A janë “arrestimet” kushti i vetëm për hapjen e negociatave

Nga Ervis Iljazaj

Duken si dy fjalë që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por në fakt janë fjalët që përmbledhin dhe na japin panoramën më të qartë të zhvillimeve politike të momentit. Janë dy fjalët që janë përdorur më shumë në fjalorin publik ditët e fundit.

Jo rastësisht, pasi vijnë pothuajse në të njëjtën kohë, nga njëra anë, arrestimet e bujshme të dy ish-drejtorëve të rëndësishëm dhe nga ana tjetër, raporti për strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përtej çdo interpretimi që mund t’i bëhet këtij raporti në favor të njërës palë politike apo palës tjetër, siç ndodh zakonisht në këto raste, një gjë është e sigurt, kushti i vetëm për Shqipërinë për t’u hapur negociatat është lufta ndaj korrupsionit dhe krimit.

Si mund të arrihen këta dy objektivë të Shqipërisë deri në mbledhjen e radhës të institucioneve europiane në mënyrë që të rekomandojnë hapjen e negociatave?

E vetmja mundësi për të arritur këtë objektiv është zbatimi i Reformës në Drejtësi, që nënkupton drejtësi të pavarur dhe hetimin e pushtetarëve të cilët kanë abuzuar dhe abuzojnë me pushtetin e tyre, këtë nënkupton raporti europian kur thotë se Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin dhe krimin.

Për këtë arsye jemi vënë në provë nga institucionet europiane, nëse do të ekzistojë vullneti i politikës për ta zbatuar këtë rekomandim apo do të vazhdojë gjendja e mëparshme, ku këta të fundit përdorin çdo mjet për të penguar Reformën në Drejtësi apo më keq akoma, do ta përdorin atë si mjet për betejën politike të radhës.

Edhe arrestimet e fundit duhet t’i shohim në këtë drejtim, si një kusht i domosdoshëm i shprehjes së vullnetit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin dhe krimin njëherë e përgjithmonë në funksion të integrimit.

Mirëpo në të gjitha këto histori ka një dyshim të fortë, nëse këto arrestime po bëhen për shkak të efekteve të Reformës në Drejtësi apo kemi të bëjmë me një drejtësi të njëanshme, që po përdoret si luftë politike. Kjo është një pikëpyetje e madhe, që për momentin nuk mund t’i përgjigjemi, pasi është ende herët. Të presim dhe të shohim!

E megjithatë, për sa u përket arrestimeve në fjalë është ngritur një debat i pakuptimtë. Në vend që të debatohet nëse këta persona vërtet janë të fajshëm apo jo, nëse vërtet kanë abuzuar apo jo, nëse ka një proces të rregullt gjyqësor sipas ligjit për to apo jo, debati ka dalë nga thelbi i çështjes dhe është transferuar në një luftë politike me akuza dhe kundërakuza.

Fakti që dy ish-drejtorët janë të një krahu politik, nuk ka të bëjë me idenë nëse zotërinjtë në fjalë janë të fajshëm apo të pafajshëm. Këtë gjë do ta tregojë vetëm procesi gjyqësor dhe hetimet.

E rëndësishme është që drejtësia dhe politika të mos bien pre e urisë së shqiptarëve për mungesën e drejtësisë dhe ta përdorin atë për beteja politike. Sepse ekziston rreziku që të kthehemi në një Republikë Gjyqësore, ku pushteti i drejtësisë vihet në funksion edhe të garës politike, gjë që është e rrezikshme dhe deformon çdo logjikë demokratike.

Prandaj lufta ndaj korrupsionit dhe krimit, si kushti më i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë, nuk duhet të përdorur si shkak për lojërat politike të brendshme, por si një mundësi për të reformuar drejtësinë njëherë e mirë dhe për të bërë të mundur që ajo të mos ndikohet nga politika. Për këtë gjë ka nevojë për vullnet politik. Deri më tani ky vullnet ka munguar dhe shtysa kryesore ka qenë vetëm ndërkombëtare në këtë drejtim. Se sa do të konvergohen forcat midis politikës shqiptare dhe ndërkombëtarëve  apo do të përplasen, mbetet për t’u parë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

BE-Shqipëri: Si u arrit konsensusi PS-PD për negociatat

PS e PD gjetën gjuhën e përbashkët për të miratuar një deklaratë...
Read More