyrë” në luftën mbarë botërore të ‘68-s.

Ngjarja më dramatike e Lëvizjes së ‘68-s në nivel ndërkombëtar është shënuar në Meksikë: më 2 nëntor, në sheshin “Tre kulturat” në kryeqytetin e Meksikës u vranë 300 studentë e demonstrues. Jehona e kësaj ngjarjeje ishte e madhe për vetë natyrën tragjike të ngjarjes, por edhe për faktin se ndodhi ndërkohë që në Meksikë zhvilloheshin lojërat olimpike botërore. Emblematike është edhe plagosja e shkrimtares italiane Oriana Fallaci që ndodhej atje si reportere e tyre ngjarjeve.

Në Europë përhapja më e madhe e lëvizjes ka qenë në vendet e Europës Perëndimore, ndërkohë që në vendet komuniste lindore shtrirja ka qenë me intensitet më të ulët dhe ka pasur domethënie të vërtetë në Çekosllovaki, Poloni dhe Republikën Demokratike Gjermane. Kishte ndryshime të mëdha midis lëvizjes së ‘68-s në vendet perëndimore dhe lindore. Ndërkohë që në Europën perëndimore e demokratike studentët kërkonin më shumë liri fjale, më pak burokraci, më shumë liri në shumë sfera të jetës studentore dhe profesionale, në vendet komuniste lëvizja e ‘68-s kërkonte pluralizëm demokratik dhe liri e të drejta themelore të njeriut. Shembulli më kuptimplotë i ‘68-s në vendet komuniste është pranvera e vitit 1968 në Pragë. Emblematike mbeten debatet publike midis intelektualëve që do të kishin mjaft peshë edhe më vonë në skenën politike kulturore të Çekosllovakisë. Sipas Milan Kunderës, ‘68-a çekosllovake ishte “tentativa serioze për të ndërtuar një socializëm pa pushtetin diabolik të shërbimeve sekrete, me lirinë e fjalës dhe fundin e frikës”. (M. Kundera. Il destino boemo). Në debatin publik me Milan Kunderën, intelektuali i ri asokohe, Vaclav Havel, jep një interpretim interesant të “Pranverës së Pragës”: “Në lëvizjen tonë ka diçka që e tejkalon kundërshtinë e thjeshtë ndaj tankeve sovjetike. Në të njëjtën kohë lëvizja jonë është një referendum popullor jozyrtar mbi të ardhmen e vendit tonë, një referendum mbi ruajtjen e vlerave tona”.

Po në Shqipëri çfarë ndodhte ndërkohë që bota ziente nën frymëzimin e ‘68-s? Më ka ngacmuar përherë ideja të kuptuarit të një ‘68 shqiptare! A ka ekzistuar një e tillë? Nëse po, si është shfaqur, a ka filluar para 1968-s, çfarë qëllimi kishte, a ka pasur një ‘68 të fshehtë, a ishte masakra e meshtarëve katolikë një imitim i shëmtuar i një ‘68-te të frymëzuar nga Revolucioni Kulturor Kinez? Të gjitha këto pyetje më kanë ngacmuar shumë dëshirën për t’u dhënë përgjigje.

Sidoqoftë, më është krijuar një bindje se ka pasur dy ‘68-a shqiptare: një zyrtare të udhëhequr (paradoksalisht!) nga partia në pushtet nën frymëzimin e Revolucionit Kinez dhe një të fshehtë me natyrë disidente. ‘68-a zyrtare do të krijonte përshtypjen në vend dhe në arenën ndërkombëtare se edhe në Shqipëri kjo lëvizje ka pasur një impakt dhe se populli shqiptar mbështet proletariatin botëror në luftën e tij për liri.

Ka pasur dhe një ‘68 të fshehtë, me natyrë disidente të dobët dhe që mbaron tragjikisht me plenumin IV pas festivalit të 11-të të këngës në RTSH. Intelektualët dhe njerëzit që njihnin gjuhët e huaja vërenin se diçka po ndodhte në Europë. Krijohet një përshtypje se një fllad lirie po fryn edhe në Shqipëri. Mjaft dëshmi antropologjike e vërtetojnë diçka të tillë.

