A do të riformatohet politika shqiptare në shtator?

Nga Ervis Iljazaj

Fitorja e vetme e Partisë Socialiste në 25 Qershor, pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në sistemin politik shqiptar duke filluar nga shtatori, që përkon dhe me hapjen e punimeve të Parlamentit të ri. Disa efekte kjo fitore i ka dhënë që tani, siç është ajo e frikës së mbipushtetit të Ramës që u ngrit si shqetësim dhe nga beteja e tij për të reformuar administratën publike në një mënyrë jo tërësisht procedurale apo ligjore në “ bashkëpunim” me popullin, por që kërkonte një vullnet politik të hekurt përtej reformave ligjore që janë aplikuar deri më tani.

Megjithatë mbas kaq vitesh që një forcë politike do të drejtojë vendin, do të influencojë dhe marrëdhëniet politike në nivel makro.

Rama e kishte qëllim këtë gjë dhe ja arriti. Fushata elektorale e Edi Ramës u fokusua më shumë në mënyrën e qeverisjes se sa te përmbajtja e saj, duke kritikuar të gjithë sistemin qeverisës që ishte krijuar deri më tani me anë të koalicioneve që funksiononin më shumë si hesape pushtetesh dhe jo si marrëveshje politike të ndërtuara mbi programe dhe vlera të caktuara.

Dhe fitorja e vetme e Partisë Socialiste do të japë efektet e saj në çështje të rëndësishme politike që mbeten për t’u parë se çfarë zhvillimesh do të marrin.

Pikë së pari, këto zgjedhje patën një impakt të rëndësishëm te partitë e vogla politike. Mbetet për t’u parë roli i tyre që do të kenë në skenën politike duke qenë se gjatë periudhës së tranzicionit ato kanë patur një rol të rëndësishëm në formimin e mazhorancave politike. Por, fakti qëndron se fitorja e vetme e PS-së uli ndjeshëm rëndësinë e tyre. Një nga tiparet e këtyre zgjedhjeve ishte padyshim dështimi i plotë i tyre, duke filluar që nga LIBRA e deri te SFIDA. Ky rezultat tregoi se mesazhi i Ramës kundër tyre arriti te shqiptarët.

Pikë së dyti, që tani ka filluar një garë midis Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike për të marrë rolin e opozitës. Kjo marrëdhënie nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u përcaktuar dhe, vështirësia për t’i bërë opozitë një qeverie me një ngjyrë politike do të thellohet edhe më shumë për shkak të një garë opozitare që nuk do ta ketë të lehtë të përkufizojë aksionin e saj politik. Nëse do të krijohet një aleancë opozitare midis PD-së dhe LSI-së e cila do të shërbejë dhe si një koalicion qeverisës më pas, apo Partia Demokratike do të marrë e vetme meritat e aksionit opozitar, është çështja më e rëndësishme që pritet të ndodhë në atë kamp.

Pikë së treti, për sa i përket qeverisjes, ajo nuk do të ketë alibinë e koalicioneve për dështimet e saj. Ky është një nga aspektet pozitive që krijon qeverisja nga një forcë politike e vetme, përgjegjësia që tashmë do të ketë Partia Socialiste ndaj qytetarëve, duke mos patur asnjë alibi.

Në këtë kuptim, skena politike në shtator do të na ofrojë një pamje të re politike dhe një rikonfigurim të ndryshëm. Me një sistem politik që ka ndryshuar tërësisht, por që aktorët e saj politikë janë të njëjtët. Nëse do të vazhdojë politika shqiptare t’i mbajë në skenë apo jo, kjo ngelet për t’u parë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hapja e kutive: Si u vërtetuan pazaret mes partive

KQZ ka hapur dje dhe ka numëruar votat e 64 kutive të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *