A jeni gati për shtatzëni?

Thonë se një nënë beben e mban brenda vetes për nëntë muaj, e mban në krahë për tre vjet dhe e mban në zemrën e saj deri në fund të jetës. Kjo është më se e vërtetë apo jo?

Kur një grua vendos që të mbetet shtatzënë duhet të ndalojë pirjen e duhanit, të mos pijë alkool dhe të mos marrë asnjë ilaç pa u konsultuar me mjekun. I vetmi ilaç që rekomandohet është acidi folik.
Është e çuditshme, por mjeku i llogaritë javët e shtatzënisë dhe datën e përafërt të lindjes bazuar në ditën e parë të menstruacioneve të fundit që keni pasur. Juve ju duket e pakuptueshme se si është e mundur që të llogaritet si periudhë e shtatzënisë edhe koha kur ju keni qenë me gjakrrjedhje menstruale?!

Arsyeja se përse bëhet një llogaritje e tillë është se gati asnjëherë nuk mund të dihet saktësisht data e saktë se kur ka ndodhur ovulacioni dhe se kur është bashkuar qeliza vezë me spermatozoidin. Rrjedhimisht si fillimi i shtatzënisë merret dita e parë e menstruacioneve të fundit që është një datë të cilën gati të gjitha gratë mund ta fiksojnë. Do të thotë se java e parë e shtatzënisë në fakt është java kur ju keni qenë me gjakrrjedhje menstruale, pra realisht mosha e vërtetë e bebes suaj është dy javë më pak se ajo që e llogaritë mjeku bazuar në menstruacionet e fundit.

Gjatë javës së dytë të ciklit menstrual çdo muaj hormoni i cili quhet estrogjen e përgatitë mitrën duke e furnizuar më shumë me gjak shtresën e brendshme të saj e cila quhet endometrium. Poashtu, fillon të rritet niveli i progesteronit i cili e ndihmon mitrën që të pranojë qelizën vezë të fekonduar dhe që ta rrisë beben gjatë nëntë muajve të shtatzënisë.

Koncepcion quhet bashkimi i qelizës vezë me qelizën mashkullore. Kjo zakonisht ndodhë në mes të ciklit (dita e 14 nëse cikli është 28 ditësh) kur lirohet qeliza vezë nga vezorja. Qeliza vezë kalon në tubën e mitrës dhe aty pret 12-24 orë për t’u bashkuar me njërën nga 350 milion spermatozoidet të cilat gjenden normalisht në një ejakulacion.

Nëse ndodhë bashkimi i qelizës vezë me spermatozoidin, atëherë fillojnë të zhvillohen ndryshimet e para të shtatzënisë. Kur bashkohet qeliza vezë me spermatozoidin atëherë kjo qelizë quhet zigotë. Zigota menjëherë fillon të ndahet dhe numri i qelizave të saj shumohet. Zigota zbret teposhtë kah trupi i mitrës kur zakonisht pas 6-7 ditësh ngjitet në murin e mitrës ku do të rritet gjatë gjithë shtatzënisë.

Gjatë kësaj kohe një grua as që mund ta dijë se është shtatzënë, sepse akoma nuk ka ardhë dita kur ajo i pret menstruacionet. Pra, akoma nuk ka vonesë të menstruacioneve dhe nuk ka arsye që të mendojë që është shtatzënë apo jo?

Është shumë me rëndësi që pikërisht gjatë kësaj periudhe në organizmin e gruas të ketë acid folik i cili ndihmon në parandalimin e anomalive të tubit neural. Poashtu, gruaja duhet t’i ketë parasysh këshillat të cilat i ka marrë nga mjeku gjatë vizitës antenatale për të pasur një mënyrë të shëndetshme të të jetuarit dhe që të mos konsumojë barna ose substanca të cilat mund ta rrezikojnë embrionin.

Sapo të kalojë data kur një grua pret menstruacionet dhe ato nuk vijnë, atëherë kjo është një shenjë e shtatzënisë. Është mirë që gruaja të kontaktojë me mjekun e saj për të diskutuar se çfarë veprimesh duhet të bëjë në vijim.

Shkruar Nga
More from Revista User

Botët paralele të Carles Puigdemont

Presidenti rajonal katalonjas i shkarkuar Carles Puigdemont ndodhet në një kontradiktore. A...
Read More