A ka shtet në Shqipëri?

 
 

(Kush i mbron të drejtat e mia?)

Nga Prof. dr. David Luka *- Më 4 dhjetor 2006 i pata shkruar z. Sali Berisha: Në qoftë se do të gjeni kohë dhe do të kini durim ta lexoni këtë letër deri në fund, besoj se jo vetëm do të më jepni të drejtë, po edhe do të më falënderoni që po ju paraqes me dokumente një pamje të qartë e konkrete të funksionimit të shtetit që Ju drejtoni.

Ndërkaq do të kisha dëshirë t’ju jepja një këshillë. Politika në çdo rast është vendore. Winston Churchill humbi në zgjedhje sepse nëvleftësoi zonën e tij zgjedhore, kur po udhëhiqte Britaninë e Madhe në Luftën e Dytë Botërore.  Triumfi i madh në luftën e Gjirit Persik ia largoi vëmendjen George Bushit (senjor) nga politika e brendshme; përfundimi dihet.

Koncepti tradicional i shqiptarit për shtetin.

Koncepti tradicional i shqiptarit për shtetin del tërësisht i qartë dhe i saktë nëpërmjet tri ngjarjeve të vërteta, të nxjerra nga historia e këtij vendi.

  1. Në kohën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, një fshatar i asaj zone shkon për të blerë misër në pazarin e Tepelenës. Pasi mbaron punë, rrugës tek kthehej për në fshat, ndalet për të pushuar nën hijen e një peme. Lidh kalin ngarkuar me misër tek pema dhe bën një sy gjumë. Kur ngrihet, sheh se i kanë vjedhur kalin me gjithë ngarkesë.

Dëshpërohet pa masë. Në fshat nuk kthehej dot pa misër. Atëherë vendos të ankohej për vjedhjen te vetë Pashai. Te dera e kalasë së Tepelenës rojet nuk e lënë të futet brenda. Mirëpo këmbëngulja e fshatarit i detyroi këta të njoftojnë Ali Pashanë, i cili e priti. Fshatari i tregoi se çfarë i kish ndodhur. Pashai rrudhi vetullat e trasha dhe, me një zë të inatosur, e pyeti:

– Pse fjete?

Fshatari, pa u turbulluar aspak, u përgjigj:

– Fjeta, sepse e di se rri zgjuar e na ruan zotrote.

Pashai buzëqeshi dhe i tha:

– Ik në shtëpi sepse nesër do të vijë aty kali me gjithë misër.

Ndërkaq dha urdhër që një ndër xhagajdurët e asaj ane të varej te pema ku qe vjedhur kali dhe tellalli të njoftonte se, në qoftë se deri nesër në darkë nuk do të kthehej kali me misër në shtëpinë e fshatarit, do të vareshin edhe dy të tjerë. Përfundimi: kali me misër u kthye.

  1. Në kohën e sundimit të Karamahmut Pashës, dy tregtarë shkodranë u paraqiten në rezidencën e Pashait në kala të Shkodrës për ta njoftuar se do të shkonin për tregti jashtë shteti. Kjo paraqitje në atë kohë zëvendësonte vizën e sotme. Pashai i porositi të silleshin mirë dhe të mos sillnin trazira. Në qoftë se do t’u ndodhte ndonjë incident, ata nuk duheshin të reagonin fare, sepse përgjigjej Pashai për to.

Gjatë kohës që dy tregtarët po ktheheshin nga udhëtimi, bënë një vizitë në pazarin e Podgoricës. Aty me qëllim të caktuar dikush vuri një xhagajdur për të sajuar një incident. Xhagajduri me dashje i rrëzoi kësulën njërit prej tregtarëve në mënyrë publike mjedis pazarit. Kjo për atë kohë ishte më shumë se fyerje dhe lahej vetëm me gjak. Tregtari i fyer vuri menjëherë dorën në kobure, por e ndaloi shoku i tij, të cilit iu kujtuan fjalët e Pashait. Dhe për ta dëgjuar i gjithë pazari, foli me zë të lartë:

– Tash vjen dhe e merr Pasha i Shkodrës kësulën tonë!

Pasi u kthyen në Shkodër, u paraqitën te Pashai dhe i treguan ngjarjen. Pashai u dha të drejtë dhe menjëherë përgatiti një “komando” prej pesë vetësh me urdhër që në rastin më të parë të vrisnin në mjedis të pazarit të Podgoricës xhagajdurin, që u kishte marrë nderin tregtarëve të Shkodrës, duke i dërguar njëkohësisht edhe të falat e tij. Përfundimi: nderi i tregtarëve u vu në vend.

