A janë atletët studentë më të mirë?! Një shembull nga sportistët e UET

Aftësitë e fituara nga ushtrimi i sportit, si për shembull fokusimi dhe improvizimi, mund të përmirësojnë performancën tuaj akademike, thonë ekspertët. Vonesat nëpër leksione dhe vrapimi për t’i arritur ato janë format më të fuqishme të ushtrimit të shumë studentëve. Edhe mendimi për balancimin e një karriere sportive me një degë studimi është e mjaftueshme për të bërë disa prej nesh të bëhen me djersë.

Por dëshmitë sugjerojnë se organizimi i të dyjave mund të sjellë përfitime për performancën akademike dhe sportive. Hulumtimet e publikuara në Revistën Ndërkombëtare të Historisë së Sportit vitin e kaluar zbuluan se të paturit e “karrierës së dyfishtë” siguron motivim për trajnim dhe përgatitjen, stimulimin e intelektualitetit të atletëve dhe lehtësimin e stresit.

Por a janë studentët që balancojnë sportin dhe studimin me të vërtetë më të mirë për këtë gjë?

Sipas profesor Ian Henry, drejtor i Qendrës për Studime dhe Hulumtime Olimpike në Universitetin Loughborough, të paturit e një interesi tjetër përveç sportit, i ndihmon atletët “të vënë perspektivën e tyre të trajnimit dhe të performancës, duke i lejuar ata të trajtojnë më efektivisht sfidat e sportit, duke përfshirë pengesat dhe dëmtimet”.

Mundësitë për t’u përfshirë në sport në universitet janë të shumta dhe Universiteti Europian i Tiranës u ka dhënë përparësi organizimeve të disa klubeve sportive. Klubi i Sportit u themelua në vitin 2015, ku tërhoqi jo vetëm studentët që ishin profesionistë në sporte por dhe studentët e apasionuar. Klubi organizonte ndeshje dhe kampionate në futboll, basketboll, madje edhe handboll. Krahas klubit të sportit në UET u themelua dhe klubi “UET Fly Team” me iniciativën e studentit Xhonatan Islami, i cili është kampion i këtij sporti duke e ngritur bluzën e UET në qiell në disa kampionate ballkanike dhe europiane. Me logon e “UET-Fly Team” Islami ka fituar dy medalje në organizime ndërkombëtare të këtij sporti.

Kur është koha për të vendosur për organizimin mes një karrierë sportive dhe akademike, mund të sjellë shqetësim për studentët apo për trajnerët e tyre, por djemtë sportistë që studiojnë në UET tregojnë se me përkushtim është e mundur të ruhet cilësia e shkëlqyeshme në të dyja.

“Mapo Universitet” bisedoi me tre studentë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, të cilët merren me sport dhe të tre aspirojnë të kenë një karrierë të lartë akademike, por edhe sportive.

Odisea Kasa, Andi Keqi dhe Remzijon Keqi rrëfejnë për MAPO sfidat e tyre.

Odisea Kasa: Sporti është pasioni im, por të ardhmen e shoh në politikë

Odisea Kasa sapo ka përfunduar vitin e dytë të studimeve në UET, në degën e studimit Marrëdhënie Ndërkombëtare. Përveç studimeve, Odisea është shumë i apasionuar pas sportit, ku luan me skuadrën kombëtare të handbollit, por edhe ka statusin e trajnerit në këtë lloj sporti pasi ka krijuar skuadrën e handbollit të Kombinatit. Handbolli është një sport jo shumë popullor në vendin tonë dhe këtë e pohon edhe Odisea. “Ky është një sport jo shumë i praktikuar në vendin tonë. Të jesh një handbollist i mirë duhet të jesh dhe një futbollist i mirë, një basketbollist i mirë dhe të kesh bllokun e një volejbollisti të mirë”, tregon ai.

Për më tepër Odisea rrëfen se fillimisht është marrë me futboll, por pasi dëgjoi për handbollin ishte i gatshëm që ta provonte pasi i pëlqejnë shumë gjërat e reja. “Dëgjova për një sport të ri dhe unë isha gati për diçka të re. Rezultoi të isha i aftë në këtë sport ku tani bëj pjesë dhe në ekipin kombëtar dhe para një jave u kthyem nga kampionati botëror i vendeve në zhvillim, ku fituam një ndeshje kundër Armenisë”, u shpreh ai.

Për sa i përket studimeve dhe për zgjedhjen e tyre Odisea shprehet se studimet do ta ndihmojnë për të bërë ndryshimin dhe dëshiron shumë që të merret edhe me politikë. Për të ka një lidhje bashkëpunimi midis degës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe sportit me të cilin ai merret. “Lidhja midis të dyjave mendoj që është bashkëpunimi. Në sportet kolektive gjëja primare është bashkëpunimi, ashtu si dhe në marrëdhëniet me njerëzit apo me grupin tënd të studimit, i rëndësishëm është bashkëpunimi”, shprehet Odisea.

