A ka oligarkë në Shqipëri?

 
 

Politika dhe biznesi, në lojën mes tregut të lirë dhe krijimit të oligarkisë. Shfaqja e fenomenit në vendin tonë dhe populizmi me këtë term. Si e shohin analistët Mero Baze dhe Baton Haxhiu lindjen e oligarkisë në Shqipëri dhe këndvështrimi i ekspertit të ekonomisë Zef Preçi.

“Oligarkia është një formë qeverisjeje, ku sundon një rreth i ngushtë njerëzish të cilët ushtrojnë kontroll politik dhe ekonomik veçanërisht për arsye vetjake dhe korruptive”. Ky është kuptimi i fjalës oligarki. Është ndër termat që e gjen shpesh në fjalorin politik të viteve të fundit, përdorur kryesisht nga opozita për të akuzuar qeverinë dhe biznesin afër saj.

Pak javë më parë, kryetari i opozitës doli para mediave dhe renditi një listë me emra biznesesh për të cilët tha se janë oligarkë pranë kryeministrit Rama, pasi ata kishin fituar dhjetëra tenderë nga qeveria Rama. Të tilla akuza pati artikuluar me qindra herë kur ishte në opozitë edhe Edi Rama. Ai akuzonte kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij njësoj siç po vepron sot Lulzim Basha. Në të dyja rastet, me apo pa të drejtë, në qendër të sulmeve është biznesi.

Por a ka oligarkë në Shqipëri apo është fjala për një grup njerëzish që i përkasin politikës, të cilët kur janë në mazhorancë por edhe në opozitë, kanë mundësinë të ushtrojnë pushtet për llogari të interesave të tyre personalë dhe korruptivë?! Pandeli Majko, një prej ministrave të qeverisë Rama, beson se biznesi e drejton politikën dhe jo e kundërta. Tre ditë më parë ai përcolli publikisht një akuzë për biznesin, duke e cilësuar në nivelet e krimit.

“Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi. Sikur ta vendoste në fokus të interesave do ia kisha bërë hallall por, ngandonjëherë, vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keqtrajtimit që biznesi po i bën politikës është moslënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është në nivelin e krimit”,- shkruan Pandeli Majko tre ditë më parë në Facebook.

Nuk mendojnë kështu analistët dhe ekspertët e ekonomisë. Pikërisht për këtë temë, janë ftuar në forum dy analistë, Mero Baze e Baton Haxhiu, si dhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi.

Secili ka optikën e tij për oligarkinë në Shqipëri por që bashkohen deri diku në përfundimin se në Shqipëri sundon oligarkia politike ndërsa bizneset janë të kushtëzuara nga ky grup i vogël njerëzish që qeverisin Shqipërinë. Analisti Mero Baze beson se në Shqipëri ekziston një sistem politik oligarkik.

Është një sistem sipas tij, i bërë me ligj dhe i vulosur marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008. Baze thekson se është përgjegjësi e klasës politike që ka humbur në Kushtetutën e vendit mekanizmin e check-balance dhe ka kufizuar të drejtën e popullit për t’u shprehur, për pushtetet e tjera përveç kryeministrit. Termi apo akuza oligarkë, sipas Bazes, nuk i adresohet politikës por biznesit. “D.m.th. atë që duhet t’ia thonë politikës, ia thonë biznesit.

Dhe me këtë kanë fjalën se disa biznesmenë janë më të privilegjuar se të tjerët. Kjo është e vërtetë, por nuk është problem i tyre”.

