6 muaj Dietë Mesdhetare rrit shanset për shtatzëni

Dieta Mesdhetare është shumë efikase, avantazhi i saj qëndron në cilësinë e yndyrave dhe në përbërjen e saj më të ekuilibruar në minerale.

Gratë që ndjekin një dietë mesdhetare në gjashtë muajt para trajtimit të fekondimit të ndihmuar, kanë një shans shumë më të madh të lindjes së një fëmije sesa femrat që nuk e ndjekin atë. Një studim i publikuar në “Human Reproduction”, një revistë mjekësore kushtuar temave të shëndetit riprodhues, ka zbuluar që gratë të cilat konsumonin më së shumti perime të freskëta, fruta, drithëra integrale, bishtajore, peshq dhe vaj ulliri; teksa konsumonin më pak mish të kuq, kishin 65-68% më shumë probabilitet për sukses në konceptimin e një shtatzënie. Studiuesit e universitetit “Harokopio” në Athinë, kanë mbajtur nën mbikëqyrje 244 gra, të moshës 22 deri në 41 vjeç, përmes një ankete e cila listonte ushqimet që konsumonin më shumë para trajtimit për fekondimin in vitro.

Studimi

Përmes anketës iu shtrohet pyetja se sa shpesh konsumonin këtë grup ushqimesh, duke i shënuar si ushqime të listës së Dietës Mesdhetare, me një sistem pikëzimi nga 0 deri në 55, në të cilën rezultatet më të larta treguan respektim më të madh të Dietës Mesdhetare. Krahasuar me 86 femra në grupin më të lartë të rezultateve, 79 femrat në grupin më të ulët të rezultateve kishin nivele të ulëta të shtatzënisë (29% kundrejt 50%) dhe lindjeve të gjalla (26.6% kundrejt 48.8%). Nëse ato ishin nën 35 vjeç, kishte përmirësim në pesë pikë në rezultatin e Dietës Mesdhetare duke lidhur kështu me një shans të përafërsisht 2.7-fish më shumë për të patur një fëmijë. Ndërkohë që moshë më e madhe, dieta ka ndikim pak më të ulët, kjo edhe për shkak se ndryshimet e tjera hormonale mund të maskojnë ndikimet e faktorëve të mjedisit, siç është dieta. Studiuesit evidentojnë edhe një herë se stili i jetës dhe ushqyerja e shëndetshme është e rëndësishme si për burrat ashtu edhe për gratë. Edhe më parë janë zhvilluar studime të rëndësishme në këtë fushë, ky grup studiuesish ka evidentuar në një studim të mëparshëm se meshkujt të cilët konsumonin ushqime të Dietës Mesdhetare kontribuon në përmirësimin e cilësisë së spermës.

 Dieta

Dieta Mesdhetare rezulton më e shëndetshme se Dieta Vegjetariane. Studimet që kanë krahasuar impaktin e të dy dietave në parametrat metabolikë dhe fiziologjikë të dy popullatave nën testim, kanë treguar se, për sa i përket rënies në peshë dhe rrezikut arterosklerotik, dieta mesdhetare ishte më efikase. Avantazhi i saj qëndron në cilësinë e yndyrave dhe në përbërjen e saj më të ekuilibruar në minerale.

Sëmundjet

Dieta Mesdhetare parandalon edhe një sërë sëmundjesh. Kështu kjo dietë forcon shëndetin e zemrës. Studimet kanë treguar se përmbajtja e lartë e dietës mesdhetare në yndyra esenciale dhe në vaj ulliri, të kombinuara me fitokimikatet e frutave, perimeve, fasuleve dhe drithërave të papërpunuar, ul kolesterolin e keq, rrit kolestorolin e mirë dhe ul inflamacionin që vë në rrezik arteriet.

Sëmundjet

Dieta mesdhetare mbron nga kanceri. Një nder shkaqet e zhvillimit të veprimtarisë kancerogjene në organizëm është inflamacioni i heshtur, i cili zhvillohet si pasojë e kequshqyerjes, ndotjes ambientale që depërton edhe në ushqim, faktorit stres etj. Ushqimet që përbejnë dietën mesdhetare ofrojnë fitokimikate si polifenolet (kryesisht vaji i ullirit dhe vera e kuqe), të cilat ndërveprojnë me qelizat e dëmtuara duke i bërë ato të jenë më të afta në veteliminim, si dhe nëpërmjet një sërë mekanizmash të tjerë, arrijnë të ruajnë integritetin e qelizave të shëndosha dhe të mbrojnë ADN-në nga dëmtimet fatale. Dieta Mesdhetare parandalon mbipeshën dhe diabetin. Inflamacioni i kombinuar me mbipeshën janë gjithashtu ndër shkaqet e shfaqjes së diabetit të tipit 2. Dieta Mesdhetare është ndër dietat më të dobishme në rrëzimin e shëndetshëm të mbipeshës dhe në ruajtjen e një peshë trupore optimale. Përbërja e veçantë në acide lyrore parandalon shtimin e dhjamit sidomos në zonën qendrore (rreth barkut). Ndërsa përmbajtja e lartë në fibra bimore përbën një ndër armët më të mira në kontrollin e sheqerit në gjak.

 

Dieta Mesdhetare përmban:

Çdo ditë fruta (sidomos rrush dhe fiq), dhe perime të stinës (me bazë ngjyrën jeshile), sa më pak të përpunuara;

Çdo ditë drithëra integrale të ndryshme (grurë, misër, oriz, bullgur, hikrror, tërshërë, elb); fasule të llojeve të ndryshme (thjerrëza, qiqra, fasule me ngjyra);

2-3 herë në javë peshk dhe prodhime deti; fruta të thatë dhe fara (arra, bajame, susam, fara kungulli, lini, luledielli); erëza si rigoni, rozmarina, sherbela, menta, trumza etj.;

Disa herë në javë, sasi të kufizuara mishi shpendësh, bulmet të yndyrshëm, vezë;

Pak herë në muaj: mish të kuq dhe ëmbëlsira;

Në gatim përdoret vetëm vaji i ullirit i përpunuar në të ftohtë dhe shume pak gjalpi i bagëtisë.

Tipare të rëndësishme të dietës mesdhetare janë edhe konsumi i moderuar i verës së kuqe, konsumi i çajrave bimorë, si çaji i malit dhe hidratimi i mjaftueshëm me ujë natyral.

Dieta mesdhetare është një koncept që shkon përtej ushqimit është një mënyrë jetesë që ka në fokus aktivitetin social (shijimin e ushqimit dhe praktikave të gatimit me njëri-tjetrin), angazhimin fizik në sigurimin e ushqimit, përpunimin artizanal dhe joindustrial të tij, ekspozimin në diell dhe mbi të gjitha “gjithçka me masë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shtetëror dhe fetar mund të jetë partikulariteti, jo universiteti!

Nga Klementin Mile Ndërsa këto ditë po debatohet intensivisht për Akademinë e...
Read More