A do ta marrë Kadare sot Nobelin?

Nga Alda Bardhyli

A do të dëgjohet sot para mesditës zilja e telefonit në apartamentin ku Kadarenjtë jetojnë këto kohë në Paris, për t’i thënë që është ai i përzgjedhuri për Nobelin në letërsi? A do ta marrë Ismail Kadare sot çmimin Nobel në letërsi, çmim, që sipas njoftimit zyrtar të Akademisë Suedeze do të jepet sot në orën 1:00 p.m. sipas orës zyrtare në Stockholm? Unë do të thoja po, duke besuar në dimensionin e vjetër konservator mbi të cilin ka funksionuar prej dekadash kjo Akademi, duke menduar hartën gjeopolitike që këtë vit e afron më tepër Nobelin me Europën, por duke parë vendimin e guximshëm të saj një vit më parë, duke ia dhënë çmimin Nobel Bob Dylanit, më bën të mos jem e sigurt në gjykimin tim. Prej vitesh ka një largim të këtij institucioni nga konturi kryesor mbi të cilin Alfred Nobel besoi ku do të ngriheshin vlerësimet që do të jepeshin në emër të tij. Këto janë kritikat që janë shtuar ndër vite ndaj Akademisë Suedeze që kur rumunia Herta Muller u vlerësua me këtë çmim në vitin 2009, apo dhe kur vetë francezët do të befasoheshin nga emri i Patrick Modianos, apo kur një gazetare lufte si Svetlana Alexievich do ta merrte këtë çmim më 2015-ën. A mund ta fitojë çmimin e madh letrar me të cilin janë vlerësuar shkrimtarë si Hemingway apo Albert Camy, Faulkner, Hesse, një ditar me shënime lufte? Sigurisht ajo mund të fitonte çmimin Pulitzer, por nuk mund të mbajë të njëjtën trofe që mban Toni Morrison, apo Boris Pastërnak. Diskutimet mbi atë ku po shkon çmimi Nobel këto vite, dhe cili është qëllimi i lëvizjeve gati-gati të pabesueshme të Akademisë Suedeze ka kohë që kanë përfshirë emra të njohur të mendimit letrar në botë. Por le të ndalemi te Kadare. A do të jetë ai fituesi sot?

Në historinë e shekullit XXI, Ismail Kadare është padyshim një nga shkrimtarët më të mëdhenj, me një histori jetësore po aq sfiduese sa dhe librat e tij. Ndërsa Europa Lindore, apo shumë vende që kanë përjetuar Luftën e Ftohtë, stalinizmin, përplasjet e reja të cilivizimeve, apo rritja gjithnjë e më tepër e dominimit të feve në jetët tona, na kanë bërë të mos e kthejmë shumë kokën pas, duke na bërë të mendojmë se si duhet t’i përballojmë “rreziqet e reja”, Kadare ka aftësinë të na bëjë të mos harrojmë. Trazirat e sotme jo vetëm në Lindjen e Mesme, përplasjet e reja mbi identitetin, mëritë e vjetra ballkanike, kanë në qendër pikërisht harresën. Librat e Kadaresë vazhdojnë të na tregojnë se sa e rëndësishme është ballafaqimi me të shkuarën, dhe njohja mirë e saj. Veprat e tij ruajnë kujtimet e jetës së zymtë në Shqipërinë e vogël komuniste. Ndoshta vetë ky absurd, ndjesia e një ankthi të llahtarshëm i bën këto vepra të jenë një dëshmi e jashtëzakonshme për shekullin, fillimet letrare të të cilit dallohen për tmerrin rreth të cilit shkroi Kafka. Shqipëria është rasti më unikal i një diktature që lulëzoi mu në zemër të Evropës, dhe librat e Kadaresë do t’ia tregojnë gjithmonë botës këtë. Kadare do të na tregojë se çfarë ishte në të vërtetë komunizmi, dhe se do duhet kohë të harrohet një nga tragjeditë më të mëdha që për më shumë se gjysmë shekulli jetuan shqiptarët.

