A ka motor ekonomik programi i “Rama 2”?

Premtimi më ambicioz i qeverisë është rritja ekonomike në nivelin 5,5-6 % në fund të mandatit. Sa real është ky parashikim, cilat janë politikat ekonomike për ta arritur, a janë ato në program dhe pse Shqipëria e ka jetike hopin cilësor në këto shifra. Flasin ekonomistët Arben Malaj, Adrian Civici dhe Selami Xhepa 

Nga Luljeta Progni

“300 mijë vende të reja pune, reduktim i varfërisë, rritje e konsiderueshme e minimumit jetik, shëndetësi falas për të gjithë, rritje e pagës minimale, rritje e pagave për policët, mjekët, infermierët, mësuesit… etj . Janë premtime të kryeministrit Rama në mandatin e parë, por që nuk i gjen në programin qeverisës në mandatin e dytë. Ato premtime u bënë në fushatën elektorale të vitit 2013, kur Rama dhe PS po kërkonin të vinin në pushtet, pasi kishin tetë vite në opozitë dhe premtimet lëshoheshin “pa doganë”. Ndoshta edhe nuk i njihnin aq mirë sfidat me të cilat do të përballeshin në qeverisje. Këtu e gjen dallimin e parë midis programeve në dy mandate, Presidenti i UET, profesor Adrian Civici, kur flet për programin e qeverisë miratuar të enjten në Kuvend.

Në programin e qeverisë që përmblidhet  në 28 faqe spikat vazhdimi i reformave të nisura në mandatin e parë  e ku shumë prej tyre nuk janë më pjesë e sfidave qeveritare të Ramës. Ka dallime të rëndësishme midis dy mandateve.

Tre ekspertë të ekonomisë, profesorët Arben Malaj, Selami Xhepa e Adrian Civici komentojnë të rejat e këtij programi, dallimet me atë të mandatit të shkuar, sfidat për ta realizuar dhe parashikimet për përmirësimet e pritshme të ekonomisë në këtë mandat.

Krahasim mes dy mandateve

“Në dallim nga ekzagjerimet me natyrë populiste të programit të reformave të mandatit të parë, duket se programi i këtij mandati është më i kursyer në premtime dhe i pakët në veprimet politike që do të ndërmerren për të thelluar proceset reformuese të vendit. Duket se fokusimi i veprimit politik gjatë katër viteve të ardhshme do të jetë konsolidimi i reformave të ndërmarra gjatë mandatit të parë”. Kështu e sheh Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko  dallimin mes dy programeve.  Ai shprehet se ky mandat dhe programi i qeverisë është një vazhdimësi e qeverisjes së katër viteve të kaluara.

Për profesor Civicin, dallimi mes dy mandateve është i natyrshëm për shkak se ekzistojnë disa ndryshime që kanë të bëjnë me kontekstin politik dhe ekonomik të momenteve të hartimit të tyre. “Së pari, “Rama 1” ishte programi i një partie që kishte 8 vite në opozitë dhe që nëpërmjet premtimeve e angazhimeve “të forta” e shpesh vështirësisht të realizueshme kërkonte të bindte elektoratin për të fituar zgjedhjet dhe ardhur në pushtet; së dyti, ishte një program i hartuar ose më e pakta i kolauduar me aleatin politik, LSI; së treti, ishte një program që “gjatë rrugës” u kushtëzua ndjeshëm nga tre faktorë : mosnjohja e plotë e situatës financiare dhe detyrimeve buxhetore të vendit, kujtojmë këtu argumentin se shumë projekte e politika nuk u realizuan dot, sipas qeverisë “si pasojë e gropës financiare prej më shumë se 700 milionë $ të lënë nga qeveria e mëparshme, programi me FMN, dhe tensionet e larta politike që karakterizuan mandatin 2013-2017”, thotë Civici.