Për analistin Baton Haxhiu, problemi nuk është se ka shumë ndikim të biznesit tek administrata por e kundërta, se ka shumë pak ndikim të elitës së biznesit te politika. Analisti Haxhiu thekson se bizneset e mëdha anembanë botës, Amerika posaçërisht, mbështetet legjitimisht nga politikanët dhe politikat që mendojnë se janë më të përshtatshme për interesat e tyre, si dhe për biznesin e përgjithshëm.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, thotë se prania e oligarkëve në vendin tonë nuk mund të mohohet, ndonëse në këtë pikë ka edhe shumë populizëm. Shqetësues konsideron faktin e shfaqjes së deformimeve serioze në konkurrencën e lirë në tregje./Mapo.al/

Mero Baze, botues, analist

“Oligarkia politike u vulos nga marrëveshja Rama-Berisha, është një histori që duhet zhbërë”

A ka oligarkë në Shqipëri apo është veçse një perceptim populist mbi këtë term?

Fjala Oligarkë ka hyrë në fjalorin politik nisur nga Oligarkia, e cila është një formë qeverisjeje në kohët e vjetra, kur pushtetin e kishte në duart e veta një rreth i ngushtë njerëzish. Në këtë kuptim mund të them se Shqipëria është një Oligarki, e prodhuar me ligj, pasi këtu shqiptarët votojnë vetëm për kryeministrin, të tjerat sillen rreth fituesit. Kjo është përgjegjësi e klasës politike që ka humbur në Kushtetutën e vendit mekanizmin e check-balance dhe ka kufizuar të drejtën e popullit për t’u shprehur për pushtetet e tjera përveç kryeministrit. Por në Shqipëri në mënyrë qesharake ky term nuk i adresohet politikës, por biznesit. D.m.th. atë që duhet t’ia thonë politikës, ia thonë biznesit. Dhe me këtë kanë fjalën se disa biznesmenë janë më të privilegjuar se të tjerët. Kjo është e vërtetë, por nuk është problem i tyre. Pra, ne kemi një sistem politik oligarkik. E kemi bërë vetë me ligj dhe Marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008 i ka vënë vulën. Është një histori që duhet bërë zhbërë. Së paku ta zhbëjmë me ligj, pastaj në praktikë.

Besoni se përdorimi i shtuar së fundmi, i termit oligarkë, qoftë nga politika, por edhe mediat dhe rrjetet sociale, po kthehet në një farë trysnie ose sulmi të padrejtë ndaj biznesit?

Ajo që perceptojnë njerëzit është se gjërat janë të grumbulluar në pak duar. Fjala vjen shikojnë që biznesmenë të mëdhenj, nuk janë të famshëm se kanë një produkt në tregun shqiptar, por janë të famshëm se kanë gjithçka. Fjala vjen, Zamir Mane nuk është i famshëm se është tregtar i madh mallrash, por është më i madhi i supermarketeve, më i madhi i kromit, më i madhi i ndërtimeve, më i madhi i resorteve turistike, më i madhi i bujqësisë etj. Shefqet Kastrati është më i madhi i naftës, por shfaqet dhe më ambiciozi në ndërtime, në industrinë e makinave, sigurimeve etj. Mund të marr dhe shembuj të tjerë. Nuk e kam në kuptimin negativ pse këta janë gjithandej, por duke qenë gjithandej, njerëzit krijojnë perceptimin se këta kanë gjithçka. Është pak dhe problem i këtyre biznesmenëve që duhet të strukturojnë të ardhmen e tyre në raport me kë fushë do dominojnë. Në botë ka miliarderë dhjetëra herë më të mëdhenj se këta tanët, por ata kanë identitet. Pronari i Amazonës është sot më i pasuri në botë, por ama ka vetëm Amazonën. Është i famshëm për atë biznes, që është ide e tij. I tillë është dhe Zukembergu. Suksesi i biznesmenëve tanë nuk është prej identitetit të tyre në biznes, por prej shpërndarjes në çdo biznes, duke kapur shtetin. Kjo krijon këtë keqkuptimin me oligarkinë. Në fakt nuk ka lidhje me të. Është më shumë kapje shteti.

Baton Haxhiu, analist politik

“Elita e biznesit duhet të ketë më shumë ndikim në politikë”

A ka oligarkë në Shqipëri apo është veçse një perceptim populist mbi këtë term?

