A ishte shtatori muaji i Bashës?

Sezoni politik ka nisur me vrull. Megjithatë kishte nga ata që prisnin një opozitë radikale me protesta. Por lideri i PD ofroi nisma ligjore si vettingu në politikë dhe ai në biznes. A ishte ky muaji i Lulzim Bashës? Flasin analistët Alfred Lela dhe Ilir Kalemaj

Pakkush do ta kishte kuptuar se Lulzim Basha, në fillim të muajit shtator do të ngrihej nga “hiçi politik” i fillimvjeshtës për të hedhur në tryezë propozimin aspak të panjohur, por i shtyrë dhe i përdorur në kontekste të caktuara; vetingu në politikë.

Në një elektorat të polarizuar, Lulzim Basha provoi ta ndante veten nga dogma politike e ditës, duke iu drejtuar një audience të gjerë. Sepse sot, vështirë se mund të gjendet një i majtë apo i djathtë, akademik apo profan, i punësuar ose jo që të mos mendojë se vetingu nuk i duhet politikës.

Me nismën për pastrimin e kësaj klase, (ku bën pjesë edhe vetë) Lulzim Basha nuk i përngjan aspak atij rastit të artë se bërja e një ligji është një proces i ngjeshur juridik apo produkt i dhjetëra kompromiseve. Jo dhe jo. Projektligji i propozuar prej tij nuk harxhoi kohë, as negociata e aq më shumë mendim të thellë juridik. Ligjit për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kishte kaluar tre herë në Venecia e ishte këshilluar nga ekspertë të jashtëm e të brendshëm, Basha i bashkëngjiti edhe politikanët. Për ata që e kanë provuar shijen e pushtetit, nisma në fjalë ngjan si vetëvrasje politike, ndaj dhe nuk duhet marrë me doza të larta serioziteti.

Por, në kushtet kur përfaqësimi politik në Kuvend është zhgënjyes, kur mungon qarkullimi i elitave, ku nuk ka meritokraci, ku debati politik i ditës lë për të dëshiruar e ku “i forti” po bëhet edhe më “i fortë” përmes lidhjeve të drejtpërdrejta me politikën, propozimi i Bashës bash i ka shkuar për shtat këtij pellgu politik. Ai enkas e ka vënë Ramën para faktit të kryer: ose ta votojë në tërësi ligjin me tri nene ose ta kundërshtojë në të njëjtën mënyrë. Rrugë të mesme dhe negociata për qepje apo arnim të ligjit nuk ka. Në anën tjetër as Rama nuk ka mbetur duarkryq. Rama kalamendet me një nismë të tillë, që dikur për konsum politik, e kishte pranuar aty për aty. Ai nuk e merr seriozisht me argumentin se një gjë të tillë nuk po e bën as kundërshtari i tij. “Nuk është veting, por palaçollëk…”, -tha shkurt Rama në emisionin “Opinion”.

Duke hyrë në teknikalitete dhe arsyetime se kush duhet ta bëjë vetingun, ku dallon nga BKH dhe SPAK apo ç’do të thotë kontakt i papërshtatshëm i një deputeti me persona me rekorde kriminale, debati mund ta zbehë nismën.

Vetingu në politikë rrezikon t’i mbetet shtatorit, duke u shndërruar më shumë në konsumizëm, sa kohë që nisma vërtet është futur në hullitë parlamentare, por me disa procedura të tejzgjatura që nis me dërgimin në Venecia për ta “bitisur” nga fillimi i muajit Dhjetor, me votat kokëforte të mazhorancës. Mes kësaj periudhe rifillon edhe debati për Reformën në Drejtësi. Për pasojë, gjithçka merr drejtim në mënyrën se si do të luajë Basha…

