A do ta gjejë opozita liderin e saj?

Nga Ervis Iljazaj

Zgjedhjet e 25 Qershorit, ndryshuan sistemin politik, duke qenë se pas shumë vitesh do të ketë pushtetin ekzekutiv një forcë politike e vetme. Në këtë kuptim zgjedhjet e fundit parlamentare dhanë një efekt të rëndësishme në konfigurimin politik dhe në atë parlamentare që fillon të Shtunën.

Ndoshta, nuk e ndryshuan sistemin nga shumëpartiak në dy partiak, por, padyshim nxori nga loja e vendimmarrjes politike aktorë të rëndësishëm dhe disa parti që as nuk arritën të kenë përfaqësoheshin në Parlamentin e ardhshëm.

Megjithatë, aktorët e rëndësishëm janë përsëri aty, duke filluar që nga Berisha, Basha, Monika Kryemadhi apo edhe Ilir Meta që tashmë është Presidenti i Republikës, por nuk mund të thuhet që është tërësisht i paanshëm politikisht.  Pra, sistemi politik ndryshoi, por aktorët jo.  Kësaj herë janë të rreshtuar në një kamp, atë opozitar. Kjo shkon në favor të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës, pasi lidershipi në kahun e mazhorancës është i qartë, ndërsa në atë opozitar ende jo, ose më së paku nuk perceptohet si i tillë.

Pritet të ketë një betejë për protagonizmin politik në kampin opozitar, për arsye se shumë nga emrat më të rëndësishëm të politikës shqiptare ndodhen sot në opozitë. Kjo do jetë një vështirësi plus për kryetarin e partisë më të madhe opozitare, Lulzim Bashën. Një situatë të cilën duhet ta zgjidhi sa më shpejt, nëse vërtet kërkon të jetë kandidati për Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe pse u rikonfirmua në krye të Partisë Demokratike me zgjedhjet që u zhvilluan mbas humbjes të 25 Qershorit, Lulzim Basha, ka ende për të bërë, për të konsoliduar plotësisht dhe në mënyrë të besueshme pozitën në drejtimin e saj.

Asgjë nuk është e qartë nëse opozita do jetë e ndarë apo e bashkuar dhe, mbi të gjitha mbi çfarë marrëveshjesh. Që tani ka filluar një garë midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike për të marrë rolin e opozitës. Kjo marrëdhënie nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u përcaktuar dhe, vështirësia për t’i bërë opozitë një qeverie me një ngjyrë politike do të thellohet edhe më shumë për shkak të një garë opozitare që nuk do ta ketë të lehtë të përkufizojë aksionin e saj politik. Nëse do të krijohet një aleancë opozitare midis PD-së dhe LSI-së e cila do të shërbejë dhe si një koalicion qeverisës më pas, apo Partia Demokratike do të marrë e vetme meritat e aksionit opozitar, është çështja më e rëndësishme që pritet të ndodhë në atë kamp.

Përtej marrëdhënieve LSI-PD, Partia Demokratike ka dhe një marrëdhënie të sikletshme brenda saj. Për herë të parë Lulzim Basha do të jetë në Parlament dhe, kjo do ta bëjë betejën e tij më efikase, por nuk dihet nëse Sali Berisha, do të ketë të njëjtin protagonizëm si në mandatin e kaluar apo jo. Nëse do të jetë kështu, atëherë ky do të jetë një problem i madh për Lulzim Bashën për të konsoliduar lidershipin e tij, pasi dihet që karizma e Berishës vazhdon ende të elektrizojë militantët e Partisë Demokratike. Në këtë kuptim opozita do të jetë me shumë kokë, duke qenë së ka emra të rëndësishëm dhe me peshë politike brenda saj, gjë e cila nuk ndihmon opinion publik të jetë i qartë në mbështetjen e saj.

Për të gjitha këto arsye, është në interesin publik që, opozita  të gjejë sa më shpejt liderin e saj, pasi politika si asnjë fushë tjetër shoqërore, nuk e fal paqartësinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rama: Ruçi kryetar Kuvendi. Do të jem në betimin e Metës

Kryeministri tha se shpresonte që marrëveshja me PD të vijonte, pavarësisht situatës...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.