A do ketë trazira në Kosovë? Reagojnë institucionet

Situata e tensionuar në veriun e Kosovës ka bërë që institucionet vendase të jenë më vigjilente. Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra e kaloi natën e së shtunës duke u marrë nga afër me zhvillimet që ishin paralajmëruar se mund të ndodhnin në veri të vendit.

Megjithatë, ai shprehet se situata mbetet e qetë.

“Informacione të ndryshme kanë qarkulluar. Institucionet e vendit kanë marrë me seriozitet çdo informacion që ka ardhur, edhe nga pjesa veriore, mirëpo deri tani nuk kemi asnjë lloj veprimi që do të binte ndesh me legjislacionin në fuqi. Mund të themi se situata nuk është e ndryshueshme, por është mjaft e qëndrueshme”, ka thënë Shkodra për televizionin publik të Kosovës, RTK.

Shkodra tha gjithashtu se institucionet e sigurisë kanë qenë të gatshme t’i përgjigjen çdo situate që mund të ndodhte në veri.

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte thirrur Këshillin e Sigurisë, ku kishte thënë se nuk do të lejohen veprime që prishin rendin kushtetues.

“Informacionet që kanë qarkulluar nuk mund të themi se nuk kanë qenë serioze, por situata nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të jetë e njëjta”, shtoi Shkodra.

Gjatë së shtunës u raportua se forca të KFOR-it morën nën kontroll liqenin e Ujmanit, por zyrtarë të KFOR-it sqaruan se lëvizjet e trupave të tyre po bëhen në kuadër të ushtrimit operativ të paralajmëruar. Këtë ushtrim e ka paralajmëruar në fillim të javës në Leposaviç edhe komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Salvatore Cuoci. Ai pranoi se pjesëtarët e KFOR-it po bëjnë stërvitje, por që nuk ndërlidhen me ndonjë ngjarje që mund të ndodhë atje.

Ndërkohë, komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFCN), admirali James Foggo ka deklaruar në Leposaviç se, KFOR-i është i fuqishëm dhe se nuk parashikon ndonjë problem dhe ndryshim të situatës në Kosovë, ndonëse sipas tij ka potencial për trazira./TCH

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Bomba” ime në Beograd

Letërkëmbimi Mapo-Danas Nga Mustafa Nano I dashur Zoran, Më 9 e 10...
Read More