***

Pa u tharë boja e projektligjit për politikën, në një nga tryezat e opozitës, Basha lajmëroi një tjetër nismë; antimafien në biznes. Ai prezantoi platformën për çlirimin e ekonomisë, duke sjellë në tavolinë emra konkretë biznesesh, pasuritë e të cilëve do t’u sekuestrohen kur PD-ja të vijë në pushtet. Propozimi i tij nuk ka të ngjashme me ata që sot drejtojnë një forcë të djathtë. Por për Enkelejd Alibeaj (kur detajoi nismën) jemi në një situatë të pazakontë ndaj edhe nismat duhet të jenë të tilla. Sot, Basha flet me terma “oligarkësh” e “sekuestrim” pasurish ndaj atyre bizneseve që kanë përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin. Përmbledhtas, Basha ia ka lënë në dorë një drejtorie antikorrupsion verifikimin e kësaj zallamahie, me argumentin se 10 biznese apo diçka më shumë kanë prishur tregun e lirë dhe konkurrencën e drejtë. Por, përballë një shqetësimi real për kontrata koncesionare të pakërkuara apo PPP të dyshimta, Basha duket se devijoi nga rendi i të djathtës kur për të mbyllur një herë e mirë këtë fenomen, ai u kritikua nga disa analistë se nuk propozoi ndonjë zgjidhje ligjore, por kaloi në anën e kundërt dhe më ekstremen. Ai premton sekuestrim pasurish të përfituar në mënyrë korruptive e klienteliste, kthim të pasurisë te qytetari nga çdo kompani që ka përfituar në mënyrë abuzive e deri tek anulimi i kontratave “klienteliste” dhe “korruptive”.

“Paratë dhe pasuritë e konfiskuara do të përdoren për shërbime dhe investime publike”, citat ky jo i ndonjë platforme të majtë, por vetë PD-së. Megjithatë, funksionarë të opozitës kanë këmbëngulur disa herë se nisma e tyre është e djathtë, pasi synon të mbrojë tregun dhe konkurrencën e lirë.

Në anën tjetër, PS, prej disa ditësh, rendit si qitap emrat e “oligarkëve” të përmendur nga Basha, që janë në marrëdhënie biznesi me kompaninë e kunatit të tij, Erion Isufi. Kundrejt një mohimi të Bashës në emisionin “Open” në TCH, “se asnjë nga të afërmit e mi nuk ka kompani konsulence”, PS-ja “i përplasi” një ditë më pas gjashtë kompani reklame dhe konsulence të kunatit të tij. Edhe PS-ja në këtë rast përdor një gjuhë të drunjtë sa kohë që për konsum politik, kërcënon për marrje masash një biznes privat i kujtdoqoftë ai.

***

Thuajse çdo shtator të tri viteve të fundit, Lulzim Basha ka paralajmëruar protesta deri në kufijtë e revolucionit. Për shumëkënd që ka parë e dëgjuar se çfarë është bërë këta 28 vjet në Shqipëri, ideja e revolucionit në një vend si ne ngjan si utopi, e aq më shumë që ajo të vijë nga një forcë e djathtë. “Po të bashkohemi të gjithë në shesh, Rama bie për 7 ditë…”, -tha Basha në emisionin “Të paekspozuarit”. Në fakt, ai nuk solli “revolucion” në protesta, por në një tjetër formë, atë programore por edhe politike. Ai mundësoi një diskutim konkret në politikë, që pas propozimit të ligjit të dekriminalizimit e cila rezultoi deri diku e suksesshme me largimin e 330 personave nga administrata dhe jeta publike. Basha po synon gjithashtu të ridimensionojë opozitën. Në muajin shtator, ai doli me një grupim të gjerë opozitar (që vetëm pesë vite më parë e anatemonte), ka lënë zyrën e PD-së duke e zgjeruar debatin në bazë përmes takimesh on block, si dhe ka paralajmëruar akte të forta politike për çështje të ndjeshme siç është edhe ajo e Teatrit.

Prandaj, mbetet për t’u parë nëse shtatori do të jetë muaji i vetëm i Lulzim Bashës apo edhe ato në vijim…

 

Kalemaj: Aktet politike të Bashës parathonë një qëndresë të fortë opozitare

Analisti Ilir Kalemaj komenton nismat e Lulzim Bashës, dhe flet për shumëçka lidhur me lëvizjet e opozitës muajt në vijim.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kishte premtuar një shtator protestash dhe revolte ndaj qeverisë “Rama”, por a ishte ky një shtator me tjetër strategji, nismash ligjore dhe denoncimesh, për ato që PD i quan si lidhje të qeverisë me krimin dhe a është parathënie e saj për lëvizje më radikale muajt pasardhës?

Shtatori nisi me një tramundanë të fortë vjeshtake, ku opozita duket e vendosur për t’i qëndruar premtimeve verore për përballje të fortë me një pushtet sa arrogant numerikisht, aq edhe mospërfillës politikisht. Kërkesa për veting politik si akti i dytë i dekriminalizimit, zhvendosja e tribunës parlamentare në qytetet më të mëdha të vendit njëherazi dhe të rrezikuara ndjeshëm nga kriminaliteti në rritje, denoncimi me zë dhe figurë i oligarkisë dhe qëndresa e fortë për çështjen e Teatrit, janë akte politike që parathonë një qëndresë të fortë opozitare. Akte politike janë dhe bashkimi i frontit opozitar duke u zgjeruar dhe me parti me elektorat të konsiderueshëm si PDIU por edhe akuzat e forta politike në drejtim të eksponentëve të mazhorancës si të përfshirë në afera të rënda korruptive dhe kriminale.

