600 mijë emigrantë në Shqipëri? Zërat pro dhe kundër, Rama do zgjedhë…

Intervista e zëvendësministrit të Brendshëm Julian Hodaj se Shqipëria e ka treguar se di të përballojë fluks emigrantësh, nxit përplasjen politike dhe shton ankthin në vend. Reagon ashpër opozita, kryeministri në dilemë nëse kushti do jetë hap kampet që të çelen negociatat. Majko: Nëse ky është kushti, nuk e duam ftesën…

Nga Sebi Alla

Ngritja e një kampi refugjatësh në Shqipëri, nuk është më vetëm hamendësim, pasi gjithnjë e më shumë po shtohen zërat se qeveria është gati të hapë dyert për 600 mijë emigrantë, me kushtin që BE të hapë negociatat për vendin tonë. Ditën e djeshme ndodhën dy zhvillime të rëndësishme, që në dukje pa “dashje” u hodhën në publik. I pari ishte zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili në një prononcim për rrjetin gjerman “ZDF”, pyetjes se çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh iu përgjigj: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”. Kaq mjafton që zyrtari i lartë i vendit tonë të hapte rrugën e një debati që me siguri nuk do të mbyllet kurrë kaq shpejt. Si për të shkuar në të njëjtën linjë me zëvendësministrin Hodaj, deputetë të PS-së në komisionin parlamentar të sigurisë thanë se: “çështja e refugjatëve duhet parë në aspektin njerëzor, dhe jo si rrezik”. Gjermania, Franca, Austria dhe Italia, katër shtete të prekura nga fluksi masiv i emigrantëve, po kërkojnë një zgjidhje të problemit, por jashtë territorit të saj. Për nga pozita gjeografike, por edhe si “shtet nevojtar”, që kërkon integrimin është Shqipëria, e cila mund të ndërmarrë këtë aventurë me shumë të panjohura, dhe si këmbim do mbështet financiarisht dhe marrë hapjen e negociatave me BE-në. Në një intervistë për mediat turke një javë më parë, Rama e mohoi se kishte një kërkesë për ngritjen e kampeve të emigrantëve në Shqipëri, madje e konsideroi një “fantazi” këtë çështje që po qarkullon. Por pyetja e madhe është se nëse do ketë një kërkesë konkrete, ç’do të bëjë Shqipëria? Kreu i qeverisë jo rastësisht ditën e djeshme, por edhe kohë më parë po nxjerr në publik zëvendësministra e drejtues tjerë të lartë të shtetit që artikulojnë trajtimin e rreth 600 mijë emigrantëve në vendin tonë. Në “real-politikë” njihen edhe këto lëvizje, që më vonë konkretizohen dhe nuk mbesin më vetëm fantazi… Opozita është shprehur haptas kundër kësaj nisme, pasi sipas tyre do të shtohet rreziku i destabilizimit të vendit, e madje mund të jetë një “shans” edhe për trafikantët e qenieve njerëzore që mund të shfrytëzojnë praninë e madhe të emigrantëve për të nisur biznesin e trafikut.

Europa e dyzuar, Shqipëria shpëtim?

Çështja e miliona emigrantëve në Europë, që njohën fluks masiv menjëherë pas nisjes së luftës në Siri, e ka kapërcyer diskutimin human, pasi partitë politike me prirje nga ekstremi i djathtë në këto shtete janë kundër pranisë së emigrantëve, e madje kanë fituar shumë në elektorat në vitet e fundit, pikërisht për këtë fenomen. Europa është në krizë politike për çështjen e refugjatëve dhe nuk është aspak çudi që të tronditet fort edhe “Zonja e hekurt” Angela Merkel. Katër ditë më parë, kancelarja gjermane Anxhela Merkel u përball me reagimin e prerë që ministri i saj i brendshëm, pjesë e partisë aleate me CDU-në e Merkelit, Horst Seehofer i CSU-së, i ka dhënë ultimatumin shefes së vet se do të fillojë përzënien e kërkuesve të azilit që janë në Gjermani. Nga ana tjetër, Italia është me një qeveri të re e cila është kundër emigrantëve, që jo vetëm nuk pret të rinj, por po përgatitet që të zbojë nga Italia edhe ata që kanë mundur të mbërrijnë në periudhën e vështirë të luftës. Përveç këtyre dy vendeve, edhe Franca dhe Austria i druhen fenomenit të azilkërkuesve, ndaj sytë po kthehen në të paktën dy shtete jashtë BE-së, që mund të bëhen barrikada e emigrantëve. Dy emrat më të lakuar mbeten Shqipëria dhe Maqedonia, dy vende që po kërkojnë me forcë që të gjejnë një shteg për të marrë hapjen e negociatave me BE-në dhe integrimin e mëtejshëm.