Ai është shembulli i gjallë se si një shkrimtar arriti ta sfidonte diktatorin e tij, dhe të shkruante libra që të lexoheshin në masë në perëndim, pikërisht nga oborri i komunizmit. As Vaclav Havel apo Solzhenitsyn nuk mund ta bënin një gjë të tillë, në një diktaturë që nuk ngjasonte aspak me atë të Evropës Lindore. Letërsia e shkruar gjatë komunizmit në Shqipëri ka qenë ndër të vetmet që ka prodhuar disidencë, dhe këtë mund ta gjejmë lehtë dhe te vepra që konsiderohet si më ideologjikja e Kadaresë, “Dimri i vetmisë së madhe”. Një libër ku shkrimtari e sjell si personazh pozitiv Enver Hoxhën por në të njëjtën kohë tregon mjerimin e jetës së përditshme në vend. Ai e shpreh sfidën e tij përmes paraqitjes së jetës së përditshme në socializëm dhe përmes evokimit të fuqishëm të Shqipërisë së lashtë, më të qëndrueshme se ajo e Enver Hoxhës. Vetë titulli i librit “dimri i madh” ishte një ikje e autorit nga subjekti për të folur përmes një metafore për një dimër të përhershëm që kishte në shoqërinë dhe jetën shqiptare. Romani nis me banorët e Tiranës që përpiqen të rivendosin antenat e radiove e televizorëve të rëna gjatë stuhive të shtatorit dhe e mbyll atë me të njëjtën skenë mbi çatitë e mbuluara nga bora. Kjo është gjuha e mrekullueshme e letërsisë, përmes së cilës ai jepte mesazhet e një mbylljeje totale dhe traumatike që shteti i kishte bërë popullit. Në një botë që ka aq shumë nevojë për modele, Kadare është modeli i jashtëzakonshëm i një qëndrese dinjitoze nën një regjim totalitar. Debatet e fundit të bëra në shtyp mbi raportin e tij me regjimin, pavarësisht tendencave për ta paraqitur Kadarenë si një “shkrimtar oborri” nuk kanë mundur të eklipsojnë figurën e tij. Duke patur parasysh që diktatura e Enver Hoxhës nuk ishte e ngjashme me asnjë diktaturë tjetër në Europën Lindore, dhe duke parë shembuj shkrimtarësh në vende të tilla që kanë pranuar bashkëpunimin me regjimin, qëndrimi i Kadaresë ndaj diktatorit dhe diktaturës e bëjnë atë një shembull të jashtëzakonshëm të këtij shekulli. Në librat e tij gjejmë betejën e heshtur mes shkrimtarit dhe diktatorit, lirisë dhe mizorisë, duke qenë një dëshmi e vërtetë mbi të shkuarën. Në historinë e këtij shekulli asnjë shkrimtar nuk ka mundur të shkruajë vepra me kaq shumë dritë e shpresë brenda, teksa vetë jetonte në një terren tepër të zymtë. E Kadare ka mundur ta bëjë këtë, duke besuar në joshjen e hershme dhe të mrekullueshme të letërsisë, që kur ende fëmijë do të merrte në duar për herë të parë “Makbethin”. Ashtu si Makbethi vrau mbretin e Skocisë, Kadare përmes letërsisë arriti “ta vriste” diktatorin e tij, duke shkruar vepra që do të lexohen në çdo kohë… Ndaj sot telefonata në apartamentin e Kadarenjve nuk do të ishte vetëm një trofe i merituar ndaj shkrimtarit më të madh të kohës, por dhe një trofe për qëndresën dhe ëndrrën e përhershme të letërsisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kontradiksioni i raportit të ministrave teknikë

Nga Ervis Iljazaj Ministrat teknikë dhanë më në fund dorëheqjen duke justifikuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.