A është i nevojshëm Koalicioni me Parti ‘parazite’?

Nga Pirro Prifti

Zgjedhjet në Shqipëri pas viteve `90, kanë kaluar nëpër peripeci të panumërta, në të cilat Sovrani popull, është përdorur nga partitë politike në më të shumtën e rasteve jo si Sovran, por si një kloun i Mbretit, që bën të qeshë ose të hidhëroje fituesin apo humbësin.

Sekreti i këtij mashtrimi në Shqipërinë e sotme, ku lojërat politike nën emrin e sistemit demokratik në kapitalizmin e sotëm, ku Sovrani popull nëpërmjet votës vendos se kush Parti ose Koalicion do të drejtojë, ka qëndruar në pasigurinë se kush do të numërojë vota dhe se kush do të japë verdiktin e fitores dhe humbjes. Këtu kanë ndodhur dy truke kryesore:

Njëri është truku social në të cilin Popullit i jepet ideja se ai është Sovrani i vërtetë i vendit, që vendos nëpërmjet votës;

Tjetri është truku politik ose truku i cili luhet për të përcaktuar fituesin(it), dhe humbësit.

Iluzionistët, janë partitë politike dhe iluzionisti kryesor në përgjithësi është ai që ka në dorë pushtetin.

Po çfarë po ndodh ditët e sotme në Shqipëri? Po ndodh një përplasje e fortë midis dy grupeve të rëndësishme partiake, ku partitë kryesore kanë interesa të kundërt plotësisht me njëra-tjetrën, madje Opozita (kryesisht PD), ka interesa momentalë edhe në kundërshtim me interesat e popullit siç janë kryesisht: integrimi në BE, i cili kalon nëpërmjet disa kushteve që ka vendosur BE dhe këto më të rëndësishmet janë: Vettingu (Reforma në Drejtësi), zgjedhje të lira e të ndershme, lufta kundër kanabisit, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Për të huajt është e vështirë të gjesh se kush është i miri, kush është i keqi, dhe kush është paraziti politik që i bën të mendojnë këta të huaj se nuk është në fakt paraziti, por është moderatori (?!).

Le të shohim pak më thellë politikanët me partitë e tyre që luajnë në aparencë rolin e `moderatorit`, por që në fakt janë parazitët e politikës shqiptare.

Në vitet 2005-2011 rolin e moderatorit e luajtën parti si ajo e Nard Nokës, por më vonë `moderator` kryesor e deri më sot mbeti LSI.

Përpara, rolin e `moderatorit` në vitet 2001-2005 e luajti Aleanca Demokratike dhe PSD,

Më përpara në vitet `97-2001 për një moment nuk pati moderator për shkak të përplasjes së fortë dhe shkërmoqjes së shtetit, por më vonë e luajtën PSD, PAD.

Gjatë viteve `92-97 kanë qenë ‘moderatorë’, PSD dhe partia e Starovës.

Po ta shohim me kujdes rolin e këtyre partive të vogla del se përfshirja e tyre në koalicione dhe sidomos në qeverisje ka qenë problematike sepse ato sillnin këto pesë elemente të rrezikshme të cilat i shkaktonin qeverisjes aktuale kokëçarje të mëdha:

-përfshirjen në qeverisje të militantëve të tyre partiakë pa eksperiencë, dhe pa shkollën përkatëse ose dhe pa shkollë fare,

-mos funksionimin e ministrive përkatëse aty ku u jepeshin për drejtim, me marrëveshje nga koalicioni,

– korrupsionin dhe mitmarrjen

– rritjen e pakënaqësisë në popull, për keqmenaxhim të qeverisjes si pasojë e lëshimeve që iu bëheshin këtyre partive ‘moderatore’, por që në fakt ishin parti parazite me një funksion të qartë të matrapazllëkut,

– Perceptimi nga ana e popullit dhe e elektoratit se, fajin e ka Partia Kryesore, (e cila në fakt e kishte fajin sepse nuk vepronte kur shihte këtë problematikë gjatë qeverisjes).