Në këtë këndvështrim, programi i qeverisë “Rama 2” duket më i arsyeshëm dhe më me këmbë në tokë, aq më tepër që vjen si vazhdimësi e një eksperience qeverisëse 4-vjeçare me të mirat dhe të metat e saj, me ndryshimin se tashmë nuk ka në koalicion me LSI apo ndonjë parti tjetër. Këtë radhë, programi qeverisës, reformat e parashikuara, masat, politikat dhe objektivat kryesore të tij nuk ishin thjesht sintezë e fushatës elektorale, por ishte një program që u hartua mbas fitimit të zgjedhjeve, duke u bazuar kryesisht te kërkesat dhe sugjerimet e “dëgjesave me popullin” të zhvilluara në muajt korrik e gusht 2017. Ndryshe nga “Rama 1”, programi “Rama 2” ka shmangur detajet dhe trajtimin e zgjeruar të shumë prej problematikave të nxehta qeverisëse duke preferuar të jetë një program i koncentruar, shpesh me një gjuhë mjaft të përgjithshme e të rrumbullakosur.

Rektori i Universitetit, “Luarasi”, Arben Malaj, e sheh më realist dokumentin e miratuar në Kuvend në raport me atë të katër viteve që shkuan sepse premtimet janë me shifra më të ulëta dhe merr për shembull premtimin e bujshëm të Ramës për uljen e papunësisë përmes hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës. “Dallimi i parë është se ky program i “Rama 2”, synon të jetë më realist dhe se të gjitha premtimet janë në shifra më të ulëta se mandati i parë,  e sidomos ato që kanë të bëjë me papunësinë. Dallimi i dytë është fokusimi më shumë tek ambienti i biznesit si një mundësi, si një reformë strukturore që mund të çlirojë më shumë rritje ekonomike. Kjo shoqërohet edhe me ristrukturimet e ministrive”, thotë Malaj.

Borxhi publik

Ulja e borxhit publik dhe rritja ekonomike me 5-6 %  është ana pozitive e programit në këndvështrimin e  profesor Xhepës. Megjithatë ai duket skeptik në arritjen e  këtyre objektivave. “Në planin pozitiv do të veçoja angazhimin për reduktimin e borxhit publik nën 60% të PBB-së, edhe pse personalisht e shoh me dyshim arritjen e një objektivi të tillë brenda një kohe kaq të shkurtër. Po kështu dhe objektivi i rritjes ekonomike prej 5.5%-6% deri në fund të mandatit, më duket shumë optimist dhe jo i argumentuar me burimet e nevojshme apo me reforma që adresojnë problemet e klimës së biznesit për të siguruar një rritje kaq të fortë ekonomike. Disa pasiguri të tjera shtesë lidhen dhe efektin e programit “1 miliardë $+” që mund të ketë efekte përkeqësuese të borxhit, të rritjes së korrupsionit, etj”, thotë Xhepa.

Ambicioz e konsideron edhe profesor Malaj, synimin për të arritur në 5-6% rritje ekonomike. Por nëse arrihet një objektiv i tillë, sipas tij, qeveria do ta ketë shumë më të lehtë të arrijë objektivat sociale. “Qeveria shfaqet ambicioze për ta çuar rritjen ekonomike në deri 6%. Unë besoj se më një rritje të këtij niveli qeveria do ta ketë më të mundur të arrijë objektivat sociale, ndërkohë që ia bën më të lehtë barrën financave publike, pasi në mandatin e parë ishte një ndër sfidat kryesore. Në mandatin e dytë, qeveria ndodhet përballë një situatë më të mirë makroekonomike që ndoshta po të  përdoret me zgjuarsi, do ta ketë shumë më të lehtë arritjen e objektivave sociale”, thotë Arben Malaj.

Ndërsa Xhepa e sheh më me skepticizëm pasi, sipas tij duket qartë se rritja ekonomike do të vijë në një mënyrë shumë graduale dhe që për pasojë edhe efektet e kësaj rritje nuk do të bëjnë ndonjë diferencë cilësore. Megjithatë, edhe Xhepa duket se e sheh më pozitivisht këtë synim të qeverisë Rama dhe më të realizueshëm se sa premtimet në mandatin e parë. “Megjithë euforinë e zakonshme që karakterizon vazhdimisht programet elektorale apo qeveritare, disa synime të shprehura në mënyrë eksplicite në program të bëjnë të besosh se duhet shpresuar e pritur ndryshime që ndikojnë pozitivisht në fuqizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e mirëqenies”, thotë Xhepa.