Rama në “fushë” të minuar

Nëse do të merren në konsideratë deklarimet e një jave më parë të Ramës, për një media “periferike” që vinte nga Turqia, qeveria jonë e përjashton mundësinë e ngritjes së kampeve të refugjatëve. “Sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Europian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë, ndërkohë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet gjithmonë e një bindjeje që vendet e Bashkimit Europian nuk mund t’ia hedhin topin njëri-tjetrit dhe ta lënë barrën e detyrimeve morale që ka Europa ndaj njerëzve që ikin nga vendet e tyre për shkak të kërcënimit të jetës”-deklaroi Rama, duke shtuar se “nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë”. E lexuar në këtë kontekst të një jave më parë, Rama duket se e përjashton mundësinë që në Shqipëri të ngrihen kampe refugjatësh, por kryeministri mund të ndryshojë mendim edhe “brenda orës”, për aq kohë sa po afron data që BE do marrë vendim për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Në rast se BE vendos të mbajë larg emigrantët, atëherë opsioni që Shqipëria të ishte vend pritës mund të shfaqet në tavolinë, si një marrëveshje: “Ne hapim negociatat e ju ndihmojmë financiarisht, ju pranoni emigrantët”. Këtij propozimi kryeministri si do i përgjigjej? Duke analizuar qëndrimin e zbutur, e gati pro kësaj nisme nga zyrtarë të lartë të vendit, apo deputetë të PS-së, ngjan se po shtrohet rruga që ky opsion të pranohet, por në këtë pikë kryeministri nuk po bën llogaritë e ditëve që vijnë më pas. Mund të mbetet në një fushë të “minuar” nëse zërave kundër të opozitës i shtohet edhe ajo e opinionit publik.

Opozita në alarm

I ashpër ka qenë debati dje në Komisionin parlamentar të sigurisë, ku deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi se kjo nismë do sjellë ISIS e emigrantë në Shqipëri. “ISIS dhe kampet e refugjatëve nuk mund të pranohen si haraç për harakirin e Ramës në qeverisje. Integrimi fitohet kur fitohet lufta ndaj korrupsionit e krimit”, -tha Salianji. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së Flamur Noka shkoi më tej ku deklaroi se po bëhen gati 300 skafe të fuqishme që të nisë trafiku i klandestinëve nën mbrojtjen e qeverisë Rama. Ndonëse ngjajnë si deklarata të ashpra politike, aq të pranishme në vend, frikës së këtij fluksi, duke dalë kundër është edhe një zë i rëndësishëm brenda PS-së si Pandeli Majko. “Grumbullimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë. Shqipëria ka gatishmëri për të huajt por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj. Nëse ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane”-shkruan Majko. Dilemat mbi këtë çështje që po mban në ankth edhe vendin pritet që të shuhen në ditët në vijim, atëherë kur BE do të marrë dy vendime: “Hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe zgjidhjen e çështjes së emigrantëve”; ku opsioni Shqipëri, për ngritjen e kampeve të refugjatëve është një alternativë që po diskutohet në kancelaritë e vendeve Big të Europës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rruga e gabuar e kundërshtarëve të Bashës për të qëndruar në PD

Nga Ervis Iljazaj Një grupim brenda Partisë Demokratike, të cilët njihen si...
Read More