A ka shenja se po dështon Reforma në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj

Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë një vendim për disa ligje të Reformës në Drejtësi dhe Vettingut. Janë 22 nene të disa ligjeve të rëndësishme të reformës, që kanë të bëjnë me qeverisjen e sistemit të drejtësisë, të cilat janë ankimuar nga shoqata e gjykatësve për t’i shpallur si antikushtetuese.

Pa hyrë në detaje për pretendimet e gjyqtarëve, pretendime të cilat janë kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese për t’i vlerësuar, ajo që duhet theksuar është fakti se, sa herë këto ligje kaq thelbësore për Reformën në Drejtësi shkojnë drejt zbatimit përfundimtar, ka gjithmonë një tentativë për ta frenuar atë.

Është e qartë tashmë, që ka një konflikt interesi për sa iu përket gjyqtarëve të cilët e ankimojnë atë sepse vetë ata janë subjekt i këtij ligji. Konflikt interesi jo në kuptim ligjor të tij, por së paku në kuptimin moral.

Gjithashtu, nënkryetarja e Parlamentit Vasilika Hysi, ka ngritur shqetësimin se vettingu rrezikon të bllokohet për shkak se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa pjesë të tij. Në këtë kuptim, përtej retorikës politike, drejtësia e vërtetë në Shqipëri është ende larg.

Por, nuk është ky problemi më i rëndësishëm, që po vonon zbatimin e Reformës në Drejtësi. Duket sikur ka një bllokadë të përgjithshme ndaj saj.

Mungon mbi të gjitha, vullneti politik për ta çuar deri në fund atë, pa të cilin asnjë reformë nuk është e mundur.

Në vitet e fundit në Shqipëri, problemet e drejtësisë janë përjetuar kryesisht si një përplasje e pushteteve të shtetit, përplasje që është karakterizuar nga një dhunë verbale e pazakontë. Kjo dhunë, shpeshherë nuk ka lënë indiferent dhe pushtetet informale, duke filluar që nga masmedia e duke përfunduar te pushteti antishtet që bashkëpunojnë me ato në mënyrë të padukshme, por po aq të dhunshme.

Kundërshtitë drastike dhe tensionet e rrezikshme të përhershme kur flitet për drejtësinë, janë shfaqur jo vetëm midis palëve politike, por edhe midis institucioneve dhe organeve të shtetit, të cilat janë stimuluar nga kjo klasë politike që tenton rregullisht t’i këtë nën kontroll ato.

Andaj, votimi me 140 vota në Parlamentin e Shqipërisë të reformës në drejtësi, që në një moment të parë dukej sikur ishte një vullnet i përgjithshëm i klasës politike shqiptare për të reformuar sistemin gjyqësor, mbas disa muajsh ka treguar totalisht të kundërtën.

Drejtësia gjithmonë ka qenë një fushëbetejë e rëndësishme e lojës politike shqiptare, sepse nuk ka gjë më të ndjeshme për një shoqëri se sa mungesa e drejtësisë. Çdo palë politike, ka marrë sipas rastit flamurin e “të drejtit”. Megjithatë, gjendja e drejtësisë ka ngelur gjithmonë ajo që të gjithë e dinë. Kështu që, edhe kësaj herë duket sikur me reformën e drejtësisë po luhet vetëm një betejë politike dhe asgjë tjetër.

Ndryshe nuk kuptohet, se përse ende nuk është vënë në zbatim të plotë një reformë kaq thelbësore për integrimin, duke qenë se u votua në mënyrë solemne nga e gjithë klasa politike.

Mos ndoshta votimi me 140 vota në Parlament ishte pikërisht e kundërta e asaj që u propagandua?

Kjo mbetet për t’u parë, por fakti është se jemi ende larg të paturit një drejtësi të reformuar.

Më e rëndësishme sesa Reforma në Drejtësi për Shqipërinë, është reforma politike. Një reformë politike e plotë dhe kushtetuese.

Një reformë e cila rregullon deformimin e përfaqësimit politik, financimin dhe funksionimin e partive politike. Më shumë se një reformë për hir të reformës, duhet një klasë politike e çliruar nga hijet e vjetra të retorikës boshe, bllokuese e reformave institucionale dhe juridike. Por edhe ky ndryshim kërkon vullnet politik, i cili me sa duket mungon. Në këtë kuptim duket i legjitimuar dhe si e vetmja rrugë përdorimi i instrumenteve të drejtësisë ende të pareformuar për të ndryshuar dhe politikën shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Filmi “Elvis Walks Home”, në Montreal World Film Festival

Filmi “Elvis Walks Home” me regji nga Fatmir Koçi do të marrë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.