Ndërsa Civici duket më optimist, pasi beson se problematikat kryesore janë adresuar qysh në mandatin e parë. “Do evidentoja: objektivin për rritjen ekonomike deri në nivelet 5.5%; synimin për një rritje ekonomike cilësore apo inteligjente; uljen e borxhit publik në nivelin 60%, politikat për rritjen e prodhimit vendas dhe eksporteve në kuadrin e një synimi më madhor siç është zhvillimi i industrisë dhe infrastrukturës, objektivi për rritjen e pagave deri në 40% si dhe shtimin e pensioneve, angazhimi për hapjen e 220 mijë vendeve të reja të punës dhe uljen e papunësisë nën nivelin 10%, adresimin e disa politikave sociale, etj. Në mënyrë direkte për “reduktimin e varfërisë” nuk ka ndonjë adresim të veçantë”, thekson Civici. 

Ulja e varfërisë 

“E vetmja mënyrë për të shmangur perceptimin se qeveria favorizon kompani të mëdha, është që të ketë transparencë në rritje që duhet të demonstrojë gjatë këtij mandati, qoftë për mënyrën sesi i mbledh të ardhurat e qoftë për mënyrën se si orienton shpenzimet publike, qoftë edhe me klimën që do të krijojë me biznesin. Ndoshta krijimi i një ministrie si ajo e sipërmarrjes, e cila është krijuar për të qenë avokate e biznesit, do të ketë ndikim në realitetin e ardhshëm ekonomik. Besoj se kjo ministri do të jetë aktive dhe një strukturë efikase”, gjykon rektori i Luarasit, profesor , Arben Malaj.

Ndërsa profesor Civici është shumë optimist dhe nuk beson se kemi të bëjmë me një program që vazhdon të favorizojë lobistët dhe bizneset pranë qeverisë. “Natyrisht, që ekzistojnë premisa për të qenë të vëmendshëm kundrejt fenomenit të lobizmit dhe klientelizmit qeveritar, sidomos në politikat që kanë të bëjnë me koncesionet, privatizimet, partneritetin publik-privat, investimet strategjike që kanë trajtim të veçantë fiskal, transferimet e disa shërbimeve të rëndësishme shtetërore tek sektori privat, etj. Eksperiencat dhe praktikat e gjithë këtyre viteve na kanë përballur me raste mjaft korruptive e klienteliste në dëm të transparencës dhe interesit publik. Edhe mandati i kaluar 2013-2017 nuk rezultoi i imunizuar nga kjo dukuri negative”, thotë Civici.

Ndërkaq profesor Xhepa nuk kursen aspak kritikat ndaj kryeministrit. Një prej tyre është analiza e munguar e mosrealizimeve në  mandatin e parë qeverisës. Xhepa evidenton se nuk ka raport për matjen e varfërisë qysh në vitin 2012 dhe parashikon vazhdimësi të klientelizmit dhe mungesës së transparencës në menaxhimin e fondeve publike. Ai shprehet se në program duhet të ishte domosdoshmërisht në vend qendror  “një kapitull për problematikën sociale. Si do të mundësojmë që të punësuarit fasonë të rrisin të ardhurat mbi nivelet e varfërisë? Si do rriten të ardhurat e fermerëve që gjithashtu janë shumë të ulëta, për pjesën më të madhe të kësaj kategorie? E po kështu, për punëtorët e ndërtimit apo sektorëve të tjerë. Papunësia midis të rinjve është fenomeni më shqetësues sot në Europë, por dhe në Shqipëri, shumë më e lartë se niveli mesatar i papunësisë. Si do të adresohet ky problem? Përse nuk është kryer asnjë analizë/auditim i skemave të nxitjes së punësimit për të parë se sa efektive janë ato? Nëse janë të tilla, sa duhet rritur financimi për to ose nëse jo, si mund të gjenden mënyra të reja inovative? Varfëria në Shqipëri nuk është matur që prej vitit 2012, ndërkohë që ka një angazhim detyrues që ajo të matet të paktën një herë në 4 vite”, thekson Xhepa.