Hoxha e kishte kuptuar rrezikun që mund të vinte prej ‘68-s. Në këtë mënyrë ai i parapriu duke krijuar një situatë të ngjashme me atë të Revolucionit Kinez në Shqipëri. Në kulmin e lëvizjes së “Majit francez”, më 24 maj të ‘68-s, E. Hoxha boton një artikull te “Zëri i Popullit”: “Klasa punëtore franceze në luftë për të drejtat e saj”. Është një shkrim mjaft interesant, pasi në të bëhet një vlerësim analitik i asaj lëvizjeje dhe shprehet edhe mbështetja e Shqipërisë për të. Por, me kujdes, autori vëren se sidoqoftë qëllimi i proletariatit francez duhet të jetë vendosja e diktaturës së proletariatit, për rrjedhojë, një lëvizje e tillë në Shqipëri nuk do të kishte kuptim, pasi këtu në fuqi ishte tashmë diktatura e proletariatit!

Ja si shprehet E. Hoxha: “Populli shqiptar, klasa e tij punëtore e përshëndetin dhe e përkrahin me gjithë zemër luftën e drejtë të punonjësve francezë kundër monopoleve dhe pushtetit të tyre shtypës. Shembulli francez do të jetë frymëzues edhe për vendet e tjera kapitaliste perëndimore. Ai shënon fillimin e një ngritjeje të re të lëvizjes punëtore në vendet e mëdha kapitaliste, e cila, në të ardhmen, do të ketë, me siguri, zhvillime të reja edhe më të rëndësishme.”

Fraza e fundit e citimit dëshmon vëmendjen dhe përkujdesjen e diktatorit ndaj zjarrit që përçon “Maji francez”! Ai fillon të përdorë metodën e “kulaçit dhe kërbaçit” në kontekstin e ‘68-s shqiptare. Nga njëra anë bën që të krijohet përshtypja se do të ketë më shumë liri në të gjitha hapësirat e jetës e sidomos në art. Kjo përshtypje keqkuptohet nga mjaft artistë mendjehapur dhe vullnetmirë dhe kulmi i keqkuptimit arrin me vënien në skenë të Festivalit të 11-të në RTSH. Jo vetëm festivali, por edhe shumë dinamika të tjera, sidomos mënyra e veshjes që imitonte modën perëndimore (dinamikë antropologjike mjaft interesante kjo!) përgjatë atyre viteve, krijojnë përshtypjen se hapja është pa kthim. Mjaft intelektualë shqiptarë, mosha e të cilëve i ka kaluar të 70-at, mund të konsiderohen “bij kulturorë” të ‘68-s shqiptare pasi i kanë përjetuar drejtpërdrejt dinamikat dramatike të “kulaçit e kërbaçit” që diktatori vuri në skenë.

Sapo ka parë reagimin e njerëzve nga dehja prej lirisë, diktatori shënon edhe fundin tragjik të ‘68-s shqiptare me një fjalim të vitit 1974:

Këto fuqi të errësirës na akuzojnë. ne, shqiptarët, se vetizolohemi … Ato na këshillojnë ta bëjmë vendin tonë han me dy porta, ku të hyjnë derri e dosa, me brekë e pa brekë e leshrat përmbi supe dhe hipitë të hedhin vallet e tyre për të zëvendësuar vallet e bukura të popullit tonë”.

Fillon kështu një ndër periudhat e izolimit më të madh dhe të paranojës dramatike që do të zgjasë deri në lëvizjen studentore të vitit ’90 që, për mendimin tim, është edhe rishfaqja e vonuar e ‘68-s shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shuhet regjisori Mihallaq Luarasi: I dënuar në diktaturë për dramën e parë, pa perde…

Dje në mbrëmje është ndarë nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi, në moshën...
Read More