A është PD në krizë?

Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi

Debati pas humbjes së zgjedhjeve në Dibër nga Partia Demokratike nuk tregoi thjesht se në zemër të politikës është lufta për pushtet, por edhe se kriza e vërtetë e Partisë Demokratike është pamundësia e kritikëve për të zhvilluar debat. Një debat mbi mënyrën se si një parti bën politikë, se si ajo sillet si opozitë apo si parti në pushtet fokusohet mbi qëndrimet, idetë, mënyrën se si ajo përpiqet t’i jetësojë këto ide, ndershmërinë me të cilën i mbron etj.

Humbja e zgjedhjeve në një njësi vendore modeste si Dibra nuk mund të shërbejë për një debat të gjerë mbi çfarë është dhe si po sillet opozita. Në Itali u humb bashkia e Romës dhe shumë bashki të tjera të mëdha, në Britani u humb Londra dhe shumë bashki të tjera, në Gjermani u humb Pomerania dhe shumë distrikte të tjera dhe askund nuk u kërkua nga asnjë funksionar partie analizë e gjerë, mbi çfarë është partia dhe lidershipi i Renzit, i Cameron (ai ishte kryeministër në atë kohë), i Merkel etj. Të gjithë këto ishin zgjedhje të pjesshme si Dibra.

Më anë tjetër, në Shqipëri ka një debat se në Dibër rezultati u manipulua nëpërmjet strukturash kriminale të asociuara me qeverinë dhe që kontrollojnë tregtinë e hashashit. Ka patur disa filmime mbi blerjen e votës dhe ka nisur një hetim nga prokuroria. Rezultati është për çdo studiues të shkencave politike i palogjikshëm dhe rrëzon shumë pikëpamje konvencionale mbi zgjedhjet. Veç faktit që humbja në Dibër nuk mund të jetë arsye debate mbi çfarë është opozita, analiza mbi të nuk mund të bëhet pa patur parasysh tri premisa: 1) zgjedhjet u manipuluan, 2) u fituan ndershmërisht nga qeveria, 3) u manipuluan, por jo në atë shkallë sa të shtrembëronin vullnetin e zgjedhësve.

Kritikët nuk thonë se nga cila premisë nisen. Kaq për Dibrën si arsye e stisur dhe tregues i pafuqisë për debat të kritikëve. Një tjetër arsye për të nisur një analizë mbi çfarë është opozita dhe ku po shkon lidershipi i saj për kritikët është organizmi i dobët, përçarja e strukturave lokale etj.

Nuk ka asnjë vend demokratik në botë dhe asnjë parti të djathtë apo të qendrës që të zhvillojë debat mbi strukturat apo organizimin lokal të partisë. Maurice Duverger, një nga teoricienët më të njohur në studimin e modelit të partive politike i ndan ato në dy grupe. Në një grup janë partitë e mbështetura te baza masive dhe grupi tjetër, të mbështetura tek elita.

Grupi i partive (të majta dhe komuniste) të mbështetura te baza masive kanë një organizim të fortë dhe të sigurt dhe një strukturë të qëndrueshme të rregulluar në formë piramidale me hierarki të mbivendosur etj. (sekretar i parë, sekretar i dytë, sekretar politik, ….). Anëtarët e saj e identifikojnë veten më së shumti me ideologjinë e partisë se sa me liderin e saj. Vendimmarrja e tyre mbështetet nga pjesëmarrja e të gjithë anëtarëve.

Këto parti kërkojnë vazhdimisht të rrisin anëtarësinë dhe e bëjnë atë. Grupi tjetër (partitë e djathta) janë partitë e mbështetura tek elita, që parapëlqejnë cilësinë e anëtarëve dhe jo masivitetin, anëtarët e saj janë njerëz me ndikim në nivel lokal apo edhe kombëtar. Këto parti kanë struktura të dobëta, nuk kanë disiplinë dhe iu lejojnë anëtarëve të tyre një liri të madhe veprimi.

Kritikët duket se duan një parti të majtë, me struktura të forta, me hierarki të mbivendosur, disiplinë etj., ankesat e tyre janë se ka degë që nuk kanë kryetar apo kanë kryetar që nuk shkon me sekretarin, apo degë ku kryetari ka ankesa dhe Basha nuk i dëgjon etj. Sigurisht që njerëzit në degë kanë rëndësi, trajtimi i tyre duhet të jetë dinjitoz por nuk mund të bëhet politika në degë dhe as dobësitë në sjelljen e duhur me degët nuk mund të jenë arsye për debat, ku të diskutohet çfarë është një parti, çfarë lidershipi ka etj.