Duhet që Shqipëria të jetë një shtet modern dhe sipërmarrës dhe një destinacion investimi ose të kthehet në modele të vjetra shoqërore të frymëzuara të shoqërisë që nuk kanë asgjë për të financuar dhe që do ta kapnin përsëri shtetin në të kaluarën. Gjithashtu, duhet të mbështesim krijimin e një klase biznesi që përfaqëson revolucionin e vërtetë të shoqërisë dhe shansin e tij për zhvillim të qëndrueshëm ose do të zgjedhim zgjidhjet afatshkurtër populiste që çojnë në stagnim dhe izolim.

Besoni se përdorimi i shtuar së fundmi, i termit oligarkë, qoftë nga politika por edhe mediat dhe rrjetet sociale, po kthehet në një farë trysnie ose sulmi të padrejtë ndaj biznesit?

Pyetja është se sa të mira ata sjellin. Pyetja është dhe a ka konsiderata sa taksa më shumë është paguar nga ata, sa bursa janë dhënë, shumë familje të punësuara, risi që sjell në biznes, PR ndërkombëtar për Shqipërinë që kalon përmes kontakteve të tyre të biznesit.

Nëse nuk mund të flasim për ekzistencën e oligarkisë në ekonomi, a besoni se ka oligarki politike?

Shteti nuk duhet imponuar asgjë. Administrata është e zgjedhur dhe duhet që të krijojë kontekstin më të mirë të mundshëm për zhvillimin dhe interesat e kombit. Në këtë kuptim, ajo është një nga bashkëpunëtorët kryesorë të biznesit. Problem i vërtetë për mendimin tim është ndikim i pakët i elitës së biznesit në administratën shtetërore. Sepse ndërmarrësia, jo burokracia, sjell zhvillim, investime të reja, vende të reja pune. Bizneset e mëdha anembanë botës, Amerika posaçërisht, mbështetet legjitimisht nga politikanët dhe politikat që mendojnë se janë më të përshtatshme për interesat e tyre, si dhe për biznesin e përgjithshëm. Në vendin tonë, kjo është arsyeja për ekonominë e madhe joformale, e cila në mënyra të ndryshme jotransparente përpiqet të ndikojë në administratë. Bizneset e ligjshme dhe sidomos të mëdha dhe të suksesshme duhet të kenë më shumë ndikime politike, sepse në fokus do të jenë çështjet gjithnjë e më ekonomike, dhe më pak çështje ideologjike nxitëse. Për Shqipërinë modeli më i mirë është ky: duhet të bëhen përpjekje për të ndjekur modelin e vendeve nordike që kanë mundësuar një zhvillim të shpejtë dhe të qetë të biznesit, me rrjeta të fuqishme shoqërore (kualiteti dhe edukimi falas, kujdesi shëndetësor, asistenca e trajnimit). Dhe tani ata kanë një nga ekonomitë më dinamike dhe më të suksesshme në botë, së bashku me shtete të forta shoqërore. Ne mund të jemi në nivelin e vendeve nordike, por problemi është te mungesa e vizionit të pamjaftueshëm ekonomik. Shqipëria dhe Ballkani, e sidomos biznesi, dëshirojnë të arrijnë nivelin europian menjëherë. Kjo është e pamundur dhe shpejtësia në kërkesë dhe arritje pa pas ndërgjegje dhe kriter, shpeshherë na bën kriminel. Shqipëria së shpejti do të jetë vend i emigrantëve dhe ata do ta zhvillojnë Shqipërinë. Nuk mundemi ne, të bëjmë më shumë për veten tonë. Shumica e vendeve janë zhvilluar dukshëm me punën e emigrantëve.

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë

“Ka prani oligarkësh në vendin tonë, po shfaqen deformime të konkurrencës së lirë”

A ka oligarkë në Shqipëri apo është veçse një perceptim populist mbi këtë term?

