“A është ‘Xhafaj’ një nga familjet mafioze?”: Detajet e dosjes së Agron Xhafajt, i dha 1 kg heroinë agjentit të DEA-s

Partia Demokratike ka publikuar dokumentet e ardhura nga Italia , ku rezulton se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg në shtetin fqinj.

Por i pyetur se ku ka qenë vëllai i Xhafajt para 2013-tës, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi i formës së prerë është marrë në shtator 2012.

“Xhafaj gënjen dhe është plotësisht në dijeni se vëllai i tij Agron Xhafaj, alias Goni është dënuar me vendim gjyqësor në Itali dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë nga dënimi i dhënë, duke jetuar nga 2013 e këtej në Shqipëri.

Xhafaj ka jo vetëm përgjegjësi politike e morale, por dhe ligjore. Sipas legjislacionit në fuqi një nga detyrat kryesore të policisë së Shtetit është identifikimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor në mungesë.

Është detyrë e ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në policinë e Shtetit të identifikonin Agron Xhafaj dhe të arrestohej për të vuajtur dënimin. Opozita ia ka bërë me dije ministrit të Brendshëm që vëllai i tij është i dënuar po ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim”, tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.

“A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?” pyeti Alibeaj.

Këshilltari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi tha se Agron Xhafaj kishte rolin e blerësit, mbajtësit dhe dhënësit të drogës.

Në një rast ai është filmuar teksa merr 1 kg heroinë dhe ia jep një agjenti të infiltruar të DEA-s.

“Me vendim nr 2232, i 2012, i Gjykatës së Lartë të Italisë është rrëzuar kërkesa e Xhafës duke lënë në fuqi dënimin me 7 vjet burg. Për pasojë ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal për trafik ndërkombëtar mes Europës dhe SHBA-së për drogën.

Marrëveshja ishte për shkëmbim të drogës mes grupeve. Në operacionin e drogës merrte pjesë si i infiltruar një agjent i DEA-s, të cilit iu dërguar 1 kg heroinë që e siguroi Agron Xhafaj”, tha Bardhi.

Sipas tij “Agron Xhafaj është dënuar për bashkëpunim me persona të tjerë për mbajtje, dhënie dhe marrje të drogës ku ai kishte rolin e blerësit të drogës. Dosja posedon përgjime telefonike që zgjatën prej 1 viti e gjysmë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi i ditës, 17 korrik

Dashi Ky është një moment shumë i mirë për të pushuar dhe...
Read More