9.5 mln euro të grabitura: Qafa e Kasharit ose tmerri i bankave

grabitjaNgjarja ndodhi rreth orës 13:24 të ditës së djeshme, në afërsi të Qafës së Kasharit. Pesë persona të armatosur qëllojnë me armë drejt makinave që transportonin para dhe nën kërcënimin e armëve rrëmbejnë dhjetë thasë me valutë. Policia arreston pesë rojet e sigurisë së kompanisë “Jaguar”. Dinamika e ngjarjes dhe siguria e ulët gjatë transportit të parave.

Grabitjet e parave të bankave të nivelit të dytë nuk kanë të ndalur.

Sërish në të njëjtin vend, aty në Qafën e Kasharit, që për grabitësit është kthyer si vend “pelegrinazhi”, ku rrëmbejnë shumë të mëdha dhe ikin.

Mesditën e djeshme, në orën 13:24, në mes të rrugës, në një zonë me lëvizshmëri të lartë, pak minuta larg Komisariatit të Aeroportit të Rinasit, u sulmuan dy automjete të kompanisë së sigurisë “Jaguar”, që transportonin vlera monetare.

Dyshohet se bëhet fjalë për rreth 2 milionë euro të rrëmbyera nga pesë persona të armatosur. Policia kërkonte pesë grabitës dhe në fund arriti që pesë persona të vërë në pranga, jo grabitësit, por rojet e sigurisë.

Ata janë Xhelil Metaj, Gentian Dedja, Përparim Logu, Endrit Daçi dhe Dashamir Balla, të gjithë punonjës të kompanisë së sigurisë. Asnjë institucion nuk funksionoi, të gjithë dështuan dhe suksesi i vetëm në këtë rast i takon vetëm pesë autorëve të dyshuar që rrëmbyen shuma të mëdha dhe u zhdukën, duke i ofruar policisë vetëm çoroditje dhe mbledhje gëzhojash në vendin e ngjarjes.

Krimi i djeshëm ka sjellë edhe një herë alarmin për pasigurinë që ofrojnë kompanitë e sigurisë së transportit të parave, dështimin e Bankës së Shqipërisë për masat e marra, tulatjen totale të policisë dhe ankthin e disa qytetarëve që për disa minuta u bënë protagonistë, duke filmuar momentin e grabitjes.

Ngjarja

Për pesë punonjësit e kompanisë së sigurisë gjithçka po shkonte mirë deri në momentin që pas tyre u shfaqën dy automjete fuoristradë, brenda të cilëve ndodheshin pesë persona të armatosur dhe të maskuar.

Teksa ora shënonte 13:24 grabitësit vunë në zbatim planin e tyre për grabitjen e dy automjeteve ku ndodheshin shumat e parave.

Për ngjarjen e djeshme policia e kryeqytetit ka dhënë një njoftim zyrtar duke treguar kronologjinë e krimit.

“Në orën 13:10 njofton patrulla e policisë se mjetet e blinduara të shoqërisë private të sigurisë fizike kanë kaluar në drejtim të Rinasit.

Në orën 13:24, ka ardhur telefonatë te numri i emergjencave 112, se në afërsi të Universitetit ‘Epoka’, ka të shtëna me armë.

Me marrjen e njoftimit, patrulla e policisë është nisur në drejtim të vendit ku është marrë telefonata. Sqarojmë se në mes të rrugës është konstatuar trafik nga patrulla dhe janë detyruar të lënë makinën dhe të shkojnë më këmbë në vendin e ngjarjes.

Në orën 13:29 shkon shefi i Komisariatit Vorë në vendin e njoftuar lidhur me ngjarjen. Në orën 13:34 ka ardhur një tjetër telefonatë, nga punonjësi i firmës private, i cili ka kërkuar ndihmë policore” -shprehet policia.

Po sipas burimeve zyrtare, në vendngjarje janë konstatuar dy automjete të përshtatura si të blinduara të një shoqërie private, që po transportonin në drejtim të Rinasit vlera monetare.

Në këtë aks rrugor këtyre mjeteve iu është ndërprerë rruga nga një automjet tip fuoristradë, duke e goditur fugonin e blinduar të shoqërisë private dhe prej tij kanë dalë dy persona të paidentifikuar të cilët dyshohen të kenë qëlluar me armë gomën e përparme të makinës së parë dhe me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar, duke zbritur me forcë punonjësit e policisë private dhe duke i shtrirë në tokë.

Në të njëjtën kohë një tjetër automjet i dyshuar i autorëve kanë sulmuar makinën e shoqëruese të dytë të shoqërisë private, duke neutralizuar punonjësit e shoqërisë private të cilët ndodheshin në të.

“Sqarojmë se automjetet e shoqërisë fizike të përshtatur si mjet i blinduar janë dëmtuar nga autorët në pjesën e pasme duke përdorur mjet prerës të dyshuar motosharrë dhe kanë marrë më pas shumën e parave. Gjithashtu është konstatuar se kamerat e mjeteve të përshtatura si blind kanë qenë të fikura dhe GPS nuk ka qenë i vendosur në thasët e parave por në një thes i cili u gjet i vendosur poshtë sediljes së shoferit” -thotë zyrtarisht policia, që thekson se “janë gjetur dy mjete që po digjeshin pranë disa banesave, në vendin e quajtur ‘Rruga e Hajdutëve’ në Fushë Prezë”.

