A ka shans ekonomik 2018-a?

Shqipëria në udhëkryqin ekonomik të vitit të ri. Modeli aktual për bërjen e shtetit përballë reformave të tregut, që sjellin investime dhe impuls të ri ekonomik. Parashikimet e deputetit socialist Ervin Bushati dhe drejtorit të Institutit “Pashko”, Besart Kadia

Nga Luljeta Progni

Ka nisur pa entuziazëm viti 2018, sa i përket situatës ekonomike. Kemi lënë pas një vit që është konsideruar viti i bllokimit të reformave, por edhe viti që vjen nuk duket se premton përmirësim të ndjeshëm. Megjithëse zyrtarët e lartë të mazhorancës dhe institucioneve financiare, përpiqen të flasin me shifra optimiste, qoftë për vitin që shkoi dhe këtë që sapo ka nisur, statistikat na dëshmojnë tjetër realitet, i cili flet për zbehje të investimeve në ekonominë shqiptare.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2017 investimet u rritën ndjeshëm, në shifrën 13 për qind krahasuar me një vit më parë. Por ritmet e rritjes u ulën po aq ndjeshëm në tremujorin e tretë, duke zbritur në shifrën 3.8 për qind. Padyshim që rënia e investimeve frenoi zhvillimin e ekonomisë dhe ajo që është më problematike, parashikohet që investimet të mbeten në nivele po kaq të ulëta.

Ekspertët flasin për ngecje në vend të investimeve të huaja dhe parashikojnë ulje edhe për shpenzimet kapitale të qeverisë. Ulja e këtij zëri lidhet me kushtëzimin për ulje të borxhit publik. Ndërsa burimi i tretë i investimeve që është biznesi vendës, mbetet i kushtëzuar nga situata e bllokuar me kreditë. Pak muaj më parë, Banka e Shqipërisë, evidentoi se kredia për ekonominë si burimi kryesor i financimit për investimet e reja, vazhdon të mbetet në ngërç.

Megjithatë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehet optimist për rritjen ekonomike gjatë vitit 2018. Ai e mbështet optimizmin e tij për rritje të ekonomisë, pikërisht te rritja e kreditimit për ekonominë. Në një konferencë për mediat në fund të vitit 2017, Sejko tha se kredia me probleme është ulur në 14,3 për qind, çka tregon se bilancet e sistemit tregtar janë përmirësuar.

Kaq optimist sa guvernatori, nuk është eksperti i ekonomisë, Besar Kadia, drejtues i institutit “Pashko”. Ai parashikon një vit të vakët: “Ka hyrë në momentum të plogësht për sa i përket vendosmërisë së Rama II për të zhvilluar vendin. Për më tepër viti 2018 është viti i fillimit të konsolidimit fiskal, që nënkupton praktikisht lidhjen e duarve të qeverisë Rama II për të ndërmarrë projekte të mëdha infrastrukturore me ndikim në periudhën afatshkurtër”.

Me doza të larta optimizmi, shfaqet deputeti i PS-së Ervin Bushati. Ai bën bilancin e mandatit të parë, duke e konsideruar si shumë të suksesshëm në arritjet ekonomike dhe parashikon një vit me rritje deri në 4% të ekonomisë si dhe shifër rekord investimesh, krahasuar me vitet e mëparshme.

Gent Sejko, Guvernatori i BSH: Projeksionet tona janë pozitive

Projeksionet tona për të ardhmen flasin për një përmirësim të mëtejshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit dhe pritet të sjellë rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mbështeten, ndër të tjera, nga kushtet aktuale të favorshme të financimit dhe nga një ecuri e pritur më e mirë e kreditimit. Rënia e mëtejshme e raportit të kredive me probleme, raport i cili shënoi nivelin 14.3% në muajin nëntor, tregon se bilancet e sistemit bankar po vijnë drejt përmirësimit dhe se rreziku i kredisë po vjen drejt rënies.

Aktiviteti ekonomik i vendit ka vijuar të shënojë rritje në tremujorin e tretë dhe të katërt, ndonëse disa tregues indirektë sugjerojnë një ngadalësim të lehtë në gjysmën e dytë të vitit. Rritja ekonomike ka pasqyruar ambientin e favorshëm financiar, përmirësimin e besimit, impulset e gjeneruara nga rritja e punësimit dhe nga nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, si dhe momentin pozitiv të ekonomive partnere tregtare.

Një angazhim tjetër strategjik, lidhet me rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare, e thënë ndryshe me de-euroizimin e ekonomisë. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2017, në konsultim dhe me industrinë bankare, kemi ideuar disa masa specifike, të cilat do të hyjnë në fuqi në gjysmën e parë të vitit 2018. Për ta bërë de-euroizimin gjithëpërfshirës, Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të nxitur marrjen e masave të ngjashme edhe në pjesën tjetër të sistemit financiar dhe në ekonominë reale. Kjo iniciativë pritet të rezultojë shumë shpejt në masa konkrete shtesë”, -tha Sejko në konferencën e fundvitit.

