A janë Shtetet e Bashkuara garant për Kryeprokurorin e ri?

Nga Ervis Iljazaj

Pamjet e protestës së djeshme, janë pamje që fatkeqësisht janë kthyer të zakonshme për publikun shqiptar. Politika jonë, na ka mësuar me një mënyrë konfliktuale dhe radikale të betejave politike. Edhe kësaj here jemi po në të njëjtën situatë, opozita ka ngritur pretendimet se kryeprokurori i përkohshëm është një njeri i kapur nga Edi Rama me qëllim mbylljen e dosjeve të nxehta hetimore, dhe e quan të gjithë procesin e zgjedhjes së tij antikushtetues, ndërkohë mazhoranca duke shfrytëzuar një ngërç kushtetues ka shkuar drejt zgjedhjes së Kryeprokurorit vetëm me votat e saj.

I gjithë ky diskutim, që çoi në radikalizimin e qëndrimeve të palëve politike, vjen si pasojë e një interpretimi juridik, kompetencë të cilën aktorët politikë nuk e kanë.

I vetmi institucion që jep vendime mbi kushtetutshmërinë apo jo të ligjeve dhe vendimeve është Gjykata Kushtetuese, institucion i cili nuk u vu për asnjë moment në lëvizje dhe, si përherë, politika ka preferuar të zgjidhë mosmarrëveshjet nëpërmjet matjes së forcave.

Megjithatë, opozita ka të gjithë të drejtën të protestojë për kauzat e saj, dhe në këtë kuptim, ky veprim nuk duhet kritikuar apo gjykuar apriori.

Shqetësimi i saj se kryeprokurori i përkohshëm, është instrumenti që mazhoranca do përdorë për të bllokuar reformën dhe dosjet hetimore, mund të jetë shqetësim që qëndron.

Mirëpo, në këtë situatë ku palët janë të ndara në qëndrimet e tyre, ka dhe një garant, apo me fjalë të tjera një arbitër, që janë SHBA dhe BE.

Qëndrimet e këtyre dy misioneve thelbësore për Shqipërinë, të cilat kanë investuar pafund për Reformën në Drejtësi, janë totalisht të njëjtat me ato të mazhorancës.

Pyetja që duhet të ngrihet është se, a janë garant Shtetet e Bashkuara për pavarësinë e kryeprokurorit të përkohshëm, apo janë politikisht mbështetës të mazhorancës?

Ky është edhe thelbi i të gjithë këtij debati.

Nëse opozita dhe ata që mendojnë se kryeprokurori i përkohshëm është vegël e Edi Ramës për të mbyllur hetime të caktuara, atëherë duhet të na thonë se edhe misionet ndërkombëtare janë bashkëpunëtorë në këtë veprim dhe nuk janë aspak garant për pavarësinë e kryeprokurorit të ri.

Është një debat që mund të zhvillohet dhe nuk ka asnjë problem në këtë aspekt. Sepse të vësh në diskutim misionin e ndërkombëtarëve nuk është aspak herezi.

Por, qëndrimet kundra të opozitës, duhet të jenë kundra për të dyja palët, mazhorancës dhe ndërkombëtarëve. Vetëm në këtë mënyrë qëndrimet e saj në këtë situatë marrin një kuptim.

Megjithatë, kjo klimë politike e tensionuar mbaron vetëm me një mënyrë.

Kryeprokurori i përkohshëm, duhet të na çojë sa më shpejt të jetë e mundur drejt formimit të KLP, dhe në këtë mënyrë në zgjedhjen e Kryeprokurorit të përhershëm dhe aplikimin e plotë të Reformës në Drejtësi.

Kështu që, të gjitha forcat e opozitës dhe të opinionit publik duhet të përqendrohen në formimin e KLP-së sa më shpejt të jetë e mundur.

Në këtë mënyrë do të hiqet çdo alibi e forcave politike, dhe shqetësimet për kapjen e kryeprokurorit marrin fund.

Deri më tani ka patur një pengesë të plotë për formimin e plotë të organeve të reja, dhe kjo duket qartë. Ndoshta, kryeprokurori i përkohshëm do të ndihmojë, dhe duhet vetëm për këtë qëllim, në të kundërt zgjedhja e tij paragjykohet.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si e kam njohur Dritëro Agollin

Nga Mustafa Nano, Revista Mapo  Për herë të parë, me sa më kujtohet,...
Read More