A ka alternativë opozita ndaj modelit modernist të Ramës?

Nga Klementin Mile

Synimi i frontit opozitar për ta rrëzuar Edi Ramën nga pushteti nuk është aspak i fshehtë. Ky synim duket të fuqizohet nga konteksti i akuzave për lidhje të politikanëve të lartë me krimin. Që Rama të mos e shpjerë gjer në fund mandatin si kryeministër, kjo edhe mund të ndodhë. Por ajo që është e vështirë të përfytyrohet është rënia e “modelit Rama”. A ka, në fakt, opozita shqiptare një model alternativ qeverisjeje? Apo synon vetëm rrëzimin nga pushteti të individit Rama, për të vazhduar më pas qeverisjen me po të njëjtin model?

Për të projektuar alternativat e opozitës është e domosdoshme, pikësëpari, të kuptohet modeli qeverisës i Ramës. Veçse kuptimi i modelit nuk mund të arrihet duke u ndalur vetëm te tiparet e dukshme të tij (ashtu sikundër bëjmë kur përshkruajmë një objekt), por duke shkuar më thellë, te kushtet e mundësisë që bëjnë të shfaqen ato tipare. E mundshmja, thotë Heidegger, qëndron më lart se aktualja.

Nëse u referohemi nocioneve të zhvilluara nga filozofi bashkëkohor irlandez William Desmond, rezulton që modeli Rama të jetë modernist. Desmond bën dallimin ndërmjet ethosit modern dhe paramodern duke shqyrtuar raportin e qenies me vlerën. Ndërsa në paramodernitet qenia kishte vlerë në vetvete, për ne modernët asgjë nuk ka vlerë në vetvete – moderniteti është divorci i qenies nga vlera. Qenia është objektive (pa vlerë, vetëm ekzistuese) dhe vlera është subjektive (vetëm njeriu mund t’u injektojë vlerë gjërave).

Modeli Rama mundësohet pikërisht nga parimi modernist se qenia, gjërat që na rrethojnë, janë objekte pa ndonjë vlerë të brendashkruar. Këtyre objekteve mund t’u japë vlerë vetëm njeriu me subjektivitetin e tij. Kjo e shpjegon filozofikisht qëndrimin e Ramës ndaj gazetarëve dhe medias: media nuk ka vlerë në vetvete, ajo nuk është në vetvete as pushteti i katërt as kusht për demokracinë. Kjo shpjegon edhe qëndrimin e Ramës ndaj territorit (rasti i shtëpive në Himarë) apo natyrës (priorizimi i projekteve industriale kundrejt ruajtjes së paprekur të burimeve ujore, florës dhe faunës): as territori as natyra nuk kanë vlerë në vetvete. Madje edhe interesi kombëtar, me të cilin Rama duket të luajë politikisht herë pas here, edhe ai duhet trilluar, pasi është vlerë që mund ta krijojë vetëm njeriu. Kryefjala filozofike e të gjitha këtyre nismave autoritare është konstruktivizmi. Qeverisja moderniste është domosdo konstruktiviste, pasi ajo niset nga parimi që lënda e parë me të cilën punon (qenia), qoftë kjo njerëz, pyje, tokë apo institucione, nuk ka vlerë në vetvete. Vlera lind prej vizionit njerëzor, i cili, subjektiv siç është, projektohet dhe u jep formë (dhe prandaj funksion dhe vlerë) të gjitha objekteve të një shteti.

Ky është modeli modernist që qëndron përballë opozitës shqiptare. Deri tani opozita i ka bërë një kritikë postmoderne konstruktivizmit të modelit Rama. Opozita ka provuar të dëshmojë se ky model nuk mund të krijojë vlerë, pasi vetë Rama, si projektues i vlerës, është i pavlerë. Filozofikisht ky argument qëndron, pasi nëse nisemi nga premisa se gjërat ekzistuese nuk kanë vlerë në vetvete, atëherë nuk ka vlerë në vetvete as projektuesi i vlerës, duke qenë edhe ky thjesht njëra nga gjërat që ekzistojnë. Por ky argument filozofik të shpie në nihilizëm, të shpie në pranimin e dëshpëruar se vlera nuk mund të krijohet prej askujt dhe asgjëje. Politikisht, ky konkluzion nihilist është i destinuar të dështojë. Njerëzit nuk votojnë për argumente që thonë se politika nuk mund të prodhojë asnjë vlerë. Fundja, nëse Rama, si projektues vlere qenkësh i pavlerë, a nuk do ishin të pavlera edhe projektimet opozitare të vlerës?

E megjithatë opozita mund të synojë vetëm rrëzimin e individit Rama nga pushteti, duke ruajtur modelin modernist të tij. Për ta bërë këtë, sigurisht do t’i duhet të prodhojë iluzionin se problemi është te Rama, jo te modeli i tij. Në këtë mënyrë, fitorja e opozitës do të ishte paradoksalisht humbje e opsionit opozitar. Nga pikëpamja e interesit publik nuk ka rëndësi nëse është Rama apo tjetërkush që qeveris, por nëse po qeveriset me këtë model apo një tjetër.

Alternativa reale e opozitarizmit është modeli paramodern. Kjo do të thotë të nisesh nga parimi se gjërat kanë vlerë në vetvete dhe se kjo vlerë duhet respektuar. Në terma politikë, për opozitën ka dy mundësi për ta aktivizuar këtë model. Së pari, opozita mund të pozicionohet ideologjikisht si konservatore. Si e tillë, ajo do të insistonte për ruajtjen dhe respektimin e traditës, të trashëgimisë kulturore, të simboleve kombëtare, të familjes, të fesë, të interesit kombëtar (në terma ekonomikë dhe politikë), të sovranitetit, të kushtetutës etj. Duke i parë të gjitha këto si vlerë në vetvete, opozita do të paraqitej si garante e respektimit të këtyre vlerave. Së dyti, opozita mund të pozicionohet ideologjikisht si liberale. Si e tillë, ajo do të bëhej një mbrojtëse e patundur e vlerës së brendashkruar tregut të lirë. Ajo do ta portretizonte tregun si një mekanizëm jashtë kontrollit të interesave të pjesshëm njerëzorë, si atë mekanizëm që krijon vlerën që njerëzit nuk mund ta krijojnë kurrë vetë. Në këtë mënyrë, duke u pozicionuar si konservatore ose liberale, opozita do të ofronte një model opozitarizmi real. Por kjo kërkon që opozita ta braktisë qëndrimin nihilist postmodern që ngjall vetëm dëshpërim në popull dhe të kthehet në paramodernitetin shpresëdhënës ku qenia ka vlerë dhe vlera është.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Miti i drejtësisë sociale me taksën progresive

Nga Ervis Iljazaj Vendimi i fundit i qeverisë Rama dy, është shtrirja...
Read More