“A është mirë me qenë shqiptar?!”: Libri më i debatuar i verës

Provokimi i Muç Nanos me prekjen e tabuve mbi kombësinë e nënës së Skënderbeut dhe deklaratës se ”ai ishte më shumë i krishterë se sa shqiptar” shkaktuan një fortunë mediatike, ku u përfshinë gazetarë, politikanë e historianë, duke e bërë debatin më të nxehtë të verës dhe librin më të shitur të muajit me 1 mijë kopje për 3 javë

Mustafa Nano  di si të provokojë opinionin publik sa herë shkruan, por këtë herë ai ka futur në debat jo vetëm kolegët gazetarë, por dhe politikanë dhe historianë. Libri i tij i fundit botuar nga UET-Press “Sandwich- A është mirë me qenë shqiptar?!” ka provokuar një debat të fortë dhe të gjërë nga Tirana në Prishtinë dhe ku janë përfshirë edhe politikanë si Spartak Ngjela, historianë si Pëllumb Xhufi e Moikom Zeqo dhe gazetarë dhe figura të tjera publike, si Artan Shkreli, Shpëtim Nazarko, Ardian Ndreca, e së fundmi edhe Artan Lame.

Debati mbi librin është po aq i nxehtë sa ditët e kësaj vere, ndërkohë që lexuesit kanë treguar një interes për librin duke çuar në 1 mijë kopje të shitura në 3 javë që nga dalja në treg më 7 korrik.

Në këtë libër, i cili në fakt është një mënyrë e të parit të historisë shqiptare dhe shqiptarëve në kohë të ndryshme nëpërmjet syve të udhëtarëve të huaj, Nano ka prekur disa tabu të historisë shqiptare; siç është ajo e origjinës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ishin të paktën dy teza të hedhura në libër dhe të artikuluara dhe publikisht nga Nano gjatë një bisede me studentët e UET-it që ndezën zjarrin e debatit të kësaj vere.

E para kishte të bënte me origjinën e nënës së Skënderbeut, të cilën Nano e quan sllave ose serbe dhe e dyta se Skënderbeu ishte më shumë i krishterë se sa shqiptar.

“Në shek. XIV etnia, identiteti kombëtar, nuk ka qenë shumë i rëndësishëm. Ne themi që Skënderbeu ka qenë i joni, shqiptar, ai më shumë ka qenë i krishterë kur u bë i famshëm sesa shqiptar. Ai nënën e ka pasur sllave, etnia nuk ka qënë shumë e rëndësishme atëherë, martesat mes shqiptarëve dhe serbëve bëheshin pa problem”- u shpreh Nano duke folur mbi librin e tij në Shkollën Verore të Lidershipit organizuar nga UET.

Edhe pse libri kishte marrë “certifikimin” e një prej historianëve më të njohur, Pëllumb Xhufit, i cili që në hyrje kishte vlerësuar guximin e Nanos për të ndërmarrë një sprovë të tillë, por kishte paralajmëruar furtunën që nisi, sulmet ndaj publicistit nuk vonuan.

Historiani dhe shkrimtari Moikom Zeqo i citon Nanos historianët e kohës së Skënderbeut për t’i thënë se e ka gabim. “Gjon Muzaka në Kronikën e tij, të vitit 1510, e thotë shkoqur dhe pa asnjë mëdyshje “se Tribaldet qenë shqiptarë”. Sa për dijeni- për tërë diletantët e paepur- emri Tribalda, ose Triballët nuk është me origjinë sllave, por ilire”- shkruan ndër të tjera Zeqo.

Në debat u përfshi dhe avokat Spartak Ngjela i cili shkon më tej në  reagimin e tij duke e parë librin e Muç Nanos si një “të paguar nga islamizmi dhe Beogradi”, ndërhyrje që autori nuk e priti aspak mirë duke e cilësuar Ngjelën “një idiot”.

Një gazetar nga Kosova, Fahri Xharra, sulmoi ashpër Nanon personalisht pa u marrë aspak me librin, ndërsa në debat u fut dhe gazetari Shpëtim Nazarko që e quan diletantizëm marrjen me historinë nga ana e atyre që s’janë historianë.

