“600 mijë sirianë” dhe një histeri shqiptare

Debati për «600 mijë siranë» që gjoja do të «vërshojnë» Shqipërinë tregon se politikanët dhe një pjesë e opinionistëve të Tiranës kur marrin rrugën të shkruajnë diçka, së pari i vrasin faktet. Pa fakte «argumentohet» shumë lehtë.

Nga Enver Robelli

Julian Hodaj është zëvendësministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë që nga 9 tetori 2017. Pra, ende nuk i ka kaluar nëntë muaj në post. Mund të thuhet se Hodaj nuk ka ndonjë përvojë të gjatë në detyrën e re. Sipas biografisë zyrtare, ai më parë ka punuar këshilltar ligjor në përfaqësinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Tiranë. Po të mos i jepte një deklaratë televizionit gjerman ZDF, për Hodajn mbase nuk do të kishte dëgjuar as opinioni shqiptar. Në prononcimin për televizionin gjerman Hodaj pa menduar fare për efektin e fjalëve të tij tha: «Kemi dëshmuar edhe gjatë luftës së Kosovës se mund të pranojmë 600 mijë njerëz. Gjithsesi Shqipëria është në gjendje për këtë».

Kjo deklaratë ka mobilizuar krejt armatën e alarmuesve në Tiranë. «600 mijë sirianë» do të «vërshojnë» Shqipërinë, bërtasin portalet. Këta «600 mijë sirianë» janë «terroristë të ISIS-it», për këtë është i bindur Sali Berisha dhe kështu i bie trumbetës nëpër mediat sociale. Në këtë valle të përtypjes së lajmeve të paverifikuara u kyç edhe Pandeli Majko, duke shkruar: «Lajmet se në Shqipëri do të hapen kampe për 600 mijë refugjatë sirianë janë përtej çdo gatishmërie e imagjinate për një prej kombeve më të vjetër të Europës siç janë shqiptarët». Ja, pra, edhe kur flitet për refugjatë sirianë, duhet nënvizuar se shqiptarët janë «populli më i vjetër» i dynjasë. Se çfarë ka kjo lidhje me sirianët mbetet mister. Majko vazhdon: «Grumbullimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë». Kjo është një kakofoni shqiptare, një histeri. Vini re gjuhën: «sasi» refugjatësh, thua se nuk janë njerëz, por thasë me oriz.

I pari që duhet të kritikohet ashpër për shpërthimin e këtij debati është zëvendësministri Julian Hodaj. Deklarata e tij për televizionin gjerman është absurde, e pamenduar, e pabazë. Zyrtarët e shtetit nuk janë komentatorë të spekulimeve. Çfarë thonë duhet të ketë kuptim dhe logjikë, duhet të jetë bindëse dhe transparente. Deklarata e Hodaj është mbi të gjitha e marrë për shumë arsye. Së pari: nuk mund të krahasohen sirianët me shqiptarët e Kosovës. Shqipëria nuk i ka «pranuar» refugjatët e Kosovës më 1999, ajo ka qenë e obliguar edhe me Kushtetutën e saj t’i dalë në ndihmë një pjese të kombit në rrezik nga shfarosja. Së dyti: kosovarët në Shqipëri qëndruan rreth tre muaj në pritje të kthimit në Kosovë. Ndërsa bombardonte superfuqia më e madhe ushtarake e botës, ishte e qartë se Kosova do të çlirohej dhe do të ishte qesharake që ndokush të priste se Serbia do ta mposhte Perëndimin.

Së treti: përkundër ndihmës vëllazërore, motërore dhe atërore të Shqipërisë gjatë krizës së Kosovës, është e domosdoshme të thuhet se strehimi i mijëra refugjatëve nga Kosova ishte bërë edhe me ndihmën e organizatave humanitare ndërkombëtare. Pra, nuk është e vërtetë se Shqipëria vetëm me kapacitetet e veta priti «600 mijë njerëz nga Kosova». Sa për kujtesë: në shtator 1998 Shqipëria ishte para shpërbërjes pas përpjekjes për grusht shteti të Sali Berishës. Ushtria ishte në gjendje të mjerueshme pas kaosit të vitit 1997. Mund të merret me mend se po të mos ishte çliruar Kosova për një kohë relativisht të shkurtër, prania e madhe e kosovarëve në Shqipëri do të rezultonte me konflikte së pari mes fraksioneve të tyre politike, pastaj do të rritej edhe mosdurimi mes vendasve dhe refugjatëve, të cilët me kalimin e kohës do të trajtoheshin si mysafirë të mërzitshëm.

