A janë drejt një partie të re kundërshtarët extra-parlamentarë të Bashës?

Nga Ervis Iljazaj

Ka diçka të pazakontë në debatin që është shtruar për zgjedhjen e Kryetarit brenda Partisë Demokratike pas rezultatit të zgjedhjeve. Të gjithë kundërshtarët e Bashës që kanë shpallur “luftën” ndaj tij janë pothuajse jashtë Parlamentit. Kjo e bën alternativën e re që është paraqitur si e tillë brenda asaj partie, të pamundur. Jo vetëm kaq, por të gjithë kundërshtarët e tij duken sikur janë më koherentë ndaj kundërshtarit të përbashkët dhe jo objektivit të krijimit të një alternative të vërtetë brenda saj. Kjo lëvizje ngjan më shumë si një organizim politik jashtë Partisë Demokratike duke qenë se asnjëri prej tyre nuk është i përfaqësuar në Parlamentin shqiptar, aty ku vërtet ka rëndësi dhe merr peshë fjala dhe aksioni politik. Të gjithë qejfmbeturit nga lënia jashtë e listave për deputetë, me të drejtë apo pa të drejtë qofshin, janë duke kërkuar kthimin e tyre në politikë. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë, duke parë kontekstin brenda Partisë Demokratike është grupimi politik nën logon e një partie të re. Sepse shumë pak, përveç historisë i lidhin tashmë disa nga emrat e rëndësishëm që kundërshtojnë Bashën me Partinë Demokratike që ka krejtësisht një fizionomi të re. Kjo është një e drejtë më se legjitime e tyre, nëse vërtet besojnë se mund të kontribuojnë ende për politikën shqiptare.

Jo më kot, të gjitha emrat e rëndësishëm që kërkojnë dorëheqjen e Bashës më shumë se sa një grupim politik janë individualitete që nuk përkojnë aspak me një rrymë reale brenda Partisë Demokratike. Individualitete të cilët kërkojnë me të drejtë një garë të vërtetë për zgjedhjen e Kryetarit, por që askush nuk merr guximin të kandidojë kundër Bashës. Dhe kjo, jo për faktin se i mungon ambicia politike, por sepse askush prej tyre nuk arrin të mbledhë rreth vetes ide, sensibilitete apo njerëz që mund të konkurrojnë kryetarin aktual. Të gjithë duan garë brenda partisë, por askush nuk e merr përsipër atë.

Por, edhe nëse do të ishte e mundur dhe realisht do të kishte një alternativë fituese ndaj Bashës, Partia Demokratike do të gjendej në një situatë të ngjashme si katër vitet e kaluara në opozitë, ku grupi parlamentar kontrollohej nga ish-Kryetari Berisha ndërsa Basha bënte betejën e tij politike me instrumentet teknike të partisë që nuk janë të mjaftueshme për të vepruar politikisht. Dihet që grupi parlamentar është realisht përfaqësimi politik i një partie të caktuar dhe, grupi aktual i PD-së mban firmën e Lulzim Bashës. Mjafton të përmendin këtu praktikën britanike ku grupi parlamentar është ai që emëron dhe shkarkon Kryetarin e Partisë. Kjo praktikë ka rezultuar më se e suksesshme në mënyrën e funksionimit të qeverisjes dhe organizimit partiak. Në këtë mënyrë brenda Partisë Demokratike do te krijohej një dyzim midis drejtuesit dhe grupit parlamentar që dëmton plotësisht objektivin e marrjes së pushtetit.

Me të drejtë kundërshtarët e Bashës kanë vendosur kushte për zhvillimin e garës, siç është ai i dorëheqjes, por më shumë se kushte ato duken një garë që braktiset pa u nisur ende. Përtej debatit nëse Basha duhet të kishte ngrirë kompetencat e tij apo të dorëhiqej plotësisht, i sigurt është fakti se kjo do të jetë një garë pa kandidatë. Jo për faktin se “ngrirja” e kompetencave dhe jo dorëheqja e dëmton atë, por sepse alternativa kundër Bashës është më shumë një alternativë jashtë Partisë Demokratike se sa brenda saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqiptarët lexojnë pak?! Tragjedia është se lexojnë më shumë se dje

Nga Klementin Mile Është krijuar ideja se shumica e shqiptarëve nuk lexojnë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *