A jam në konflikt interesi kur them se universiteti shtetëror nuk është esencial për shtetin?

Nga Klementin Mile

Pas shkrimit tim ‘Universiteti shtetëror nuk është monument kulture për t’u ruajtur nga shteti’, njëri prej reagimeve qe akuza se jam në konflikt interesi. Sipas tyre, fakti që punoj në një universitet privat si UET i bën irrelevante faktet që sjell, përjashtuese premisat nga nisem dhe të pavlefshme konkluzionet që arrij. Shkurt, i bie të mos kem thënë të vërtetën.

Akuzuesit e mi i referohen parimit ‘kushdo që është në konflikt interesi, nuk thotë të vërtetën’. Por a jam në konflikt interesi? Po akuzuesit e mi, të cilët mbrojnë domosdoshmërinë e universitetit shtetëror dhe arsimin publik falas për të gjithë, a mos janë në konflikt interesi dhe ata? Si duhet menduar konflikti i interesit, në mënyrë që të mos shndërrohet në një koncept pa kuptim?

Le ta nisim nga përkufizimi ligjor, të cilin, qartësisht, akuzuesit e mi nuk e përdorin. Në ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’, në nenin 3 të tij jepet ky përkufizim: “Konflikti i interesit” është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike.

Siç bëhet e qartë nga ligji, konflikti i interesit mund të lindë vetëm atëherë kur nuk pajtohet detyra publike me interesat privatë. Për të patur detyrë publike duhet të jesh zyrtar, çka unë, si pedagog në një universitet privat dhe kolumnist në një të gazetë të pavarur, nuk mund të jem. Ajo çka unë kam, sikundër dhe akuzuesit e mi që nuk mbajnë poste zyrtare, janë interesat privatë.

E megjithatë jam dakord me akuzuesit që koncepti i konfliktit të interesit nuk ka pse të kufizohet te përcaktimi ligjor i tij. Në fund të fundit, nëse duam ta mendojmë këtë fenomen, është e nevojshme të dalim përtej sferës së operacioneve zyrtare. Kështu, konflikti i interesit mund t’i referohet papajtueshmërisë së dy apo më shumë interesave privatë të çfarëdoshëm. Për shembull mund të ketë konflikt ndërmjet interesit privat për të ruajtur vendin e punës dhe interesit privat për të thënë të vërtetën. Ose ndërmjet interesit privat për të thënë të vërtetën dhe interesit privat për të ruajtur privilegjet. Ose interesit privat për t’u përballur me faktet dhe interesit privat për t’u ndjerë mirë me veten.

Në çdo rast, presupozohet që njëri nga këta interesa bëhet parësor dhe të tjerët sakrifikohen. Problemi lind atëherë kur sakrifikohen interesa që vlerësohen pozitivisht nga shoqëria, të tilla si interesi për të vërtetën, interesi për të mirën, interesi për të bukurën – për hir të interesave të tjerë që vlerësohen të jenë më pak të vlefshëm apo më pak fisnikë: paraja, privilegji, pushteti, vendi i punës, fama etj.

Po si ta kuptojmë më mirë këtë dallim ndërmjet interesave parësorë dhe dytësorë? Heidegger shkruan se “interes” (inter + esse) do të thotë të jesh midis gjërave dhe të qëndrosh aty. Interesi, pra, është diçka e qëndrueshme. Nëse largohemi prej gjërave ku jemi dhe i zëvendësojmë apo sakrifikojmë për të tjera gjëra, atëherë nuk kemi të bëjmë me interes, por me diçka “interesante”. Duke iu referuar dhe një herë konceptit ligjor të konfliktit të interesit, detyra publike e zyrtarit shfaqet si interesante (e paqëndrueshme, e sakrifikueshme), ndërkohë që interesi (i qëndrueshëm, i pazëvendësueshëm) është te përfitimet private të paligjshme që mundësohen prej ushtrimit të detyrës.

Pra konflikti i interesit, si në fushën e veprimtarisë zyrtare ashtu dhe asaj private, nuk është gjë tjetër veçse këmbimi i vendeve të interesit me interesanten. Ky këmbim vendesh nuk mund të bëhet haptazi, pasi do të kishte kosto ligjore, morale, emocionale ose financiare për personin që e kryen. Prandaj këmbimi i vendeve realizohet përmes maskimit të interesit si interesant, ose të interesantes si interes. Koncepti “konflikt interesi” shënjon pikërisht ekzistencën e kësaj maske dhe udhëzon demaskimin.

Andaj akuzuesit e mi kanë provuar të më demaskojnë. Kanë provuar të tregojnë që, ndryshe nga sa them, e vërteta për mua është interesante, por jo me interes. Sigurisht, të njëjtën gjë mund të thosha dhe për ta, por nuk do e bëj. Jo për të ruajtur etikën, por sepse do ishte pa kuptim.

Problemi është se vetë koncepti i konfliktit të interesit, kur aplikohet jashtë sferës së aktivitetit zyrtar dhe përdoret për të gjykuar qëndrimet e njerëzve për çështje të ndryshme, thotë gjithçka dhe prandaj asgjë. Kur dikush flet për një gjë (duke u prononcuar pro ose kundër), a mund të jetë i painteresuar për gjënë që flet? Sigurisht që jo; përndryshe nuk do kishte arsye të shpenzonte kohë dhe energji për të folur. E kjo i bën njësoj të interesuar si ata që flasin kundër domosdoshmërisë së universitetit shtetëror dhe ata që flasin pro saj. Po ashtu, secila palë mund të akuzohet se po e maskon interesin si interesant dhe interesanten si interes. Me fjalë të tjera, secila palë mund të akuzohet se nuk ka interes për të vërtetën e çështjes, por vetëm për të ruajtur privilegjet ekzistuese apo për të marrë privilegje të tjera.

Në këto kushte nuk do kishte diskutim, madje as debat, por vetëm demaskim. Secili prej nesh do ishte i demaskueshëm sapo të provonte të fliste për ndonjë gjë. Për ta shmangur demaskimin, e vetmja zgjidhje do ishte heshtja. Por ndryshe nga heshtja epistemologjike që rekomandon Wittgenstein kur shkruan se “për gjërat që s’mund të flasim, duhet të heshtim”, kjo e jona do ishte një heshtje kulturore, e gjeneruar nga paragjykimet e një shoqërie që nuk di të gjykojë.

Pedagog në UET

Rubrika: Peripatos

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Problemet mendore te fëmijët, flet psikiatrja: Si hetohen

Shenjat variojnë dukshëm, çrregullimet mendore karakterizohen në përgjithësi nga disa turbullime të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.