Deklarata e Julian Hodaj është skandaloze për shkak se nuk ka asnjë vendim, asnjë përpjekje konkrete që Shqipëria të shndërrohet në vend për «parkimin» e refugjatëve. Kancelari austriak Sebastian Kurz po përpiqet të mobilizojë të djathtën radikale kudo në Europë kundër kancelares gjermane Angela Merkel, e cila akuzohet për pranimin e «pakontrollueshëm» të refugjatëve. Ideja e Kurzit është që jashtë Europës të ndërtohen kampe për refugjatë, një ide jo aq e re, të cilën e përsëriti edhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk. Kurz si aleat të tij në fushatën kundër emigrantëve numëron ministrin e Brendshëm gjerman Horst Seehofer, kryeministrin hungarez Viktor Orban, politikanin slloven Janez Jansha, politikanë të djathtë kroatë, italianë, çekë, polakë etj.

Shqipëria nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj fushate të demagogëve të rinj e të vjetër europianë, të cilët në fakt më shumë se për të zgjidhur krizën e refugjatëve duan të përfitojnë politikisht duke nxitur klimën urrejtëse kundër të huajve. Kriza zgjidhet vetëm me një qasje të përbashkët europiane. Domethënë: duke shpërndarë refugjatët në disa vende (dhe jo vetëm në Gjermani, Suedi, për shembull) dhe duke lidhur marrëveshje biletarale me shtete të Afrikës Veriore dhe Lindjes së Afërt dhe Azisë, të cilat do të obligoheshin t’i pranonin refugjatët që nuk i plotësojnë kushtet për azil politik. Kjo është qasja e kancelares Merkel deri më tani. Ajo ka lidhur edhe marrëveshjen me Turqinë për ndalimin e refugjatëve. Por, këto Merkel i ka bërë në mënyrën e saj: pa zhurmë, pa demagogji, pa popullizëm dhe duke u përpjekur të respektojë rregullat humanitare.

Se deklarata e Hodajt ishte e pamatur tregon fakti se ai u demantua nga ministria që drejton. Ajo bëri një sqarim, ku thoshte se zëvendësministri paskësh folur për një situatë hipotetike. Në një shtet serioz nuk ka vend për zyrtarë që flasin me hipoteza për tema delikate dhe emocionale siç është ajo e refugjatëve. Debati që prodhoi deklarata e Hodajt nxjerr në pah edhe anën e keqe të qeverisë së Edi Ramës: paaftësinë e komunikimit me opinionin dhe mungesën e transparencës. Në kronikën e televizionit gjerman thuhej se Shqipëria po shpreson se me pranimin e refugjatëve do të shpërblehet me përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

Ndoshta zëvendësministri Hodaj dhe shefat e tij kanë menduar se me një deklaratë bombastike në stilin «jemi gati t’i pranojmë 600 mijë sirianë» të gjitha vendet e BE-së do të duartrokasin dhe thonë: «Urdhëroni, dyert e BE-së janë të hapura për ju». Shqipëria mund dhe duhet të ofrojë ndihmën e saj në përballimin e krizës së refugjatëve, por premtimet paushalle për strehimin e «600 mijë sirianëve» janë joserioze. Debati për «600 mijë siranë» që gjoja do të «vërshojnë» Shqipërinë tregon se politikanët dhe një pjesë e opinionistëve të Tiranës kur marrin rrugën të shkruajnë diçka, së pari i vrasin faktet. Pa fakte «argumentohet» shumë lehtë./dialogplus.ch/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dosja, dëshmitë/ Vrasja e gjyqtares, fëmijët: Kur ne qanim, babi qeshte

Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg Fadil Kasemin i akuzuar...
Read More