A ka ndonjë përfitim real ekonomik, nga organizimi i një botërori?

Nga Ian Hurley

Në muajin prill, Rusia, vendi organizator i Kupës së Botës së këtij viti, pretendoi se turneu do të gjenerojë gati 31 miliardë dollarë rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjatë 10 viteve të ardhshme. Ajo përmendi turizmin, investimet në infrastrukturë dhe efektet pasuese të këtyre investimeve, si burime të rritjes së parashikuar. Por këto premtime nuk përmbushen gjithmonë. Në përgjigje të parashikimeve të qeverisë ruse, kompania e njohur ndërkombëtare e vlerësimit “Moody”, publikoi ​​një raport që shpreh skepticizëm në lidhje me përfitimet e supozuara financiare. “Rusia do të ketë vetëm përfitime afatshkurtra nga botërori i futbollit”- thuhej në raport. “Pacific Standard” iu drejtua një grupi ekonomistësh të sporteve, për të diskutuar vlerën reale që një botëror ka për vendin pritës, dhe se si qeveria ruse doli në vlerësimet e saj të larta ekonomike. Në përgjithësi, çfarë do të thotë mbajtja e botërori për ekonominë e vendit pritës? Cilët faktorë, në varësi të vendit, mund të ndikojnë pozitivisht apo negativisht në të? John L. Solow (profesor i ekonomisë, Universiteti i Ajouas, SHBA): Në përgjithësi, ekonomistët nuk besojnë se ka shumë ndikim të qëndrueshëm ekonomik nga organizimi i ngjarjeve të mëdha sportive, pasi ka fitues por edhe humbës. Ky është rezultat i dy reagimeve ndaj këtyre ngjarjeve që shpesh anashkalohen – zëvendësimi dhe grumbullimi. Zëvendësimi është ideja që njerëzit që shpenzojnë para për argëtim në këtë ngjarje madhore, do të kishin shpenzuar ato para diku tjetër.

Dhe kështu ndërsa restorantet dhe hotelet pranë evenimentit, mund të arkëtojnë më shumë të ardhura, kjo ndodh në kurriz të restoranteve dhe hoteleve të tjera. Dhe pronarët dhe punonjësit e këtyre restoranteve dhe hoteleve dhe bizneseve që pësojnë rënie të ardhurash, shpenzojnë më pak. Prandaj efekti shumëzues i raundeve të njëpasnjëshme të shpenzimeve, zbatohet edhe për këto rënie.

John Vrooman (profesor i ekonomisë së sporteve, Universiteti Vanderbilt): Vlerësimet e ndikimit ekonomik neto të pritjes së ngjarjeve të mëdha sportive si Kupa e Botës në futboll, janë tepër të ekzagjeruara nga vendi pritës. Ndikimi i përgjithshëm i drejtpërdrejtë, është ndoshta zero në rastin më të mirë, për shkak të kostove negative të bllokimit dhe pakësimit të aktiviteteve të tjera ekonomike.

Ekzistojnë gjithashtu faktorë të rëndësishëm të shpërndarjes, që në mënyrë të rreme u japin përparësi agjendave politike të industrisë së futbollit dhe mikpritjes. Për rrjedhojë, efektet optimiste dhe shumëzuese të Kupës së Botës, janë qartësisht skema të dizenjuara për vetëpromovim, me synim justifikimin e subvencioneve shtetërore, për biznesin privat të futbollit profesionist. Si shpjegohen mospërputhjet e shifrave që jep qeveria ruse dhe “Moody’s”? A po e zmadhon Moska përfitimet ekonomike për ndonjë arsye të veçantë?

John L. Solow: Edhe Lojrat Dimërore të Soçit, u pretendua se do të sillnin një zhvillim ekonomik rajonal. Soçi, ishte Olimpiada më e shtrenjtë e realizuar ndonjëherë, por sot ju mund të gjeni lehtësisht foto në internet të objekteve të braktisura dhe të shkatërruara, si dhe hotele të boshatisura dhe apartamente të plaçkitura. E njëjta gjë vlen edhe për Olimpiadën e Pekinit – stadiumi i shkëlqyer “Herzog De Meuron” i Pekinit (Foleja e Zogjve), përbën ende një atraksion turistik, por pjesa tjetër e objekteve është e braktisur dhe e degraduar. Por pse qeveritë i bëjnë këto pretendime? Nuk jam shumë i sigurt, por në përgjithësi kur politikanët flasin, unë shoh se cilët janë interesat e tyre të veçantë. Disa kompani ndërtimi, kanë bërë shumë para për të ndërtuar këto stadiume, dhe pronarët e tyre shpesh kanë lidhje politike. Pra, “shes” tatimpaguesin mbi përfitimet e ardhshme, bëj shumë para me kontratat, dhe pastaj kur përfitimet nuk shfaqen, dhe tatimpaguesit mbeten me gisht në gojë… unë kam realizuar gjithsesi ambiciet e mia.

John Vrooman: Rregulli i zakonshëm është të zhvendoset presja dhjetore një vend në të majtë, për vetënxitjen dhe vlerësimet ekonomike të ngjarjeve të politizuara si botërori i futbollit. Pra, vlerësimi më i saktë do të ishte 3.1 miliardë dollarë. Kufizimet e ekonomisë ruse dhe gjendja e futbollit vendas, e kufizojnë që të dyja ndikimin e shpërndarë gjerësisht ekonomik të Kupës së Botës, pasi shumica e përfitimeve nga ky turne do të shkojë në Premier Ligën ambicioze ruse. Zmadhimi i ndikimit ekonomik të kësaj ngjarje të madhe, është vetëpromovimi. “Pacific Standard”/ Bota.al

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lu përpiqet ‘të prekë në sedër’ qeverinë shqiptare: Gati t’ju ndihmoj me monedhat e mia

“Shqipëria ka një problem të madh prej vitesh dhe për ta rikuperuar,...
Read More