A i takoi Tahiri Habilajt?! Lu: SHBA ofron prokurorë të FBI për hetimin ndaj Tahirit

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë treguar gadishmërinë e tyre për të ofruar ekspertizën nëpërmjet prokurorëve të FBI, për çështjet hetimore të korrupsionit në nivele të larta, një prej të cilave dhe ajo ku është e përfshirë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Lajmi në fjalë është konfirmuar për TV Klan nga Ambasada e SHBA në Tiranë.

Ndërkohë mësohet se çështja në fjalë është diskutuar dhe në takimin që Ministri i Brendshëm ka zhvilluar pas mesdite me 2 ambasadorët, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Ambasada Amerikane njofton se këto çështje kërkojnë një hetim të plotë dhe proces ligjor të paanshëm.

 

Ndërkohë TOP CHANNEL raporton se prokurorët kanë marre në pyetje shoferin e dytë të ish-ministrit Saimir Tahiri. Prokurorët që ende nuk e kanë marrë në pyetje vetë Tahirin, por verifikojnë të dhënat e një takimi mes ish ministrit me Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, arrestuar për trafik droge. Takimi mendohet të jetë zhvilluar në vitin 2014 në Greqi.

Shtetasi Alban Aliaj, shoferi i dytë i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që më herët ka qenë punonjës i gardës së Republikës është thirrur nga prokurorët që po hetojnë dosjen Tahiri-Habilaj. Emri i Aliajt ka dalë pas kqyrjes në sistemin TIMS. Gjatë muajit gusht 2014, Alban Aliaj ka shkuar në Greqi me një automjet zyrtar. Në të njëjtin moment ka shkuar në Greqi edhe Artan Habilaj, në bordin e Audit AA 003 GB.

Gjatë pyetjeve në prokurori ish-shoferi i Tahirit ka pranuar se Artan Habilaj ka mbërritur në Greqi dy ditë pasi ministri Tahiri ndodhej në plazh me bashkëshorten. Pas takimit mes të dyve, automjeti Audi AA 003 GB me të cilin udhëtoi Artan Habilaj qëndroi në Greqi, kurse vetë Habilaj u kthye në Tiranë me ish-shoferin e Tahirit.

Në dëshmitë e tij Saimir Tahiri ka këmbëngulur se automjetin AUDI e ka shitur që prej 2013-s dhe se nuk ka patur kontakt me Habilajt. Kurse ngjarja për të cilën prokurorët kanë siguruar dëshminë e ish-shoferit, ka ndodhur në 2014-ën. Burimet nuk konfirmojnë se për çfarë u shërben kjo dëshmi prokurorëve, të cilët nuk e kanë vendosur ende se kur do ta marrin në pyetje vetë ish-ministrin Tahiri.

Por megjithë numrin e lartë të të pyeturve, ku nuk kanë munguar edhe zyrtarë të lartë policie, prokuroria e humbi betejën paraprake në gjykatë për ndalimin e daljes jashtë shtetit të Saimir Tahirit si edhe per arrestin me burg per Orest Sotën, biznesmenit që iu gjetën në automjet patentat detare të ish-ministrit dhe mbi 860 mijë euro.

Për të dyja këto vendime të Apelit prokuroria ka ende kohë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ndonëse deri tani nuk e ka bërë. Nga ana tjetër, një dosje me tre fashikuj hetimore i është bashkangjitur dosjes Habilaj, bëhet fjalë për dosjen e Dritan Zaganit, ish-policit që ndodhet në azil jashtë vendit dhe që denoncoi i pari lidhjet e Habilajve me ish-ministrin.

Vetë Artan Habilaj, që përmendet në dëshminë e ish-shoferit të ministrit Tahiri dhe Florion Habilaj, nuk janë arrestuar akoma, ndonëse dyshohet se fshihen në fshatrat e Vlorës. Kurse vëllai i Artanit, Moisi Habilaj dhe të dyshuar të tjerë janë të arrestuar në Katania të Italisë ku po hetohen për trafik ndërkombëtar droge.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Frrokaj izolohet në banesën dykatëshe, ruhet nga policia

  Pasditen e djeshme kryetari i bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj la...
Read More