Investimet e huaja

Tatimi 5% për investimet e huaja në fushën e teknologjisë, është konsideruar një hap pozitiv, por i pamjaftueshëm i qeverisë, në drejtim të thithjes së investimeve të huaja. Profesor Arben Malaj e sheh si një mundësi të mirë për thithjen e investimeve të huaja, pa të cilat do të ishte sipas tij, gati e pamundur rritja ekonomike me 5-6%. Qeveria në programin e saj ka ndërmarrë një politikë që duhet ta qartësojë, ta publikojë e ta negociojë me investitorët potencialë. Është fjala për teknologjitë e reja, ku qeveria ka ofruar apo premtuar një tatim 5% që pritet të reflektohet në buxhetin 2017-2018. Kjo është norma më e ulët e tatimit edhe në vendet e tjera të rajonit. Në kemi ekspertë të mirëarsimuar që unë besoj se do të jenë bërthama e kompanive të huaja që do të vijën në Shqipëri, në fushën e teknologjive”, thotë ai.

Nga na tjetër Civici beson se në programin e qeverisë “Rama 2” ka disa angazhime që ndikojnë direkt apo indirekt në thithjen e investimeve të huaja. “Po përmend: bashkimin e drejtorisë së tatimeve me doganat; thjeshtimi i mjaft burokracive që kanë lidhje me regjistrimin e pronës, eliminimin dhe ristrukturimin e një sërë agjencish e inspektoratesh të mbivendosura e burokratike; hipotekat apo dokumentacionin e biznesit; vazhdimi i masave anti-informalitet; krijimi i postit të ministrit për marrëdhëniet me biznesin; angazhimi në kuadrin e “Procesit të Berlinit” për projekte madhore me karakter rajonal; ulja e tatimit për dividendin dhe TVSH e turizmit; etj. Pikat më delikate në klimën e biznesit janë të lidhura me gjobat, arbitraritetin tatimor, problemet e pronës, korrupsioni në sistemin gjyqësor, ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe nivelit e llojit të tatimeve dhe taksave, etj”, thekson Civici.

Profesor Xhepa, vëren se ka shumë pak masa të reflektuara në këtë program, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e investimeve të huaja. “Angazhimet e vetme konkrete të programit janë ulja e kufirit marxhinal të tatimit mbi të ardhurat (për pagat e larta) nga 23% që është aktualisht, në 18%; reduktimi tatimit mbi dividendin në 6% (nga 15% që është aktualisht) dhe ulja e tatimit mbi fitimin për industritë e ICT në 5% (nga 15% që është për gjithë sektorët e tjerë ekonomik). Nuk jam i sigurt se këto do të jenë masa të mjaftueshme për të reformuar klimën e biznesit dhe për të bërë një hop cilësor në luftën konkurrenciale me fqinjët tanë që kanë demonstruar gjatë këtyre viteve se kanë qenë shumë më suksesshëm se vendi ynë.”, evidenton Xhepa.  Ai vëren edhe mangësi të tjera në program që kanë të bëjë me reformën e munguar që do të ndikonin përmirësimin e sistemit politik. “Nuk adresohen çështje të rëndësishme lidhur me përmirësimin e sistemit politik zgjedhor, fuqizimin e institucioneve tashmë të dobëta demokratike (si për shembull, një reformë parlamentare për të rritur rolin e parlamentit si kontrollues të ekzekutivit), është i vakët në përcaktime objektivash konkret dhe të matshëm, ose liston projekte infrastrukturore të cilët kapërcejnë edhe kufijtë e një dekade të ardhshme, etj”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Supergrabitja: Si e rrënoi komunizmi ekonominë kombëtare

Reforma monetare e korrikut 1946 grabitja me përmasa të jashtëzakonshme nga komunistët...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *