A e duan publiken intelektualët publikë?

Nga Klementin Mile

Intelektuali, thoshte Franz Neumann, është ndërgjegjja kritike e kohës së vet. Por a gjendet kjo ndërgjegje kritike te të ashtuquajturit intelektualë publikë të Shqipërisë së sotme? Tek ata që mbushin studiot televizive, faqet e Facebook-ut dhe faqet e gazetave me reagime të forta, me propozime alternative dhe me retorikë të admirueshme? Tek ata që sot shprehen për teatrin, por nuk thonë asnjë fjalë për universitetin dhe televizionet?

A mund të vazhdosh, pra, të jesh ndërgjegjja kritike e kohës tënde, nëse tregohesh selektiv për temat e “interesit publik”? Si mund të jesh intelektual, kur për ty përbën interes publik teatri, por aspak universiteti dhe televizioni? Me cilat kritere privilegjohet dhe i kushtohet vëmendje njërës çështje dhe përjashtohen të tjerat? A mos kanë bërë gjë sondazh në popull intelektualët publikë? Apo janë duke ndjekur agjendën e ndonjë force politike? A mos kanë një agjendë të tyren, që synon të sjellë një shoqëri më të mirë?

E vërteta është se intelektualët publikë i përzgjedhin temat në bazë të interesit të ngushtë personal. Kushdo që i ndjek këta intelektualë në veprimtarinë e tyre, do i ketë rënë në sy që ata për shembull flasin për teatrin, ku nuk kanë interesa, por heshtin për universitetin, shëndetësinë dhe televizionet, ku kanë interesa inkoherentë. Ata flasin për diçka ku nuk janë pjesë si persona përfitues dhe heshtin për gjërat ku punojnë dhe paguhen. Publikja, për këta “intelektualë publikë”, është realiteti ku ata nuk bëjnë pjesë.

Përveç selektivitetit të temave për t’u shprehur, i cili diktohet nga interesa ngushtësisht personalë, intelektualët publikë karakterizohen edhe nga inkoherenca e ideve të tyre. Bie fjala, lidhur me idenë e kalimit të fondeve publike për operatorët privatë, ata (secili prej tyre) shprehen edhe pro edhe kundër. Pro kalimit të fondeve te televizionet private, ku ata paguhen, dhe kundër kalimit të fondeve tek universitetet private, ku ata nuk paguhen.

Ky qëndrim, me inkoherencën e vet ideore, sigurisht që nuk është as ideologjik, e jo më intelektual. Ai motivohet nga interesi i ngushtë personal. Prandaj pyetja e natyrshme ‘Po mirë, a ka ndonjë arsye se pse duhet t’i privilegjojmë financiarisht televizionet private në raport me universitetet private?’, nuk merr përgjigje. Intelektualët publikë nuk shprehen për pyetje të tilla, pasi ato kontrastojnë publiken e tyre (ku ata nuk bëjnë pjesë) me privaten e tyre (ku janë të pranishëm me interesa konkretë). Këto kontraste intelektualët publikë preferojnë t’i lënë në heshtje. Me sa duket ata nuk dëshirojnë që retorika patetike e tyre të pengohet nga logjika e ftohtë e situatës.

Intelektualët publikë janë në kulmin e zërit të tyre, të patosit dhe të stilit, kur e shohin se nuk përfitojnë asgjë personalisht prej ekzistencës së diçkaje. Përkundrazi, ata bien në heshtjen më të thellë, sapo bëhet fjalë për ndonjë gjë prej së cilës nxjerrin përfitim. Ata nuk mbrojnë publiken, nuk luftojnë privaten. Ata mbrojnë atë që e shohin si të tyren dhe luftojnë atë që e shohin si të tjetrit. Maksimalisht inteligjentë, aspak intelektualë.

*Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kujdes! Gjatë shtatzënisë duhet 50% më shumë jod

Në një intervistë për “Mapo”, Dr. Ersida Golemi, mjeke endokrinologe në Poliklinikën...
Read More