Artan Shkreli i quante teza sllave tezat e Nanos, ndërsa vetëm dje ka ndërhyrë në këtë debat edhe Artan Lame, një tjetër studiues i historisë dhe koleksionist.

Duke hedhur poshtë përcaktimet e Nanos për Skënderbeun Lame provokon më tej thotë se ai “nuk ishte shqiptar” pasi në atë kohë nuk ekzistonte kombësia si nocion.

“Në kohën e Skënderbeut nuk ekzistonte Shqipëria, por etnia shqiptare, madje as shqiptare, por arbëre. Dhe, për sa kohë “kombi” është një nocion i shek. XIX, është marrëzi të flasësh për kombësinë, apo t’i japësh një kombësi dikujt që ka jetuar 4 shekuj përpara se të “shpikej” kombi. Ndoshta po të kishte jetuar nja 400 vjet, Skënderbeu me shumë gjasa do të ishte bërë shqiptar, por në 1400-n nuk ishte shqiptar. Së dyti, Skënderbeu ishte pjesë e aristokracisë së kohës, e elitës së kohës. Elitat nuk kanë kombësi, elitat janë mbi dhe transnacionale. Jo vetëm në atë kohë, që nuk ekzistonte fare kombësia, por edhe më pas, elitat europiane nuk kanë pasur kombësi. Nuk kanë as sot kombësi, që kemi 200 vjet të zhytur në epokën e kombeve, jo më atëherë”- shkruan Lame.

Ai e thumbon kolegun e tij Nano duke e cilësuar “qesharak” në profesionin e profesorit të historisë.

“Mungesa e institucioneve shkencore në vend, folklorizmi i tyre dhe folklorizmi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, i shtyn të gjithë që të ngrysen zanatçinj (të nderuar në profesionet e tyre) dhe të gdhihen profesorë (qesharakë në këtë veshje që s’ju shkon)”- thekson Lame.

Debati, siç ndodh rëndom kur bëhet për konsum mediatik më shumë, sesa në rrafsh shkencor është marrë me 2-3 deklarata publike të autorit, ndërkohë që libri voluminoz, siç thotë dhe vetë Nano, ka për qëllim të sjellë një histori tjetër të fqinjësisë mes shqiptarëve, sllavëve dhe grekërve, nga ajo që kemi besuar deri më tani. Një histori që tregon se kemi bashkëjetuar dhe ndarë fatet me njëri-tjetrin para se të bëheshim armiq dhe se ne nuk jemi “të mirët” dhe ata janë “të këqinjtë”, siç thotë Nano

Debati mbi librin e Mustafa Nanos:

Artan Shkreli:

“Përpiqen të argumentojnë, e s’ia gjej dot arsyen e arsyes, por nuk mbërrijnë të nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojne deri aty sa në emër te neo-internacionalizmit ballkanik të deklarojne se ishte serbe). Jepen si argument emrat ortodoksë (jo etnike: që mund t’i ketë kushdo serb, arbër, grek a bullgar) kundrejt atyre arbërore (etnike: si Ghin, Ghon, Deda, etj. që normal janë shumë të paktë) dhe luajne pa kokëçarje me një marifet të tillë fëminor. Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave; thjesht është i pari që e ze n’gojë si të bijën e princit të Tribaleve… kaq.”

Moikom Zeqo:

“Të thuash se Skënderbeu ishte më shumë “i krishterë, sesa shqiptar”, është gjithashtu një nonsens logjik. Përcaktimi “i krishterë” është multinacional, joetnik, por ndërkohë italianët, shqiptarët, spanjollët, sllavët, bizantinët etj ishin etnicitete të ndryshme, të ravizuara shumë qartë, të profilizuar si kombe te mëvetshëm, që në Mesjetë, siç e ka vënë në dukje për  Europën, mjeshtri i shkëlqyer i Mesjetës, dijetari francez Jacques Le Goff. Mos të harrojmë, se Gjergj Kastrioti u njoh me emrin e tij turk Skënderbe, (që reflektonte konvencionalisht një tjetër fe nga krishtërimi,) por ai qe një në fakt një mbrojtës i konceptit substancial kulturologjik dhe qytetërues të Europës Perëndimore, kundër pushtimit osman-që zgjati katër shekuj -jo pak!”