Besart Kadia, drejtues i institutit “Pashko”: 2018-ta, vit i vakët, kemi hyrë në “momentum” të plogësht

Në një ekonomi të vogël si Shqipëria është e pamundur të diskutosh për parashikimet ekonomike pa interpretuar njëkohësisht dhe sjelljen e shtetit. Në muajt e parë të mandatit të ri “Rama II” e nisi me premtime për lehtësim fiskal, për derregullim, për shtet të vogël, për nxitje të investimeve private etj. Por thuajse gjashtë muaj më vonë ne kemi një ngrirje të këtyre premtimeve dhe hapa gati regresivë për sa i përket ekonomisë. Taksat janë rritur sërish sidomos ajo e pronës që prek të gjithë qytetarët dhe bizneset direkt. Taksa progresive mbetet e pandryshuar si një simbol i politikës së gabuar ekonomike. Përflitet për një taksë progresive për gjithë të ardhurat që bën një çorientim akoma dhe më të madh të sistemit fiskal. Ndryshimi i mënyrës së organizimit të shtetit me ministri të reja e me shkrirje agjencish mbetet vend numëro dhe ka sjellë pasiguri të madhe e ka dhënë sinjale stopuese për tërë administratën publike. Pagat shtetërore prej katër vitesh mbeten të ngrira duke mos nxitur konsumin apo dhe kredimarrjen konsumatore. Ndërkohë që ndërmarrjet me rëndësi për ekonominë siç janë ARMO dhe Albpetrol janë në evazion të lartë fiskal ose në keqmenaxhim të theksuar. AMF drejtohet nga një ish-deputet i partisë në pushtet që e bën të paqartë pavarësinë e saj për të mbikëqyrur realisht tregun financiar jobankar etj. Nga ana tjetër nëse me të vërtetë ekonomia do të ishte prioritet nuk duhej kurrsesi që Ministria e Financave të shkrihej me Ministrinë e Ekonomisë. Nuk mund të kontrollohet nga një autoritet politika fiskale dhe politikat zhvillimore njëkohësisht. Janë në kontradiktë të plotë! Ndaj viti 2018 duket si një vit i vakët dhe ka hyrë në “momentum” të plogësht për sa i përket vendosmërisë së “Rama II” për të zhvilluar vendin. Për më tepër viti 2018 është viti i fillimit të konsolidimit fiskal, që nënkupton praktikisht lidhjen e duarve të qeverisë “Rama II” për të ndërmarrë projekte të mëdha infrastrukturore me ndikim në periudhën afatshkurtër.

Ndërkohë që institucione ndërkombëtare nuk shfaqin ndonjë entuziazëm për ekonominë tonë. Fjala vjen BERZH ashtu si dhe shumë institucione të tjera, mendon se për vitin 2018 prioritet mbeten reformat, që nga ajo në administratën publike dhe drejtësi deri tek ajo në energjetikë që duhet thelluar, si dhe te reformat që përmirësojnë klimën e biznesit. Sido që të jetë kantierët e hapur ndër vite nga Rama janë të papërfunduara dhe shumë reforma baras me zero, reforma për një vend me administratë jo moderne si e jona. Ndaj edhe nëse tërë prioritetet e vendosura nga BERZH arrihen ato efektin e kanë në vitet e ardhshme dhe nuk ka si të ndihet në vitin 2018! Fakt është që Shqipëria ka hyrë në një trend të ritmeve të ulëta të rritjes ekonomike që në vitin 2011 ku rritja mesatare, përfshirë edhe vitin 2018, vlerësohet të jetë 2.4% në vit. Por, në tërësi, duke përjashtuar disa masa të përkohshme korrektuese institucionale, nuk është vënë re ndonjë ndryshim thelbësor i strukturës së ekonomisë sonë. Në fakt, disa tregues si Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik apo “Doing Business” janë përkeqësuar në vitet e fundit. Mungesa e inovacionit në ekonomi vihet re edhe në strukturën e pandryshuar të eksporteve si dhe të kredidhënies gjatë viteve të fundit. Shohim që në tërësi sektori privat nuk ka ndonjë impuls pozitiv për të na bërë optimist për efektet e rritjes ekonomike gjatë vitit 2018 për pasurinë kombëtare. Në fakt, rritja ekonomike e vënë re në dy vitet e fundit vjen kryesisht për shkak të investimeve në sektorin energjetik. Kjo e dhënë mbështetet edhe në parashikimet e bëra nga Banka Botërore.