Kjo ndodhte sepse në përgjithësi Partitë e vogla nuk kanë programe të qarta qeverisjeje për shumë arsye, dhe arsyeja kryesore është se nuk ka në gjirin e saj kontingjentë të mjaftueshëm politikanësh, teknokratësh dhe profesionistësh, por janë parti vetëm `me një karrige`, ku kryetari themelues i saj është dhe mbret, dhe ekzekutor dhe legjislator- pra, këto lloj partish nuk kanë demokraci të brendshme.

Ka dhe një problem tjetër të rëndësishëm, brenda tyre: në përgjithësi Kryetari i Partisë së vogël është në fakt Korruptuesi kryesor dhe ai që përfiton nga ryshfetet dhe metodat korruptive me të cilat mëson vartësit, të cilët i rekomandon për poste.

Kush janë vartësit? Militantë, joprofesionistë, hallexhinj, pjesë të krimit të paorganizuar dhe të organizuar, të cilët nuk ia kanë idenë se përse duhet partia por e kanë shumë të qartë se posti që do të marrin është burim fitimi me çdo mënyrë, qoftë dhe me shkelje të ligjit.

Aktualisht kështu ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 26 viteve.

Që në momentin që u zëvendësua sistemi me një tjetër, nuk u veprua si në vendet e tjera të Europës qendrore, si: Slloveni, Poloni, Çeki e Sllovaki, në të cilat sistemi i ri demokratik, çmontoi me kujdes superstrukturën e kaluar duke e zëvendësuar me elementë profesionistë, duke respektuar qeverisjen nëpërmjet: Teknokracisë dhe Profesionistëve dhe duke e drejtuar politikën me anë të drejtuesve me vizion. Për Shqipërinë kjo dihet dhe nuk është e nevojshme të zgjatem.

Ç’po ndodh me LSI-në, partinë e cila është në Koalicionin mazhoritar në raport me partitë e tjera të vogla pjesëmarrëse, qoftë në koalicionin mazhoritar, qoftë në atë opozitar- a janë parti parazite, të cilat janë përgjegjëse edhe ato për zgjatjen e tranzicionit nga partitë politike shqiptare?

Mendoj se parazitizmi është karakteristike e këtyre partive, sidoqoftë LSI me pasjen e mundësive për të përfshirë në partinë e saj edhe të elementëve profesionistë dhe teknokratë, ka arritur cilësinë e një partie të madhe, e cila mund të bëhet forcë përcaktuese në të ardhmen.

Por pesë elementët karakteristikë të partive të vogla i ka edhe LSI, dhe këto karakteristika janë vështirë të largohen nëse nuk ka demokraci të vërtetë brenda partive dhe nëse këto parti të vogla do të kenë programe reale dhe burime njerëzore të mjaftueshme për të realizuar programet.

LSI në këto vitet e fundit praktikisht gjendet rreth 10 vjet në pushtet, madje në të dyja rastet ka marrë pjesë në dy koalicione krejtësisht të kundërta për sa iu përket Programeve.

Kështu që dalin disa pyetje të thjeshta që nuk kanë marrë përgjigje dhe analistët apo opinionistët nuk i kanë përmendur:

  • A nuk është e domosdoshme që LSI në këto zgjedhje të ardhshme e ka të nevojshme daljen në Opozitë?
  • A nuk është e domosdoshme që LSI të reflektojë për këto 10 vite qeverisjeje nëpërmjet dy koalicioneve paradokse dhe me programe paradokse?
  • A nuk ka përgjegjësi kjo Parti për dështimet e Programeve përkatëse të të dyja Partive të mëdha të cilave u është bashkangjitur?

Këto tri pyetje do të kenë përgjigjen dhe analizën përkatëse në të ardhmen me idenë se legjislacioni dhe KQZ duhet të vendosin kufizime për këto parti të vogla, të cilat parazitojnë në pushtet gjatë viteve, duke dëmtuar rëndë Programet qeverisëse të Partive kryesore, por edhe duke dëmtuar rëndë hierarkinë profesionale, teknokracinë, meritokracinë dhe duke nxitur korrupsionin dhe ryshfetin.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Historia në fund të Historisë

Nga Francis Fukuyama* Dëshira për liri dhe drejtësi është universale, por nuk...
Read More