51 piktorët e Varvaricës: Kur nuk guxohej përfytyrimi i vërtetë

pikturat1Është një histori e rrallë për ne, që një koleksionist privat i arteve pamore të ndërtojë një hartë mbi këtë pasuri në gjurmë të historisë së pikturës shqiptare por të jetë njëkohësisht edhe filantrop. Kjo lidhet me botimin e albumit  “51 piktorët shqiptare” nga koleksioni Shehaj, me autore, studiuesen Suzana Varvarica Kukaj që përfshin rezistencën estetike të një shekulli

Kur filozofi gjerman, dhe historian i artit, Johann Joachim Winckelmann, propozoi “përpunimin e një modeli estetik përmes studimit të lashtësisë,- mbi të gjitha atij grek, arriti që konsiderohet si “mëshirimi i bukurisë univeresale”, të imitojmë të lashtët, duke përdorur shprehinë tonë dhe, nëpërmjet kësaj, bëhemi të mëdhenj, madje artistë të paimitueshëm”- në Shqipëri ka një stad “politik” në kapërcyell të shekullit XX.

Është një moment paralel që merr në konsideratë studiuesja Suzana Varvarica Kuka kur në vendet evropiane ashtu si popujt ballkanikë ishin përfshirë në luftrat për pavarësi ku shpallja e shtetit si instanca më e lartë e drejtimit ligjor, dhe pavarësisë së tij, që lidhej me respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut për vetëvendosje dhe organizim të shoqërisë së re i dhanë hapësira përhapjes së ideve të reja edhe në art.

Me këtë parantezë nis prezantimi i albumit voluminoz, “51 piktorë shqiptarë”, një libër i financuar plotësisht nga koleksionisti Namik Shehaj, studiuesja Varvarica përball dhe ndan përmes një përzgjedhje zhvillimin e historisë së pikturës me çfarë shënonin fillesat në shkollat e sakta kanonike akademikë evropiane dhe salloneve të elitës artistike deri në epokën e lirisë. Në këto mjedise kundërvënia është fenomeni i grupimeve të artistëve modernë “plëngprishës” të cilët studiuesja e veçon se drejtuan pasqyrimin e imazheve të reja të buruara nga përfytyrime krejt individuale. Në këtë situatë “ata dolën jashtë katër mureve të studiove dhe pikturuan natyrën en plein air, u shkëputën nga standardet ligjëruese të pikturimit kanonik klasik dhe neoklasik, duke pëlqyer pasqyrimin aktiv nga vetë natyra dhe jeta e përditshme”. Në atë kohë në Shqipërinë feudale, vëren Varvarica, ku arti bizantin kishtar ishte lokal dhe i përkiste më shumë atij rural, do të ndikonin zhvillimet evropiane, përmes shfaqjes së rilindësve shqiptare, në grupin e të cilëve bënte pjesë një grup patriotësh me shpirt prej artisti amator. “Me guxim, me disa njohuri fillestare perëndimore mbi trajtesat e artit, arkitekturës, muzikës, kulturës dhe arsimit ata thyen disa parime për të shpallur disa të tjera. Ata filluan të shkëputen nga imazhi pasbizantin i ikonës kishtare, nga artizanati i pikturimit dhe grafikimit të dekoreve floreale e gjeometrike të tipologjisë xhaminiane, nga struktura arkitektonike prej qerpiçi dhe guri, nga veshja lindore dhe nga ajo me karakter tipik popullor e tradicional- qytetar” .

Në ardhje të shekullit të XX, Varvarica ndan grupin e artistëve të parë shqiptare që përfaqësohet nga “Të Gjashtët”, të cilët janë Kolë Indromeno, Mikel Kodheli apo Kel Marubi, Spiro Xega, Andrea Kushi, Simon Rrota dhe Vangjush Mio.  Vetitë estetike e krijimtarisë së këtij grupimi, konsideruar nga rezultatet e kushteve të trashëguara nga figurativja tradicionale dhe e idealizuar nga një kulturë kishtare, i përket shkëputjes së kësaj kulture dhe shfaqjes së figuratives së thjeshtë, jetësore, të çliruar nga rregulli fetar, e mbarsur me naivitete të interpretimit artistik dhe plot amatorizëm figurative, por e vlerësuar si shumë e rëndësishme nga studiuesja Varvarica. Sipas saj, kjo ishte mundësia estetike e kohës në hapësirën shqiptare, kur ishte ende feudale në fillim të shek. XX.

Albumi voluminoz nis kështu me artin në Shqipërinë feudale në kapërcyell të shekullit XX me përfaqësues tashmë të  njohur Kolë Idromeno dhe Vangjush Mio; për të kaluar në piktura, veprimtari që kanë vështrimit drejt perëndimit me tipikët e kësaj periudhe Abdurrahim Buzën, Sadik Kacelin, Nexhmedin Zajmin, Foto Stamon, Artistotel Papën, Guri Madhin, Vladimir Janin Rafail Dembo, etj; vazhdon me tre artistë figurativë të ndryshëm në të njëjtën kohë: rebeli, ekspresivi dhe konceptuali tek Ibrahim Kodra, Lin Delija dhe Lekë Tasi’ vitet ’60-’90, realizmi në art bëhet pjesë e socializmit në politikë duke përzgjedhur rreth 15 autorë si Fatbardha Shkupi, Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Jakup Keraj, Danish Jukniu, Zef Shoshi, Lec Shkreli etj; për ta mbyllur këtë album me seksionin: piktura, përpjekjet, vështirësitë dhe mbijetesa e saj në epokën e lirisë ku janë përzgjedhur rreth 20 artistë si Agim Shami, Alush Shima, Edi Hila, Andrea Nikolla, Avenir Sadikaj, Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Adrian Çene etj…

Përveç një biografie pasqyruese, të plotë, meritë në këtë album, është informacioni që jep studiuesja për çdo autor  në lidhje me gjendjen e punëve, numrit të tyre, dhe në cilat koleksione ruhen të vendosura kryesisht qoftë në koleksione private, e kryesisht në këtë album të koleksionistit Shehaj, por dhe në institucione si Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në Arkivin Qendror të Shtetit si dhe në galeritë nëpër rrethe.