Informacionet e policisë erdhën fill pas takimit që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pati në Policinë e Tiranës pikërisht për ngjarjen e rëndë.

Gjatë takimit ministri mësohet se ka kërkuar sa më shpejt zbardhjen e plotë dhe kapjen e autorëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që pas grabitjes së djeshme të ketë edhe masa të lëvizjeve të oficerëve të lartë të policisë së kryeqytetit.

Strukturat e rendit në këtë mënyrë kanë ofruar të gjithë kronologjinë e ngjarjes me orë e minuta dhe madje këmbëngul se reagimi ishte i shpejtë dhe “profesional” në këtë rast.

Hetimet dhe dështimet

Pas grabitjes së bujshme efektivë të policisë dhe struktura të prokurorisë kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët.

Duke marrë parasysh të gjithë mënyrën e grabitjes së djeshme, më së paku duket se strukturat e rendit nuk kanë qenë në lartësinë e duhur për kapjen e autorëve.

Në këtë aks rrugor ka patrullime të vazhdueshme të policisë dhe për më shumë në Vorë ka një postë, ndërsa në Rinas ndodhet Komisariati i Policisë, çka nënkupton se prania e forcave policore ishte e madhe.

Mësohet se hetimet janë përqendruar në disa pista, ku nuk përjashtohet mundësia që autorët e grabitjes të jenë lajmëruar më parë për lëvizjen e shumave të parave nga persona që kanë pasur dijeni si për vlerën ashtu edhe për orarin që do të lëviznin automjetet.

Nga ana tjetër djegia e dy automjeteve të përdorura gjatë grabitjes mund të ketë fshirë çdo provë të mundshme.

Një ngjarje e paralajmëruar, aq sa tashmë duket se pritet vetëm grabitja e radhës. U duk sikur të gjitha institucionet po viheshin në punë pas grabitjes së 1 milion eurove brenda pistës së avionëve në Rinas më 30 qershor të vitit të kaluar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe ekspertë të bankës qendrore, hartuan një draft ku urdhëronin bankat e nivelit të dytë që të merrnin masa të forta për sigurinë e transportit të vlerave monetare.

Në udhëzimin e Bankës së Shqipërisë kërkohej që mjetet që mbanin vlerën monetare duhet të ishin të blinduara dhe gjithashtu brenda mjetit në çdo thes që mbante valutën të kishte një GPS që tregon vendin e ndodhjes.

Gjithashtu, gjatë transportit kamerat e sigurisë që ndodhen brenda mjeteve duhet të jenë të ndezura dhe pamjet të transmetohen live në sallën operative të kompanisë së sigurisë.

Në rastin e djeshëm asgjë nuk ka funksionuar. Automjetet nuk ishin të blinduara, por të përshtatura si të blinduara.

Në anën tjetër vërtet kamerat ndodheshin brenda mjetit të grabitur, por nuk ishin në funksion.

Bankat e nivelit të dytë edhe pse disa herë kanë rënë preh e grabitjeve nuk investojnë në rritjen e sigurisë gjatë transportit të vlerave monetare.

Në dy vjet, 9.5 milionë euro të grabitura

  1. Më 3 shkurt të vitit 2015, tre persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin e armëve çarmatosën rojet e sigurisë në bodrumin e një banke të nivelit të dytë në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë dhe arritën të merrnin një shumë të madhe prej 3 milionë eurosh.
  2. Më 3 dhjetor të vitit 2015-s katër persona të armatosur, të veshur me uniformë policie sulmuan një autoblindë të një kompanie sigurie pikërisht në afërsi të Qafës së Kasharit dhe arritën të rrëmbenin 3.5 milionë euro. Autorët pasi kryen grabitjen u larguan në një rrugë dytësore pranë fshatit Laknas dhe pasi dogjën mjetet me të cilat lëvizën arritën të largoheshin.
  3. Më 30 qershor të vitit 2016, kryhet një grabitje spektakolare aty ku nuk pritej. Brenda pistës së Aeroportit të Rinasit tre persona të armatosur dhe të maskuar hynë në terminal dhe nën kërcënimin e armëve rrëmbyen 1 milion euro. Vlerat monetare po ngarkoheshin në një avion në momentin e grabitjes. Autorët u larguan të qetë pavarësisht se krimi ndodhi në prani të shumë efektivëve të policisë së rendit dhe asaj të private.
  4. Më 9 shkurt 2017 në afërsi të Qafës së Kasharit pesë persona të maskuar dhe me armë pasi qëllojnë disa herë në ajër dhe drejt automjeteve të kompanisë së sigurisë rrëmbejnë rreth 2 milionë euro.
Shkruar Nga
More from revista mapo

“Po qeverisemi me lajmokraci! 18 shkurti, fillimi i një vendimi të madh”

Sekretarja e marrëdhënieve me Publikun në PD gjykon se opozita dhe qytetarët...
Read More