Koha për të është shumë e kufizuar pasi ai luan me skuadrën kombëtare, është trajner i ekipit të handbollit të Kombinatit, edhe studion. Duket sikur dita për të do të duhet të kishte më shumë se 24 orë. “Në fakt jam munduar t’i përkushtohem shkollës me aq sa kam pasur mundësi. Sporti është ai që më merr më shumë kohë dhe energji sepse më është dashur të kaloj orë të tëra duke u stërvitur dhe ka pasur dhe nga ato ditë ku nuk kam patur mundësi të studioj aq saç kam dashur”, rrëfen Odisea. Të dyja pasionet e Odisesë, si për shkollën ashtu dhe për sportin janë shumë të rëndësishme dhe ai i ka pak a shumë të qartë objektivat e tij, për të luajtur por më vonë për t’iu përkushtuar një karriere politike. “Sporti është një pasion i imi dhe mendoj që do e vazhdoj gjatë, por të ardhmen time e shoh dhe në politikë. Shpresoj që e ardhmja të më rezervojë surpriza dhe karriera ime të marrë një kthesë”, përfundon ai.

Andi Keqi: Një futbollist me ëndrrën për t’u bërë një diplomat

Andi Keqi është student i Universitetit Europian të Tiranës, dhe studion për Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin e parë Bachelor. Krahas studimeve dhe pasionit për këtë degë studimi, Andi ka dhe një pasion tjetër, sportin dhe konkretisht futbollin. Ai tregon se ka filluar të luajë që në moshë të vogël futboll, dhe kjo ka ndikuar shumë në përkushtimin e tij për këtë lloj sporti. “Pasioni im për futbollin ka nisur që në moshë të vogël duke marrë pjesë në skuadra amatore, dhe më pas duke parë aftësitë e mia, u rritën dhe kërkesat”, shprehet ai. Aktualisht Andi, luan në ekipin Tirana B ku siç tregon është një skuadër profesioniste e kategorisë së dytë në ligën shqiptare.

E ardhmja për të është shumë e qartë, sporti kërkon impenjime të mëdha dhe mosha mesatare deri kur mund të shkëlqesh aty, është mosha 35-vjeçare, tregon Andi, duke na lënë të kuptojmë që më pas ai do të impenjohet në një punë të përshtatshme për degën që ka studiuar. “Mbas përfundimit të fazës si lojtar, do të kem mundësi të ushtroj profesionin tim”, u shpreh ai.

I pyetur për vështirësitë e orarit mes studimeve dhe stërvitjeve ai shprehet se akoma nuk i ka ndjerë këto vështirësi pasi shkolla dhe stërvitja janë në orare të ndryshme, dhe i del koha për të dyja. “Fatmirësisht shkolla është paradite, ndërsa stërvitja është pasdite dhe gjithashtu më del koha që të studioj rreth dy orë në ditë”, tregon Andi. Pavarësisht faktit se sporti është pasioni i tij i parë, Andi shprehet se dhe shkolla është parësore për të dhe mundohet t’i kushtojë të gjithë kohën e mundshme. “Sporti më merr shumë kohë, por për mua shkolla është parësore”, përfundon ai.

Remzijon Keqi: Kohën e sportit ia kushtoj shkollës

Remzijon Keqi, studenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, bën pjesë në ekipin Tirana B të futbollit. Pasioni i tij për sportin ka nisur në moshën 8-vjeçare, i ndikuar dhe nga familjarët të cilët ishin të apasionuar pas futbollit dhe e ndihmonin të kuptonte se çfarë është ky lloj sporti. Vetë ai tregon se shtysa më e madhe për t’i hyrë futbollit ka qenë fakti se babai i tij ka qenë futbollist dhe ishte si një lloj idhulli për të.

Krahas sportit Remzijoni studion dhe është shumë i përkushtuar te studimet e tij. Ai rrëfen se Marrëdhëniet Ndërkombëtare janë një degë që e kanë tërhequr shumë që në fillim. “Zgjodha të studioj Marrëdhënie Ndërkombëtare sepse më pëlqen të bisedoj me të tjerët në mënyrën e duhur, dhe mendoj që kjo degë është e duhura që të mësoj dhe për vendet dhe politikat e huaja”, tregon ai. Për të ka një lidhje të fortë mes degës së studimit dhe sportit pasi mendon se do ta ndihmojnë në planet e së ardhmes. “Lidhja mes degës dhe sportit është një pikë më shumë për mua, nëse unë shpërngulem jashtë vendit për një karrierë më të mirë futbollistike”, shprehet Remzijoni.

Një sportist i mirë sipas Remzijonit është ai që stërvitet minimumi dy herë në ditë, dhe për të kjo është disi e pamundur pasi i duhet të ndjekë dhe studimet. “Është shumë e vështirë nëse do që të bëhesh një sportist me të ardhme, duhet të stërvitesh dy herë në ditë, gjë kjo e pamundur për momentin sepse duhet edhe të shkollohem”, u shpreh ai. Pasioni që ai ka për futbollin është shumë i madh dhe për këtë i duket sikur shkolla i merr një pjesë të mirë të kohës nga ajo që i dedikon sportit. Megjithatë ai i vlerëson dhe të mirat që i sjell shkolla prandaj dhe vendosi që t’i ndiqte studimet edhe pse është shumë i ngarkuar gjatë ditës. “Edhe pse jam shumë i apasionuar pas sportit, shkollën nuk e lë kurrë mënjanë dhe i kushtoj edhe kohën që do të doja t’i kushtoja sportit”, rrëfen ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Parashikimi i Kushner për Shqipërinë: Negociatat brenda vitit

Ish-ministri i Jashtëm francez Bernard Kushner pret që Bashkimi Europian të nisë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.