Varvarica prek në autorë specifikë çfarë ndodhi me këtë pasuri pas viteve ’90-të, me ndryshimin e sistemit politik, duke veçuar fenomenin e vjedhjes si rasti i punëve të Vangjush Mios, ku ende nuk dihet fati i mbi 50 pikturave të tij.

Në fund të viteve ’30 të shek XX, edhe pse kohë lufte, dhjetëra artistë shqiptarë vazhduan të edukohen në Perëndim dhe u kthyen në Shqipëri nga viti 1944, për të nisur artin e tyre në Shqipërinë komuniste. Sipas Varvaricës ishte e natyrshme që këta të sillnin një imazh figurativ që buroi nga shkollat e programet akademike duke përcjellë në  Shqipëri një zhvillim të ri të artit pas Luftës së Dytë Botërore duke u shfaqur në artistë si Buza, Zengo, Kolombi, Kaceli, Stamo, Zajmi të cilët edhe pse u edukuan në akademinë e artit italian, athinas e francez iu nënshtruan atmosferës që po kushtëzohej nga politika komuniste, nga buroi dhe metoda e Realizmit Socialist.

Ky është nga momentet më “konfliktuale” ku Varvarica vë në një kapitull më vete, vitet ’60-90, atë që e quan realizëm në art duke u bërë pjesë e socializmit në politikë, ideologji. Piktorët e ardhur nga shkollat akademike iu bashkuan skulptorëve të parë si Paskali, Paço, Koljaka etj dhe shënuan fillesën, hapjen e liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Më të talentuarit e viteve ’55-’60 shteti komunist i mbështeti plotësisht studimet e tyrë në institutet e larta të artit në Bashkimin Sovjetik dhe në ish vendet socialiste në Evropën Lindore. Këta artistë krijuan brezin e tretë të piktorëve dhe skulptorëve, duke qenë kryesisht monumentalistë, duke pasqyruar me figura idiomat politike dhe ideologjike të moralit komunist. “Veprat e artistëve më përfaqësues të metodës së realizmit socialist ndodhen në koleksionin e GKA-së- institucioni kryesor i ekspozimit, ku për gati dhjetëra vite përbëjnë fondin e saj më të gjerë e më të rëndësishëm. Nëse vepra të tilla janë dëshmi e asaj kohe, e cila sot gjendet plotësisht e izoluar dhe me një mission të përfunduar, kjo nuk do të thotë se artistët e Realizmit Socialist nuk realizuan dhe një krijimtari të dytë, e cila thjeshtësisht u përket gjinive të vogla, ku metoda nuk ushtron plotfuqishmërinë e saj dhunuese dhe gjithëpërfshirëse mbi imazhin e tyre”. Në këtë kontekst Varvarica shton se ky artist ishte si në shërbim të ideologjisë ashtu dhe në shërbim të kërkimit profesional, ku përpjekjet shkonin për të formuar “Njeriun e Ri”. Duket aktual debati, duke marrë një përgjigje mbi këtë rast: “Arti u vu në shërbim të këtij krijimi absurd; artistët –me hir apo pahir- i shërbyen kohës, duke u bërë kështu mbështetës të ideologjisë dhe të udhëheqësve politikë”.  Ndonëse në këtë grupim Varvarica ka qenë selektuese për këtë periudhë, shumica e pikturave janë krijime të pas ’90-s, si për të dëshmuar se këta i bënë rezistencë realizmit socialist, duke rishfaqur individualitetin e tyre në kushte lirie. Faza tjetër, ku ndan përpjekjet, dhe mbijetesën në epokën e lirisë. “Veprat e artit të kryera në periudhën e Realizmit Socialist e që gjendeshin në studiot e artistëve u shitën me një çmim qesharak nga vetë artistët…Kjo tregon se sa shumë e urrenin artin e tyre të diktaturës dhe se sa shumë i trembeshin imazhit të krijuar në diktaturë. A thua u është dikur sikur kanë bërë ndonjë faj, një turp, një krim?! Konsiderata e të huajve, se “arti që ekspozoni në Galeri është kultura juaj figurative origjinale”, bëri që vlerësimi mbi krijimin e asaj kohe të quhej vlerë në histori dhe ta rriste arsyetimin mbi mënyrat e studimeve rreth shkaqeve të lindjes së këtij arti, rreth rezultateve që ka rritur, temave, subjekteve…dhe përcaktimi final se ajo krijimtari është e një kohe të shkuar, e mbyllur, krijimtari e propagandës së diktatorit dhe mbështetësve të tij…”

…Dhe ja mrekullia ndodhi. Komunizmi ra – citohet Kadare. Historia e këtyre 26 viteve nuk krijoi tjetër atmosferë veç iluzionit të lirisë, mbi mundësitë estetike. Ky album me “51 piktorë shqiptarë”, ka këtë habi.  Përgatiti: V.Murati

Shkruar Nga
More from revista mapo

Grabitja “perfekte”: Shembin murin e bankës, marrin 21 milionë lekë

Ngjarja u zbulua kur punonjësit e bankës së nivelit të dytë u...
Read More