A ka perspektivë politike Edi Rama?

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarjet e fundit me akuza për politikanë të lartë dhe ish-drejtues të policisë për përfshirjen e tyre në trafikimin e lëndëve narkotike, kanë tronditur pozitat e qeverisë Rama Dy. Mënyra se si ka nisur mandati i dytë i Edi Ramës është siç nuk do donte askush që gjendet në krye të punëve të vendit. Ndodhemi përballë një paradoksi, ku qeveria aktuale ka fituar të vetme këto zgjedhje, mirëpo entuziazmi i zakonshëm që karakterizon çdo qeveri që sapo ka fituar zgjedhjet nuk shihet asgjëkund.

Në një farë mënyre, kjo qeveri është kapur në mënyrë të befasishme nga akuzat që po vijnë çdo ditë nga organet e drejtësisë kundrejt ish-funksionarëve të lartë të shtetit dhe po pëson, të paktën në sytë e opinionit publik, një kosto politike. Edhe pse përpjekjet janë të vazhdueshme për të spostuar vëmendjen e opinionit publik, me sa duket nuk do të shpëtojë lehtë nga kjo çështje, kaq e ndjeshme për qytetarët shqiptarë dhe shumë e rëndësishme për të gjitha proceset e integrimit.

Askush nuk mund të mohojë që ka një problem me kriminalitetin në vend, dhe suksesi apo dështimi i kësaj qeverie, edhe për të ardhmen e saj, do të varet nga qasja dhe vullneti që do të tregojë ajo për t’u përballur me këtë fenomen, duke përfituar nga fakti që ka alibinë e një qeverie të re, dhe faktet e kësaj çështjeje flasin për qeverinë e kaluar. Megjithatë ka të njëjtin kryeministër, dhe në këtë kuptim, kostoja politike e tij është edhe për qeverinë e kaluar.

Por përgjegjësia politike dhe kostoja politike që mund të ketë Edi Rama nga e gjitha kjo histori, janë dy koncepte të ndryshme. Qeveria Rama Dy ka përgjegjësi politike, dhe në këtë rast duhet të largohet, vetëm nëse është i përfshirë në këto afera vetë Kryeministri. Deri më tani asnjë indicie juridike nuk tregon një gjë të tillë. Ndërsa kostoja politike lidhet me besueshmërinë e publikut ndaj këtij kryeministri, e cila me shumë gjasa ka lëvizur, dhe mund të reflektohet në zgjedhjet e para që do të vazhdohen.

Kështu që Edi Rama ka ende një shpresë për të shpëtuar imazhin politik të tij dhe të qeverisë së re të tij. Këtë mund ta bëjë vetëm duke treguar vullnet të hekurt dhe të palëvizshëm, për të çuar deri në fund, ashtu siç janë qëndrimet e tij publike, luftën ndaj krimit; ose duke mos bërë asnjë hap, i cili do të pengonte hetimet që janë duke u zhvilluar në këto moment, duke treguar se Reforma në Drejtësi është vërtet objektiv i tij, siç e propagandoi për shumë kohë para dhe gjatë fushatës elektorale. Duke qenë se për Reformën në Drejtësi, Partia Socialiste është investuar shumë dhe ka qenë një nga kuajt e betejës së saj, edhe kostot politike, nëse vërtet nuk tregon se e kishte seriozisht reformimin e drejtësisë, do të jenë të mëdha.

Por, çështja që ka të hapur qeveria Rama Dy, nuk është vetëm kjo. Ajo gjendet pothuajse në një front të hapur. Një sërë reformash që nisën dhe kërkojnë vazhdimin e tyre edhe këtë mandat, janë po ashtu një provë për të. Duke filluar që nga reforma në arsim e deri tek ajo e territorit, rrezikojnë Edi Ramën të mbetet një reformator përgjysmë.

Për të gjitha këto arsye, pozitat e qeverisë janë të lëkundura, por mundësitë për të rigjetur rrugën e tij politike, Edi Rama dhe qeveria e tij i ka ende.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Klara Buda, ‘Pëshpërimë gruaje’ ose dashuria si aktor rezistence

Të premten, në hollin e UET promovohet romani i Klara Budës, “Pëshpërimë...
Read More