Nga ana tjetër, opozita duket e kapërthyer mes “Shilës” së mbështetjes pa kushte të reformës në drejtësi si akt i kërkuar njëherazi nga pjesa dërrmuese e popullsisë dhe ndërkombëtarët, por që njëkohësisht rrit kapitalin politik të mazhorancës që e përdor si kredit dhe “Karibda” e instrumentalizimit të procesit për avantazhe politike dhe rreziku i kapjes së institucioneve të reja politikisht. E njëjta gjë vlen dhe për procesin e integrimit, ku opozita ka detyrimin moral për të qenë luajale në votimin e legjislacionit përkatës në një proces që ka nisur me kapitujt për “screening” duke filluar me të parin që është gjyqësori. Por nga ana tjetër, ndjen dhe presionin e bazës së vetë ku doza e pakënaqësisë me pushtetin ka arritur në nivele maksimale dhe kërkohet një qasje më agresive në përballje me të, duke nisur stinën e protestave masive. A do i përshkallëzojë opozita veprimet apo do kombinojë format e protestës me ato institucionale për të arritur rezultate konkrete? A do t’i djegë mandatet si akt i fundit sublim ndaj një pushteti të shurdhët apo do të kërkojë ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për të arritur konsensus për konstituimin e organeve të drejtësisë, KQZ-së dhe organeve të pavarura dhe dakordësia për reformën zgjedhore? Këto ngelen për t’u sqaruar në një strategji të frontit opozitar ku të kihen parasysh edhe objektivat afat-shkurtra si zgjedhjet lokale dhe ato afat-mesme si ndryshimet në kodin zgjedhor dhe funksionimin e ligjit antimafia.

Brenda një muaji Lulzim Basha ka propozuar dy nisma të diskutueshme, vetingun në politikë dhe atë në biznes. Për secilën prej tyre ka opinione të ndryshme për vetë përmbajtjen që kanë. Në thelb si i keni parë këto nisma, sa e vërtetë është PD-ja në këtë proces, dhe a rrezikon që kjo lëvizje e shtatorit (më i rëndësishmi për PD-në pas dekriminalizimit) mund të kthehet thjesht në konsumizëm, si një lëvizje propagandistike?

Vetingu në politikë është një nismë për pastrimin e parlamentit, filtrimin e politikës dhe hapjes së perspektivës për qarkullim elite bazuar në meritokraci dhe vlerë të shtuar. Gjithashtu, ndihmon në përmirësimin dhe rritjen e nivelit të përfaqësimit që me këtë parlament dhe paraardhësin kishin kapur pjesën fundore në historinë parlamentare shqiptare- me përjashtim të periudhës së komunizmit.

Vetingu në biznes nga ana tjetër kërkon goditjen e monopoleve dhe oligopoleve që herë në formën e koncesioneve dhe herë në formën e PPP-ve kanë transferuar rreth 1 miliard euro nga duart e taksapaguesve në ato të oligarkëve. Këtu nuk bëhet fjalë për sipërmarrjen e ndershme por pikërisht për ata që kanë deformuar tregun e lirë dhe konkurrencën e drejtë dhe të rishikohen kontratat për të parë jo vetëm kost-efektivitetin e tyre por edhe abuzimet e mundshme qysh në formulim. Kontrata koncesionare të pakërkuara dhe PPP-të e dyshimta janë vënë së fundmi dhe në rrezen e kritikave të përqendruara të FMN-së, Bankës Botërore dhe Komisionit Europian. Raporti i fundit i Moody’t gjithashtu i quante me risk të lartë për ekonominë duke rritur shpërpjestimisht peshën e borxhit publik në periudhën afat-mesme. Gjithashtu, këto nisma të opozitës duket se kanë rezonuar pozitivisht të paktën te elektorati i pakënaqur me ritmin e reformave qeveritare dhe kapërcejnë kufijtë e ngushtë të një force politike

 

Nismat, Lela: Basha po i beson procesit dhe jo revolucionit

Drejtori i “Politiko.al”, Alfred Lela komenton nismat e opozitës, çfarë sjellin ato në politikën shqiptare dhe se cili është mesazhi që Basha duhet të përsërisë 1 mijë herë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kishte premtuar një shtator protestash dhe revolte ndaj qeverisë “Rama”, por a ishte ky një shtator me tjetër strategji, nismash ligjore dhe denoncimesh, për ato që PD i quan si lidhje të qeverisë me krimin dhe a është parathënie e saj për lëvizje më radikale muajt pasardhës?