Shqipëria për vitin 2018 ka prioritet kryesor rikthimin e stabilitetit fiskal. Kjo nënkupton kontroll të shpenzimeve publike dhe ulje konstante e borxhit publik drejt nivelit 60% e PBB-së. Por qeveria këtë objektiv e sheh si një ushtrim të thjeshtë të rritjes së të ardhurave nëpërmjet taksave dhe uljes së investimeve kapitale. Por kjo nuk është politika e duhur. Ajo nuk ka treguar në asnjë çast seriozitet në ulje të “abuzimeve dhe shpërdorimeve me fondet publike” që theksohet në letrën e FMN-së. Së dyti, procesi i PPP-ve është ndër më të rëndësishmit për ekonominë tonë, por që vuajnë nga transparenca dhe janë nënshkruar kontrata që vetë Ministria e Financave deklaronte se janë bërë pa një analizë të përfitimit ekonomik të taksapaguesëve nga këto kontrata. Së treti, këto kontrata të PPP-së deri tani, pa përmendur projektin kaotik 1 miliard dollarë, arrijnë deri në 7% të PBB-së ose në 700 milionë euro vlerë e cila duhet reflektuar në borxhin publik sipas FMN-së. Shtojmë dhe shqetësimin tjetër se janë rritur detyrimet e prapambetura të papaguara që arrijnë në 1.1% të PBB-së ose 110 milionë euro dhe këto të pareflektuara në borxhin publik. Pra, stabiliteti financiar është menduar të arrihet kryesisht në rritje të të ardhurave nëpërmjet taksave por pa ndryshuar asnjë sjellje nga ana e shtetit.

Tërë shqetësimet e lartpërmendura do të duhet të adresohen gjatë vitit 2018 që do të thotë se ekonomia jonë pavarësisht borxhit të madh publik të marrë në katër vitet e shkuara është akoma në korrigjim “bilancesh”, por që nuk ka ndonjë projekt serioz zhvillimor. Ne kemi humbur kohë me modelin “Rama I” për të ndërtuar shtet në kurriz të ekonomisë private. Sot “Rama II” është në udhëkryq dhe ekonomia po ngadalësohet nga mungesa e vendimmarrjes dhe e aftësisë për t’u reformuar në kohë për t’u shndërruar në një ekonomi konkurruese në rajon e më gjerë.

Ervin Bushati, deputet i PS-së: Rritja e 2018, nga investimet dhe ulja e borxhit

Këtë të shtunë, do të bëjmë bilancin e 100 ditëve të para mandatit të dytë qeverisës. Padyshim që kemi një bilanc pozitiv të qeverisjes në të gjitha fushat. Është bërë shumë punë, me shumë përgjegjshmëri dhe për këtë arsye ia kemi dalë që të kemi një ekonomi shumë më të mirë. Kemi bërë një reformë për shtetin e së drejtës dhe kemi garantuar një stabilitet politik.

Ekonomia është shumë më mirë se sa ishte para 100 ditëve. Është arritur për shkak se asgjë nuk e mban më peng qeverinë dhe e kam fjalën për pengesat e reformave që vijnë për shkak të koalicionit. Reformat që ka ndërmarrë kjo mazhorancë janë duke ecur me shpejtësi dhe janë drejt finalizimit. Më në fund kemi një Reformë në Drejtësi që do të garantojë shtetin e së drejtës.

Padyshim që punësimi është sfida kryesore. Është një problematikë që ekziston si e tillë në çdo vend të botës. Por unë besoj se është bërë punë shumë e mirë deri tani me papunësinë. Është ulur me 1.1% papunësia në krahasim me vitin e shkuar. Këtë mandat synohet që të ulet më tej dhe të shkojë nën 10%. Të mos harrojmë që papunësia është një problem i madh i trashëguar nga qeverisjet e kaluara.

Megjithatë rritja e punësimit do të vijë si shkak i rritjes ekonomike që për këtë vit synohet të shkojë në 4%, dhe kjo shifër është për herë të parë pas shumë vitesh.

Kjo rritje do të krijojë vende të reja pune. Ndërkohë që investimet janë rritur dhe do të shkojnë në nivel rekord në vitin 2018. Investimet për këtë vit shkojnë mesatarisht në nivelin 1 miliard dollarë dhe patjetër që do të ndikojnë në uljen e papunësisë.

Unë besoj se deri tani, liria e tregut ka qenë vetëm e theksuar në ligji, por e pagarantuar nga shteti ligjor. Ndaj mendoj se Reforma në Drejtësi do të ketë ndikim të rëndësishëm në lirinë ekonomike në Shqipëri.

Treg i lirë, demokraci liberale e garantuar nga shteti ligjor. Këtë po përpiqemi të arrijmë ne si mazhorancë dhe po ndodh për herë të parë në 27 vjet.

Si përfundim, besoj se përmes qeverisjes së përgjegjshme, përshpejtimit të rritjes ekonomike e punësimit, rriten mundësitë dhe potenciali i zhvillimit ekonomik për vitin 2018 dhe më tutje. Duke thelluar rezultatet e reformave të mandatit të parë dhe duke i gërshetuar ato me politikat të reja nxitëse për të gjithë sektorët, viti 2018 do të vijojë të ruajë trendin pozitiv të rritjes ekonomike. Rritja e investimeve në nivelet më të larta historike dhe ulja e borxhit publik janë premisat më të mira për rritjen e shansit ekonomik gjatë 2018.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Petrit Ymeri: Të promovojmë letërsinë cilësore, autorët dhe përkthyesit

Nga 16-18 mars, në Muzeun Historik Kombëtar, Festivali për fëmijë e të...
Read More