Spartak Ngjela:

“Sigurisht që këta injorantë janë të paguar nga islamizmi radikal dhe nga Beogradi. Gjithmonë ka pasur një lidhje të ngushtë të nëndheshme midis islamit radikal dhe Beogradit kundër Shqipërisë, që të mos e lejojnë triumfin e europizmit në Shqipëri. Më thoni: a ka ndonjë shtet islamik të Lindjes së Mesme që ka njohur Kosovën? Asnjë…

Po e kanë të kotë: sidomos sot. Sot nuk bëjnë dot Asgjë me përjashtim të blerjeve bajate të injorantëve që duan të falsifikojnë historinë e Shqipërisë pa ditur në thelb se çfarë është historia. E gjitha kjo është një ndërmarrje qesharake e hoxhallarëve injorantë dhe tarallakëve të blerë laikë shqiptarë që i tremb qytetërimi perëndimor.”

Ardian Ndreca:

“A mund të ketë Muq Nano teza historike? As për historinë e katundit të vet…Ky asht nji mjeran që ka nevojë me ia lakue emnin e asgja ma tepër. Me mësue historinë prej Muqit asht si me i kërkue leksione financet Sudes”.

Dritan Egro:

“Edhe pas leximit të këtij libri, personalisht vazhdoj të mendoj se është jo vetëm gabim, por edhe paradoks logjik dhe metodologjik që një realitet të caktuar historik dhe kulturor të përpiqesh ta shpjegosh duke u besuar verbërisht vizitorëve që vijnë nga jashtë apo kalojnë përmes tij, pa përdorur fare apo pa i dhënë prioritetin që i takon dokumentacionit “zyrtar” dhe burimeve dytësore të shtetit që e sundonte atë, madje jo për pak kohë, por për shekuj të tërë. Për të zbuluar në është mirë apo jo me qenë shqiptar, mendoj se duhet që, ndryshe nga M. Nano, gjithçka e shkruar deri më sot të shihet dhe të vlerësohet me sy kritik, për sa kohë që ekzistojnë burime arkivore e bibliotekare alternative, madje edhe teza apo hipoteza të ndryshme nga ato që njohim deri më sot, të cilat kanë fuqinë ta sfidojnë, pse jo dhe ta ndryshojnë, atë histori që apriori e kemi mësuar për të vërtetë në shkollat e një sistemi politik të caktuar apo nën ndikimin e drejtpërdrejtë të një konjukture të caktuar ndërkombëtare. Dhe që sot qorrazi e përsërisim rëndom përmes formulave cliché.”

Fahri Xharra:

“Nëno moj,  ky  sistemi komunist i të kaluarës së turpshme të Shqipërisë i paska përgatitur do bijë dhe bija tuaja që në çdo kohë të vjellin vrer mbi ty . Ti nuk e di nënë e dashur , që në atë mbledhjen  e Katovicës me Gorbaçovin (Servet Pëllumbi: Ramiz Alia zbatoi “Katovicën”, 28 Prill 2015 mapo.al ) Ramiz Alija i kishte  sjellur do rregulla që duhet t`i përmbahen ata që e duan shkatërrimin e Shqipërisë. E sheh moj nëno që Katovica i kishte përgatitur edhe Fatos Lubonjën ,edhe Ardian Klosin e tani së fundi po del në shesh një dobiç i ri nga “zbatimi i Katovicës “  .Nëno moj  ai gati është  çmendur , dhe po i frikohem së keqes që edhe ky dobiçi Mustafa Nano po e ndjek rrugën e Ardian Klosit.”

Artan Lame:

“Elitat nuk janë persona, por janë funksione, institucione, dhe si të tilla nuk qëndrojnë mbi nocione të tilla si kombësia dhe religjioni. Së fundmi, mungesa e institucioneve shkencore në vend, folklorizmi i tyre dhe folklorizmi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, i shtyn të gjithë që të ngrysen zanatçinj (të nderuar në profesionet e tyre) dhe të gdhihen profesorë (qesharakë në këtë veshje që s’iu shkon).”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Famullia e Gomsiqes: Selia e “Kanunit” të Gjeçovit

Nëse shumë nga dijetarët e kohës merreshin me punë shkencore në Shkodër...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *