A është vërtet e ekuilibruar dhe dinamike presidenca e Ilir Metës?

Nga Ndriçim Kulla

Një presidencë si e Metës, e nisur në javën e fundit të korrikut, kur në të gjithë botën edhe politikanët dhe shtetarët fillojnë të mendojnë për pushimet vjetore të gushtit, për të cilat kanë të drejtë që si të gjithë të tjerët, edhe në mes të dhjetorit, sipas praktikave perëndimore të punës, do të ishte faktikisht në krye të 100-ditëshit të parë të saj.

Nëse kemi parasysh kufizimin e vazhdueshëm të kompetencave të Presidentit të Republikës, gjë që ka nisur me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, për të cilat Meta nuk është përgjegjës, dhe ka vazhduar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, për të cilat nuk merret vesh se përse duhet të reduktonin më tej kompetencat e Presidentit kur kishin si qëllim Reformën në Drejtësi, mund të themi se Meta ka kushtet e pafavorshme të të qenit i pari president me kompetenca dukshëm të “krasitura”.

Megjithatë Meta me dinamizmin që e karakterizonte si politikan dhe burrë shteti, dinamizëm të cilin po e përçon edhe në postin e ri si President, e ka mbajtur në profil të lartë rolin dhe figurën e Presidentit, megjithëse në kushtet e pafavorshme objektive që përmenda më lart.

Që në shtator Meta ka patur vizitë zyrtare në Itali dhe në Gjermani, me takime të nivelit më të lartë. Sigurisht nuk mund të pritej që në muajt e parë të Presidencës së tij, Meta të kishte vizita në Washington e Bruksel, sepse ka praktika diplomatike, sipas të cilave një kryetar shteti i huaj, aq më tepër i një vendi të vogël si Shqipëria, duhet të kalojë periudhë pas marrjes së mandatit para se të shkelë zyrtarisht në këto qendra të politikës botërore. Fakti që Meta vizitoi Gjermaninë dhe Italinë shumë shpejt pas marrjes së detyrës, tregon se ai do të jetë në qendrat e tjera botërore të politikës, më shpejt se paraardhësit e tij.

Meta ka treguar se ai dëshiron të jetë një president aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë. Në përshëndetjen që mbajti në samitin e shefave të Shtabeve të Ushtrive të vendeve të NATO-s, në Tiranë, si dhe në takimin që pati me rastin e këtij samiti me Shefin e Shtabeve të Bashkuara të SHBA ai e bëri të qartë, se ai rolin e tij si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të një vendi të NATO-s nuk e shikon si thjesht ceremonial, siç do të donte dikush, por është i vendosur që të jetë një faktor institucional i rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n. Duke pasur në vëmendje procesin e integrimit europian, Meta takoi Komisionerin e zgjerimit Johannes Hahn.

Si për t’u dhënë një sinjal atyre që presin të sillet si i kompleksuar nga pakësimi i kompetencave presidenciale sa i përket drejtësisë, Meta e ka pasur dukshëm drejtësinë në axhendën e tij presidenciale që në këto 100 ditë të para faktike të presidencës së tij. Mori pjesë në konferencën për shqyrtimin gjyqësor administrativ në Shqipëri, si dhe në Kongresin II të Noterisë, ku foli për digjitalizimin si prioritet. Si një shtetar me përvojë Meta e di se nuk mund të ketë drejtësi që funksionon pa një noteri që funksionon sipas standardeve europiane. Gjithashtu, Meta ka pritur në takim Presidentin e Komisionit të Venecies.

Presidenti aktual që në këtë fillim të presidencës së tij është përpjekur të vërë në dukje rolin e tij kushtetues si përfaqësues i unitetit të popullit. Megjithëse vjen nga një e kaluar politike dhe familjare e majtë, partizane, ai ka respektuar njëlloj si president të gjitha palët. Meta shprehu ngushëllime të sinqerta për vdekjen e Farudin Hoxhës, mori pjesë në përkujtimoren e Konferencës së Pezës, por bëri ngushëllim edhe për vdekjen e një figure të djathtë, ish-i burgosur politik, si Beqir Ajazi, si dhe vizitoi familjen e Azem Hajdarit duke dhënë edhe një pritje mjaft domethënëse në Pallatin e Brigadave. Pra, Ilir Meta u bë i pari president i majtë që organizoi pritje me rastin e 8 dhjetorit, gjë që ka të bëjë dhe me të kaluarën e tij si dhjetorist.

Meta gjithashtu ka patur kujdes të theksojë rolin që ka me Kushtetutë për mbrojtjen e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë. Dhe në këtë kontekst bëri një vizitë në Kosovë, ku u nderua me dekoratën “Urdhri i Pavarësisë”. Sigurisht që kjo dekoratë iu dha edhe për rolin që ka patur në kohën e luftës së Kosovës, kur si zëvendëskryeministër ishte personi përgjegjës në qeveri për përballimin e krizës së refugjatëve të luftës të dëbuar nga regjimi i Milosheviçit. Me këtë rast Meta u soll si burrë shteti duke bërë homazhe edhe në Prekaz te memoriali i Familjes Jashari, edhe te varri i Ibrahim Rugovës. Në vizitën e tij në Prekaz Ilir Meta tha:

“Kur shikon gjithë ata burra, gra dhe fëmijë të rënë, e kupton se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi i lirisë. Brezat e rinj sidomos duhet të shprehin nderimin, por njëkohësisht të mbajnë gjallë angazhimet për të forcuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në botë”.