Edhe në partitë e majta është tejkaluar kjo gjë. PDS e Renzit në Itali (e majtë), një parti e organizuar sipas modelit  sovjetik (për shkak të trashëgimisë) ka kohë që nuk bën debat për strukturat me gjithë përçarjen e gjithandejshme dhe humbjen në disa bashki. Partia Demokratike ka nevojë të vërtetë për të bërë debat dhe ndoshta tani, më pak se një vit para zgjedhjeve dhe kur shumica në qeveri ka dështuar të zbusë sadopak gjendjen e rëndë të varfërisë, të papunësisë, ka thellim të korrupsionit, zgjerim të frikshëm të qeverisë ndaj pushteteve të tjera etj., është shumë i vonuar.

Kritikët, jo thjesht Bregu apo Selami, por edhe gjithkush që mendon si ata duhet të debatojnë ose debatonin mbi sa të djathta janë qëndrimet e PD, a po thotë ajo të vërteta të mëdha mbi qeverisjen, a është ajo një opozitë që nuk bën kompromis me qeverinë dhe që nuk mbulon akte të rënda të saj në dëm të ligjit dhe të drejtës?

Në qoftë se qëndrimet e PD nuk kanë qenë antidemokratike, fashiste apo komuniste, ajo ka thënë të vërteta dhe nuk ka bërë kompromis me qeverinë, atëherë debati duhet të fokusohej te propozimet e PD. Ndërtimi i propozimeve është një nga gjërat themelore të opozitës pasi tërë alternativa trupëzohet aty dhe tek ekipi që do t’i jetësojë ato.

Një parti e djathtë dhe kritikët këtë duhet ta marrin të mirëqenë; ka disa konstante të paprekshme. a) Pushteti dhe paraja prodhojnë korrupsion. Njerëzit në qeveri do të shesin influencë për përfitim personal dhe korrupsioni qeveritar është faktori i vetëm kryesor që nuk e lë një vend të përparojë, b) Liria individuale (veç sjelljes seksuale dhe abortit) do të pësojë rënie. Liria është më pak e rëndësishme për të majtën se për të djathtën.

Është logjikë e thjeshtë thotë Dennis Prager, një teoricien i njohur amerikan, sa më shumë kontroll të ketë qeveria mbi jetën e njerëzve aq më pak liri do të kenë ata. Sa më e madhe qeveria, aq më i vogël qytetari, c) taksat ngrihen vazhdimisht me qëllim që të paguajnë qeverinë në zgjerim të përhershëm. Por në një nivel të caktuar taksimi, prodhuesit e pasurisë së shoqërisë do të ndalojnë punën, do të punojnë më pak, do të punësojnë më pak njerëz ose do t’i zhvendosin bizneset jashtë vendit, dhe d) shteti i madh prodhon pashmangshmërisht një deficit të madh – dhe në fund të papërballueshëm.

Kjo është thjesht logjike. Sa më shumë shteti iu shpërndan para – punonjësve të shtetit si rroga dhe pensione; agjencive shtetërore (arsim, mjedis, energji, transport dhe një radhë të tjerash); dhe qytetarëve (grante të përmuajshme sociale, rimbursim qiraje, arsim, ushqim etj.) – aq më shumë do të kërkojnë të gjithë: agjencitë shtetërore dhe individët që marrin para nga qeveria.

Në këto drejtime, mbi këta terma duhet ta zhvillonin debatin mbi krizën e PD Majlinda Bregu apo Eduart Selami, Jozefina Topalli apo kushdo tjetër.

Mbi këto principe ata duhet të ndërtojnë programin për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, sjelljen ndaj pronës, ndaj fesë, ndaj ish të përndjekurve, ndaj  ish-funksionarëve të sigurimit të shtetit, hapjes së dosjeve etj.

Mbi këto principe duhet të kërkojnë ndërtimin e ekipit të ri të PD-së, duke mos lejuar meskinët, injorantët, të korruptuarit, ish-gazetarë të “Zërit të Popullit”, punonjës të instituteve marksiste leniniste, njerëz të sigurimit të shtetit, ish-funksionarë të lartë të regjimit të djeshëm të marrin role të rëndësishme në parti.

Fakti që të gjithë këta e zhvillojnë debatin për gjëra të kota, nuk artikulojnë pikëpamje të djathta do të thotë se ose nuk janë të djathtë ose kanë inate personale. Këta jo vetëm nuk e ndihmojnë PD dhe lidershipin e saj, këta thjesht e dëmtojnë atë.

Kerlinger, një nga teoricienët më të mëdhenj mbi ideologjitë e partive dhe tiparet e atyre që ndjekin të majtën dhe të djathtën thotë se të majtët motivohen nga ego ekstreme personale, vuajnë nga nevoja gati e çekuilibruar  për pushtet, vëmendje dhe famë.

E djathta ka kritere të tjera që nisin fillimisht nga shikimi nga vetja dhe nga vetëpërmbajtja.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Korrupsioni, kali i ngordhur i shoqërisë shqiptare

Nga Namir Lapardhaja Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është një ndër kuajt...
Read More