Ndoshta është e rëndësishme që të bëjmë një “marrëveshje fjale” rreth këtij termi “prani e oligarkëve” përpara se të japim një opinion rreth kësaj teme. Në kuptimin e përgjithshëm, të zakonshëm të kësaj fjale, kemi të bëjmë me praninë e oligarkëve në një vend kur disa biznese, familje ose individë kontrollojnë jetën ekonomike, politike dhe institucionale të vendit. D.m.th., kur fuqia e tyre rrjedh nëpërmjet marrëdhënieve të tyre me njëri-tjetrin. Në këtë kuptim, oligarkia mund të bashkëjetojë me demokracinë, me teokracinë ose edhe me mbretërinë. Parimisht, njerëzit ose ushtrojnë fuqinë e tyre duke votuar për përfaqësuesit, të referuara si demokraci përfaqësuese, ose qytetarët kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në procesin e vendimmarrjes dhe të sundimit, të referuara si demokraci direkte. Ndërsa në botën e sotme një oligarki është një formë e qeverisjes në të cilën të gjitha pushtetet përqendrohen në duart e një numri të kufizuar njerëzish. Nëse biem dakord mbi këtë term, është e qartë se ka vend për të pranuar pa shumë diskutim praninë e oligarkëve në vendin tonë, edhe pse nuk mungon populizimi rreth kësaj teme. Më konkretisht, nëse një pjesë e mirë e vendimmarrjeve të qeverise çojnë në krijimin e avantazheve të rëndësishme në biznes për individë të caktuar luajalë me kryeministrin dhe qeverinë e radhës, kontribuues formalë dhe informalë (në disa raste edhe kriminale) në fushatat zgjedhore apo përcjellin lehtësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes emrave fiktivë, pa konkurrencë dhe transparencë në duart e këtyre individëve të pasurive të rëndësishme strategjike të vendit apo kontrata koncesionare për dy apo tri dekadat që vijnë, kjo mund të klasifikohet padyshim si prani dhe ndikim i fuqishëm i oligarkisë në vend. Ndërsa populizmi mendoj se shfaqet kryesisht në diskursin politik rreth oligarkisë në të cilin njëra palë politike i përmend tjetrës sipërmarrës të caktuar të afirmuar pranë saj, por merret pak ose aspak me efektet negative që sjell ndaj demokracisë dhe fateve të vendit një bashkëjetesë e oligarkisë me demokracinë, sidomos sa i takon rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare. Nuk duhet harruar se që në lashtësi, që nga koha e Aristotelit, janë një numër çështjesh që asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje shteruese, të tilla si: në ç’mënyrë mund të pengohet degjenerimi i monarkisë në tirani, i aristokracisë në oligarki dhe demokracisë në anarki? D.m.th. si mund të mbahet ekuilibri i një forme të përzierë qeverisjeje…

Besoni se përdorimi i shtuar së fundmi, i termit oligarkë, qoftë nga politika por edhe mediat dhe rrjetet sociale, po kthehet në një farë trysnie ose sulmi të padrejtë ndaj biznesit?