 Meta u bë i pari President shqiptar që vizitoi Manastirin në ditën e Kongresit të alfabetit të gjuhës shqipe. S’ka patriot dhe intelektual që të mos e vlerësojë këtë gjest. Gjithashtu, Meta mori pjesë në përurimin e shtatores së Idriz Seferit në Ferizaj. A nuk u bë po i pari president shqiptar në detyrë kur vizitoi Luginën e Preshevës?

Me rastin e vizitës së tyre në Shqipëri të disa figurave të shquara arbëreshe, Imzot Giorgio Demetrio – Gallaro, Arqipeshkv i “Piana degli Albanesi”, Profesor Mateo Mandala – Universiteti i Palermos dhe Profesor Francesco Altimari – Universiteti i Cozencas, Meta i priti ata në presidencë. Gjithashtu, Meta mori pjesë në Konferencën “Dita e dialogut të Diasporës”. Meta ishte i pranishëm në përurimin e shtatores së Shën Terezës në Kroaci. Me këtë rast ai tha: “Le të jetë vepra e shën Terezës udhërrëfyes për të gjithë ne”.

Presidenti Meta tregoi kujdes edhe për të respektuar të huajt që kanë bërë shumë për kulturën shqiptare. Ai bëri homazhe për albanologun Robert Elsie. Gjithashtu, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së arteve figurative të autores gjermane, Rosemarie Trockel.

Gjithashtu dekoroi Franz Josef Shtraus, një mik i shquar i Shqipërisë.

 Meta ka treguar vëmendjen e tij ndaj kulturës shqiptare, duke i dhënë dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, me rastin e 60-vjetorit të krijimit, duke vlerësuar kështu rolin që ka patur ky institucion artistik në promovimin e kulturës shqiptare në botë. Në ditën e trashëgimisë kulturore vizitoi Beratin. Dhe sivjet ishte i vetmi shtetar i lartë në panairin e librit.

Në fillimet e presidencës Meta ka gjetur vëmendje për problematika të shumëllojshme të vendit. Ndërmori një nismë për luftë kundër dhunës në familje. Vizitoi Strehën e parë vorfnore, fshatin SOS, si dhe hapi një ekspozitë në Presidencë me rastin e javës së fëmijëve jetimë. Ishte aktiv edhe në Javën e fëmijëve pa përkrahje prindërore, si dhe ndoqi në terren situatën e përmbytjeve. Këto janë gjeste të kryetarit të shtetit, që mund të mos kenë vlerë materiale, por i tillë është roli i tij kushtetues, ai nuk është kryetar i qeverisë që ka buxhetin. Por me këto gjeste kryetari i shtetit tërheq vëmendjen e qeverisë dhe të opinionit publik.

 Presidenti ka patur një axhendë intensive edhe në marrëdhëniet me shoqërinë civile. Ai vizitoi Qendrën e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri dhe pati takime me aktivistë të saj, si dhe drejtues të 15 organizatave jofitimprurëse.

 Po ashtu ka patur në axhendë edhe problemin e dhunës ndaj gazetarëve. Ai dha një pritje me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së dhunës ndaj gazetarëve, ku bashkëbisedoi me shumë gazetarë.

Nuk duhet mënjanuar vëmendja edhe për arsimin dhe unë shpresoj se të njëjtën gjë do ta bëjë në të ardhmen sidomos për problemet e librit shqip dhe promovimit të turizmit shqiptar. Ai zhvilloi një vizitë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, me rastin e 65-vjetorit të themelimit të tij, duke theksuar rëndësinë që ka mjekësia veterinare për mbarëvajtjen e blegtorisë dhe në cilësinë e mishit që i shkon konsumatorit.

 Në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit organizoi festimin e “Hanukaja”, që është Festivali i Dritave e i lirisë së besimit, një festë kjo e bashkësisë hebraike shqiptare, por që nga domethënia e saj ka vlerë globale. Dhe e gjithë kjo dinamikë zhvillimi, në një kohë të shkurtër, as pothuaj gjashtë muaj.

Presidenca Meta është dëshmuar kështu deri tani me një risi të re për presidencën shqiptare e cila konsiston me një axhendë të shumanshme gjithëpërfshirëse, por dhe me një ekuilibër origjinal, i cili duhet të vazhdojë, sepse pikërisht për këtë ka nevojë shoqëria shqiptare e trazuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Matura Shtetërore: Studentët zgjedhin universitetet private

Nga të dhënat e fundit të Maturës Shtetërore shifrat tregojnë qartë që...
Read More