80-vjetori i lindjes së Bekim Fehmiut, Rama e Vuçiç: Gjurmë të pashlyera mes shqiptarëve e serbëve



bekim-fehmiu-u-kriterionuNë 80-vjetorin e lindjes së artistit Bekim Fehmiu, dy kryeministrat, ai i Shqipërisë dhe i Serbisë, shprehin konsideratën më të lartë për veprën e tij. Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri Rama dhe Aleksandër Vuçiç, theksojnë se jeta dhe arti i tij dëshmojnë se mes vendeve mund të komunikohet e të bashkëjetohet. Ndërsa “Mirdita, Dobar Dan”, shpalos kulturën shqiptare në Beograd

Në 80-vjetorin e lindjes së artistit Bekim Fehmiu, dy kryeministrat, ai i Shqipërisë dhe i Serbisë, shprehin konsideratën më të lartë për veprën e tij. Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri Rama dhe Aleksandër Vuçiç, theksojnë se jeta dhe arti i tij dëshmojnë se mes vendeve mund të komunikohet e të bashkëjetohet. “Bekim Fehmiu ka lënë një gjurmë të pashlyer mes shqiptarëve dhe serbëve. Jeta dhe arti i tij dëshmon se ne mund të komunikojmë, të kuptohemi e të mësojmë nga njëri-tjetri, se mund të gjejmë lumturi në bashkëjetesë e kështu të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat që do të vijnë. Bekim Fehmiu qëndron sot përpara nesh si dëshmitar i një fakti të pamohueshëm se cilindo rrugëtim të jetës të zgjedhim për të qenë bashkë, ajo rrugë do të jetë veçse pasuri për ne, shqiptarë dhe serbë” thuhet në deklaratën e përbashkët, të Aleksandar Vučić dhe Edi Ramës. Bekim Fehmiu ishte një aktor shqiptar nga Kosova, i cili lindi në Sarajevë më 1 Qershor 1936 dhe vdiq më 15 Qershor 2010 në Beograd. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjith? hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

‘Mirëdita, Dobar Dan’, në Beograd për Fehmiun

Bekim Fehmiu nuk do të donte Institute, rrugë a shkolla që mbajnë emrin e tij. Për këtë është i sigurt miku i tij, gazetari serb Veran Matic. Ai thotë se Fehmiu ka marrë meritat që i kanë takuar, pa dashur të jetë figura kryesore. Nëse dy herë është tentuar t’i jepet çmimi i tetorit në Beograd dhe kjo nuk ka ndodhur, sigurisht ka ekzistuar një arsye. Minatori që dikur u dashurua me një bareshë serbe, në filmin e Millosh Stefanoviqit, aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, që sot shënon edhe ditëlindjen e 80-të, po të ishte gjallë, është inspirimi kryesor i festivalit që mbrëmë siparin e një edicioni tjetër në Beograd. “Mirëdita, Dobar Dan”, për disa ditë në Beograd, shpalos kulturën shqiptare para publikut serb. Në rastin e hapjes së festivalit, Bekimi erdhi në mishërimin e tij jetësor, aktrimin. Rolet e tij në filma dhe emocionet që dha, erdhën në retrospektivë në hapjen e festivalit, para të pranishmëve në Beograd, që dikur sikur edhe njëherë më shumë u përulën para punës dhe veprës së tij. “Kam biseduar sot edhe me Edi Ramën dhe me Aleksandar Vuçiç, të cilët më kanë dërguar fjalët e tyre për figurën e Fehmiut në këtë përvjetor të lindjes dhe në këtë nismë që edhe vetë Fehmiut do t’i dukej diçka e përshtatshme. Ata e kanë quajtur Fehmiun si një nismëtar të një rruge të frytshme për afrimin e të dy popujve” ka thënë mes të tjerash Matic. Maja Stojanovic, drejtoreshë e Iniciativës Rinore, një prej organizatorëve të festivalit, u ka uruar mirëseardhje të gjithëve në festivalin që tenton të jetë me njerëzit, kundër territoreve. “Ne, për të disatën herë po provojmë t’ua dëshmojmë politikanëve të kundërtën, se ne mund të ndërtojmë ura kulturore. Politikanët le të fshihen pas territoreve. Duam të jemi edhe ne pjesë e një Evrope pa mure, e një Evrope ku ka bashkëpunim dhe komunikim. Jam e lumtur që sonte në Beograd dëgjoj gjuhën shqipe”, ka thënë mes tjerash, Stojanovic.

Filmi “Babai”, sapo ka nisur transmetimin e tij në Dom Omladine, në Beograd. Përveç këtij projekti shqiptar, artistë të ndryshëm në ditët që vijnë, do të shfaqin punën e tyre në kryeqytetin serb. “Momentalisht po shfaqet filmi dhe është interesant më pastaj me e pa reagimin e publikut. Për ekipin e filmit ka rëndësi që po shfaqet ky film dhe sidomos në këtë festival, për shkak edhe të kontekstit të tij” ka thënë Visar Krusha, producent i filmit “Babai”. “Babai” tregon rrëfimin e një fëmije të quajtur Nori (Val Maloku) i cili shet cigare bashkë me babanë e tij Gëzimin (Astrit Kabashi) në vitet nëntëdhjetë, ku babai me çdo mënyrë dëshiron të emigrojë në Gjermani, e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Marrëdhënia mes babait dhe të birit zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë, për arsye se i biri ka shumë dëshirë të jetë së bashku me babanë dhe në të njëjtën kohë duhen të përballen me realitetin e vështirë. “Babai” është prodhuar nga një ekip filmik ndërkombëtar, ndërsa shumica e aktorëve janë kosovarë.

Besa Llugiqi, Lirika Pula, Blerta Surroi, Veton Surroi, janë disa prej figurave që vijnë në këtë festival, këtë edicion, organizuar së bashku edhe nga INTEGRA në Prishtinë.

“Më pëlqen kjo iniciativë. Dua të mendoj se në të ardhmen, Kosova do ta nderojë më shumë figurën e Bekim Fehmiut, sepse ai e meriton një gjë të tillë” ka thënë Natasha Kandiq, e pranishme këtë natë në hapjen e festivalit. Festivali vazhdon me një debat pas filmit “Babai”, dhe që nga nesër, me të tjera organizime në kuadër të këtij festivali.

Deklarata e plotë e dy kryeministrave:

“Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, dëshirojmë të shprehim konsideratën tonë të lartë për veprën e një artisti dhe humanisti të madh, Bekim Fehmiut. Bekim Fehmiu ka lënë një gjurmë të pashlyer mes shqiptarëve dhe serbëve. Jeta dhe arti i tij dëshmon se ne mund të komunikojmë, të kuptohemi e të mësojmë nga njëri-tjetri, se mund të gjejmë lumturi në bashkëjetesë, e kështu të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat që do të vijnë. Bekim Fehmiu qëndron sot përpara nesh, si dëshmitar i një fakti të pamohueshëm se cilindo rrugëtim të jetës të zgjedhim për të qenë bashkë, ajo rrugë do të jetë veçse pasuri për ne, shqiptarë dhe serbë.”

Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Perëndimi e vendos propagandën ruse në krah të ISIS

Rusia është angazhuar të sulmojë Perëndimin përmes medias, propagandës dhe financimit të...
Read More