“7 Marsi”: Këto janë 10 mësueset që morën sot “Medaljen e Mirënjohjes”

 

Në ditën e 7 Marsit, kryeministri Edi Rama vlerësoi me “Medaljen e Mirënjohjes” 10 mësuese nga i gjithë vendi.

Ceremonia u mbajt sot në mesditë në kryeministri.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi me medaljen e mirënjohjes mësuesit më të mirë në një ceremoni në kryeministri.

Rama bëri ‘mea culpa’ duke pranuar para mësuesve se politikanët, të cilët me sjelljen e tyre sidomos të enjten, nuk po ndihmojnë në kultivimin e edukimit dhe të virtytit tek të rinjtë.

“Unë dhe raca ime e politikanëve, sidomos çdo të enjte, nuk ju ndihmojmë aspak në kryerjen e misionit tuaj thelbësor, që është jo vetëm të përgatisni njerëz të ditur, por dhe të edukoni qytetarë të mirë.

Jo vetëm nuk ju ndihmojmë, por ju pengojmë çdo të enjte rregullisht në kryerjen e misionit tuaj. Edhe ditët e tjera patjetër, por sidomos të enjten.

Shfaqja e të enjtes rrëzon të gjitha fjalët që ne mund të themi gjatë javës në raport me virtytet, dhuntitë e mira dhe kultivimin e tyre. Sidoqoftë, duke qenë në këtë detyrë, unë kam mundësinë e madhe që në ditët e tjera të javes përveç së enjtes të laj me sa më shumë mund mëkatet e ditës së enjte,” tha Rama.

“Në raport me ju, ne kemi shumë për të bërë, detyrime sesa të drejta për të thënë se sa shumë kemi bërë. Besoj se me çdokënd prej jush që udhëhiqet nga arsyeja dhe nga faktet është e qartë që kemi bërë jo pak në funksion të krijimit të kushteve për të pasur një mjedis arsimimi dinjitoz. Reforma po krijon dita ditës kushte për të pasur mësues sipas meritës, tekste sipas ambicies, mësimdhënie sipas nevojës dhe për të pasur “rilindjen” e trekëndëshit të suksesit shtet-mësues-prindër. Ka shumë për të bërë, por jam shumë optimist. Shumë procese kanë nisur dhe po bëhen bashkë me ju”, tha Rama.

“Kisha dëshirë t’u bëja dhe një dhuratë dhe në fund vendosa t’u dhuroj një libër të Pier Paolo Pasolini. Flitet për adoleshentët, të rinjtë e pabindur, të rinjtë kokëfortë, të rinjtë që dëshirojnë të përmbysin botën dhe që përmbysjen e botës e fillojnë dhe e mbarojnë duke kundërshtuar prindërit dhe mësuesit. Në libër ka pasazhe fantastike. Në kushtet e sotme është e lehtë të marrësh me mend sa e vështirë është puna e mësuesve përballë çunakëve, të cilëve mjedisi i sotëm publik për fat të keq ju mëson shumë më tepër gjëra të gabuara se shembuj të duhur”.

Mësueset e vlerësuara:

Rajmonda Zaharia, mësuese në ‘Liceun Artistik’, Tiranë.

Marjana Papavangjeli, mësuese e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën ‘Ali Demi’, Vlorë.

Lindita Bleta. mësuese e Matematikës në Shkollën e Mesme “Jordan Misja” në Shkodër

Shazie Sherri, mësuese Muzike në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier.

Vasilika Kllapi, mësuese e Gjuhë- Letërsisë në Shkollën e Mesme “Pandeli Sotiri”, Gjirokastër.

Edlira Angjeliu, Histori- Gjeografi në Shkollen e Mesme “Kristaq Kapo”, Berat.

Vera Shuedari, mësuese e Biologjisë në Shkollën e Mesme “Partizani”, Tiranë.

Teuta Palushi, mësuese e Gjuhës Angleze në Shkollën e Mesme, Lezhë.

Mimoza Shahu mësuese e Edukimit Fizik, shkollë e mesme, Korçë.

Majlinda Kromidha, mësuese matematike, shkolla “Sul Hari”, Elbasan.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Violeta Llavda: Restauruesja e parë shqiptare

Të jesh i parë…Të jesh i parë do të thotë që të...
Read More