Edhe këtu duhet një marrëveshje fjale. Nëse flasim për biznesin fjala është për një organizatë apo për një sistem ekonomik ku mallrat dhe shërbimet shkëmbehen për njëri-tjetrin ose kjo bëhet për para. Çdo biznes kërkon një formë investimi dhe konsumatorë të mjaftueshëm për të cilët prodhimi i saj mund të shitet në mënyrë të qëndrueshme në mënyrë që të fitojë. Bizneset, siç dihet, mund të jenë në pronësi private, shtetërore, vendëse, të huaja etj. Kjo pjesë e biznesit është pjesa dërrmuese e tij edhe në vendin tonë dhe nuk mendoj se termi “oligark” ngjall ndonjë shqetësim për të. Madje, mund të thuhet pa frikë se në kuptimin e mësipërm, ashtu si qytetarët, konsumatorët, votuesit dhe taksapaguesit është edhe biznesi një viktimë e pranisë së oligarkëve dhe simbiozës së qeverisë me oligarkët në vend, d.m.th. biznesi vuan pasojat e kësaj pranie. Me këtë dua të them se prania dhe pasojat e oligarkisë duhen analizuar nga politikanët, juristët, ekonomistët, sociologët etj., si një fenomen shqetësues që shoqëroi proceset transformuese të sistemit që filluan gati tri dekada më parë, si një pasqyrim i modeleve qeverisëse të vendeve të ish-bllokut lindor të shprehur më së miri në rastin e Rusisë postsovjetike, si një dëshmi e deficitit demokratik të vendit, e dobësisë së institucioneve të krijuara gjatë tri dekadave të fundit, mungesës së pjesëmarrjes qytetare në qeverisjen e vendit, si pasoja të qeverisjes pa llogaridhënie dhe degjenerimit hap mbas hapi të institucioneve, zhdukjes së ndarjes së pushteteve dhe dobësim serioz i legjitimitetit të tyre. Natyrisht kur flitet për biznese të veçanta kjo duhet parë si shqetësuese dhe personalisht distancohem kategorikisht nga një trajtim i tillë. Duhet të jemi të qartë, biznesi ka vetëm një motor dhe motiv: rritjen sa më shumë që të jetë e mundur dhe me çdo mjet të normës së fitimit. E ndër këto mjete është edhe përdorimi i lidhjeve të shkurtra me vendimmarrjes e politikëbërës të rëndësishëm dhe kryesorë të vendit. Problemi është në ç’masë elita politike e shoqërisë iu përmbahet disa principeve bazë të sanksionuara në Kushtetutën e vendit dhe në ligjet e shtetit, në ç’mënyrë qytetarët marrin pjesë në qeverisjen e vendit, në ç’masë respektohen kushte bazë të sipërmarrjes siç është konkurrenca e lirë në tregje, barazia para ligjit, aksesi i barabartë në të mirat dhe në fondet publike, në ç’masë elita politike që qeveris vendin iu përmbahet angazhimeve programore të veta etj. E që të jemi me konkrete në analizën e situatës së sotme në vendin tonë lidhur me këtë temë. Tashmë ka evidenca të mjaftueshme mbi mungesën e kapaciteteve qeverisëse në administratën publike, mbi politizimin e saj pavarësisht retorikës politike të ditës rreth reformimit të saj dhe mbi nepotizmin në rritje; rreth korrupsionit dhe përfshirjes së oligarkëve në emërimet në këtë administratë, d.m.th. në “kapjen e shtetit” nga oligarkia. Për rrjedhojë po shfaqen edhe deformime serioze të konkurrencës së lirë në tregje, mungojnë ose po largohen investime të huaja të rëndësishme nga vendi, rritja ekonomike është stanjative dhe është tkurrur punësimi, ka tendencë që të rritet evazioni fiskal etj.; po rritet ineficienca në investimet publike, në mjaft raste për blerjet dhe porositë shtetërore po procedohet në kushte emergjente, nuk po respektohen procedurat e prokurimit etj., po rriten keqadministrimi i utiliteteve publike (p.sh. investimet në shpërndarjen e energjisë elektrike, ujit të pijshëm, rrugët, etj.), dhe abuzimet me fondet buxhetore dhe borxhet e shteti në këta sektorë; institucionet rregullatore të tregut (bankat, tregun e sigurimeve, kontrollin e ushqimeve, etj.), përherë e më shumë po kapen nga lobe të caktuara të biznesit – oligarkia, dhe ato politike etj. Gjë që ka çuar në përkeqësimin e funksionimit të tregjeve, në penalizimin e padrejtë të konsumatorit etj. Për rrjedhojë, në vendin tonë ka gati një dekadë që po thellohet pabarazia në të ardhurat; ka një zvogëlim real të shtresës së mesme të shoqërisë në vend që të ndodhte e kundërta; një numër aktesh ligjore sidomos sa u takon kontratave koncesionare po dhunojnë principet e ekonomisë së tregut dhe po krijohen monopole me ligj, një numër individësh me të shkuar kriminale kanë arritur të depërtojnë në radhët e partive politike e në Kuvendin e Shqipërisë dhe në pushtetin vendor, dhe procesi i çmontimit të tyre qoftë edhe nga përfaqësimi politik dhe në administratën publike po has në rezistencën e lidershipit të partive politike respektive etj. Është interesante të theksohet se është pikërisht për shkak të pranisë dhe ndikimit të oligarkisë që në disa tregje të rëndësishme si në tregun e sigurimeve etj., janë shfaqur raste të fiksimit të çmimeve, ndarjes së tregut, etj., ose një numër shërbimesh publike që janë marrë nga biznese luajale te qeveria e radhës dhe oligarkët e lidhur me të nëpërmjet disa kontratave koncesionare gjerësisht të dyshuara për korrupsion, klientelizëm dhe favorizim janë përkeqësuar dhe kanë rritur kostot e tyre. Po kështu, nga analiza e një numri të madh aktesh ligjore të përgatitura gjatë pesë viteve të fundit tregon se në to pasqyrohen interesave e grupeve të caktuara luajale ndaj qeverisë etj.