Ne gazetarët duhet të përkujdesemi dhe të kujtojmë vetëm premtimet që nuk mban qeveria, dhe jo për “premtimet” e opozitës. Në anën tjetër, me radikalizëm nuk duhet të kuptojmë vetëm procesin parapolitik të rrugës, por edhe radikalizimin e ideve, ose idetë në kulmin e aksionit të vet. Kjo ka ndodhur edhe me këtë ndryshim kursi të opozitarizmit të z. Basha. Në vend të protestave fizike, ai na ka paraqitur protestat ideore, programore apo shndërruese. Ka bërë mirë, dhe për dy arsye: së pari sepse përfaqëson një parti të spektrit të djathtë që i beson procesit dhe jo revolucionit, dhe së dyti se ndërkombëtarët nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh. Do të thotë, në asnjë rast nuk do të mbështesnin radikalizmin fizik. Te ky i fundit je i lejuar të dorëzohesh vetëm pasi ke shterur çdo opsion që mund të luftohet me anë të ideve.

Unë besoj se Basha do të bëjë dhe duhet të bëjë të njëjtën lëvizje të kryer edhe me dekriminalizimin: 1 mesazh, 1 mijë përsëritje. Ky mesazh është vetingu në politikë.

Brenda një muaji Lulzim Basha ka propozuar dy nisma të diskutueshme, vetingun në politikë dhe atë në biznes. Për secilën prej tyre ka opinione të ndryshme për vetë përmbajtjen që kanë. Në thelb si i keni parë këto nisma, sa e vërtetë është PD-ja në këtë proces, dhe a rrezikon që kjo lëvizje e shtatorit (më i rëndësishmi për PD-në pas dekriminalizimit) mund të kthehet thjesht në konsumizëm, si një lëvizje propagandistike?

Të diskutueshme prej kujt? Dhe mbi cilin parim? Shumica qeverisëse nuk pritet që të duartrokasë ndonjë prej nismave të Bashës. Nëse e bënte duhej dyshuar si për qeverinë ashtu dhe për opozitën. Në të kundërt, sa më shumë bërtet qeveria për ‘diskutueshmërinë’ e ofertës opozitare, aq më shumë duhet të shohim me dyshim qeverinë dhe jo opozitën. Të kujtohemi se opozitës nuk i ka mbetur gjë veç ideve ‘përmbysëse’. Ideja e Bashës prodhon një gjendje të re politike të cilën u mundua të krijojë shumica me anë të reformës në drejtësi. Kjo gjendje politike sigurohet nga mesazhi i fortë që udhëton më shpejt në publik dhe bën atë që quhet ‘agenda setting’, pra përcakton agjendën politike të vendit.

Nismat janë pozitive, sikur për asgjë tjetër sepse gjendjet e reja politike krijojnë edhe perspektiva të reja shoqërore dhe kulturore. Sa i takon shqetësimit se PD, një parti e djathtë, po sulmon biznesin të cilin duhet ta mbrojë, nuk qëndron. Së pari, sepse PD nuk po sulmon biznesin, por shkeljet, antiligjin dhe korrupsionin. Së dyti, sepse PD me anë të kësaj ‘ndërhyrjeje’ i shkon në zemër një prej parimeve të së djathtës që është konkurrenca e ndershme. E djathta është kështu për barazi në garë, dhe jo për barazi në korrupsion, ku qeveria dhe biznesi ndahen me 50/50.

Nuk më duket e vështirë për ta kuptuar nëse opozita e ofron idenë e vettingut në politikë si propagandë. Qeverisë i duhet të bëjë një lëvizje të thjeshtë duke e pranuar idenë dhe duke e lexuar blofin, nëse oferta e Bashës është e tillë.

Vettingu në politikë ka mbetur si e vetmja zgjidhje për garë të ndershme politike. Nëse konkurrenca politike nuk vendoset në kushte barazie dhe ndershmërie, nëse prishet hallka e parë e përfaqësimit, gjithçka tjetër në politikë është propagandë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Programi i IEP: 5 projekte kërkimore në 5 fusha me impakt publik

Instituti Europian Pashko ka lançuar javën që shkoi programin kërkimor për 3...
Read More