Në se nuk mund të flasim për ekzistencën e oligarkisë në ekonomi, a besoni se ka oligarki politike?

Nuk ka dyshim se prania e oligarkëve në ekonomi pasqyrohet edhe në jetën politike dhe institucionale të vendi. Madje, në rastin e vendit tonë, një numër syresh kanë arritur të zënë vend edhe në jetën politike përmes përfshirjes në listat e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, edhe pse është vështirë të gjesh argumente të tjera për këtë përveçse fuqisë ekonomike të përqendruar në duart e tyre. Po kështu, duhet pranuar edhe fakti tjetër se qenia në një konflikt interesi e një numri të konsiderueshëm sipërmarrësish të përfshirë në jetën politike të vendit ka mundësuar paprekshmërinë e bizneseve të tyre nga organet ligjzbatuese dhe ato fiskale (evazionin fiskal), pa folur për ndikimin e qenësishëm të tyre në vendimmarrjet qeveritare për fonde publike, për licenca, për aksesin e lirë në asete të rëndësishme strategjike të vendit etj. Mjafton të lexosh raportet e KLSH mbi problemet në menaxhimin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës etj., apo raportet e BIRN për licencat e inceneratorëve të mbetjeve urbane për të kuptuar dimensionet serioze të kësaj simbioze midis elitës politike dhe oligarkisë në vendin tonë. Pavarësisht faktit se probleme të tilla shfaqen edhe në vendet me demokraci të konsoliduar, mendoj se ndikimet negative në vendet me demokraci hibride si yni janë edhe më të mëdha. Nuk e teproj të vë në dukje se ky ndikim shkon deri në nxitjen e humbjes së shpresës për një jetë më të mirë në Shqipëri e për rrjedhoje edhe në shtimin e largimeve pa kthim drejt vendeve të BE-së apo kudo tjetër në botën e sotme. Të mos harrojmë se përveç shtresave të varfra dhe të papunëve afatgjatë që lartoheshin nga vendi në dekadën e parë dhe të dytë të tranzicionit, vitet e fundit vihet re largimi i të rinjve dhe rriturve të shkolluar dhe i familjeve që disponojnë një minimum kursimesh monetare. Për rrjedhojë rrezikohet jo vetëm përkeqësimi i shërbimeve publike bazë si në shëndetësi etj., por edhe po largohen nga vendi kapitale të rëndësishme të nevojshme për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe Integrimin Europian të vendit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Lëshon timonin e makinës, Elvana Gjatës për pak sa nuk i ndodh ‘gjëma’

  Këngëtaraj Elvana Gjata i është kthyer fuqishëm tregut muzikor, pas një...
Read More