  1. Në kohën e Partisë së Punës, kur ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme Tomas Beqari, në mjedis të tregut të Shkodrës, një djalë i ri hipur mbi një biçikletë, i rrëzon kësulën për tokë një malësori të vjetër për t’u tallur me të. Malësori e duron talljen e nuk bën zë. Ndërkaq kthehet në Shkodër dhe kërkon takim me kryetarin e Degës. Pasi shumë përpjekjesh, e takon dhe i tregon se çfarë i kish ndodhur. Pastaj i thotë:

– Kur më mori armën Enver Hoxha, më tha se do të më mbroje ti. Tani o më jep armën (sepse e di unë se si duhet dënuar ai që më turpëroi në pazar), o më kthe kësulën. Njërën duhet ta bësh.

Përfundimi: Kryetari dha urdhër t’i blinin një kësulë të re.

Koncepti i sotëm për shtetin

Meqë e nisëm me ngjarje të vërteta, po e vazhdojmë po me ngjarje të vërteta, po tani të dokumentuara nëpërmjet shkresave me firma e me vula.

Me dt. 20 shkurt të vitit 2006 i dërgova z. Emir Dobjani (në atë kohë Avokat i Popullit) letrën e mëposhtme, të cilën po e riprodhoj besnikërisht këtu:

Do t’ju isha mirënjohës po të më sqaroni sa më poshtë:

Në mesin e vitit 1946 e në vazhdim, shteti komunist i asaj kohe, nëpërmjet Ndërmarrjes Tregtare Shtetërore të sapokrijuar, blinte mall në dyqanet e tregtarëve të Shkodrës. Një ndër këta tregtarë qe edhe babai im. Procesi kryhej kështu: Një nëpunës i NTSH-së paraqiste në dyqan listën e mallrave që do të blinte. Hartohej një procesverbal, ku shënoheshin: emërtimi, sasia e mallit, çmimi për njësi, shuma në monedhën e asaj kohe etj. Ky procesverbal shoqërohej me një shkresë zyrtare përkatëse, ku shënoheshin emrat dhe përgjegjësitë shtetërore të atyre që po blinin mallin. Shkresa firmosej nga ata që e blinin mallin dhe nga ky që e shiste. Këto dokumente tani do të zëvendësonin paratë. Sepse shteti i asaj kohe nuk kishte para për të blerë mallra. Pra, shteti blinte veresie, dhe për këtë lëshonte dokumente të firmosura e të vulosura, me të cilat jo vetëm njihte blerjen, por edhe zotohej që, në një të ardhme të afërt, të paguante borxhin ndaj tregtarëve.

Në vitin 1951 im atë bëri një kërkesë në Komitetin Ekzekutiv të asaj kohe ku, në bazë të dokumentacionit përkatës, kërkonte likuidimin e faturave të blerjeve në bazë të procesverbaleve. Këtë ai e mbështeste edhe në një ligj të asaj kohe. Problemi në parim paraqitej tejet i thjeshtë. Shteti kishte blerë mall në dyqan. Në vend të parave kishte dorëzuar dokumentacionin përkatës ligjor ku njihte borxhin dhe zotohej ta kthente atë. Gjithçka mbështetej në ligjin e asaj kohe. Nuk bëhej fjalë këtu as për tatimfitimin e luftës, as për sekuestrim të ndonjë natyre tjetër. Logjika më elementare kërkonte që shteti të paguante paratë e blerjes së kryer katër vite më parë.

Përgjigjen e kërkesës së vet babai e mori në Degën e Punëve të Brendshme. Pas kësaj ai ishte aq i zgjuar që këtë kërkesë të mos e përsëriste më. Mirëpo, dokumentacionin përkatës, ku vërtetohej blerja e mallit dhe mospagimi i parave, ai e ruajti të plotë në origjinal.

Tani dua të pyes: A duhet shteti i sotëm, si vazhdim juridik i shtetit të dikurshëm para tij, të përgjigjet për borxhin që i ka babait tim? Në qoftë se po, cila është rruga për ta kërkuar këtë të drejtë legjitime të dokumentuar. Në qoftë se jo,  përse duhet të ndodh kështu?

Duke mos pasur as më të voglin besim në shtetin shqiptar e në drejtësinë shqiptare në lidhje me pronat, sepse edhe logjika më elementare nuk e pranon që shteti (demokratik e kapitalist) të ndërhyjë në pronën time (kur t’i teket e si t’i teket), po ju sqaroj shkakun që më shtyri të bëj këtë kërkesë.

Kryeministri shqiptar, z. S. Berisha, ka deklaruar në media se, shteti që ai drejton, do të njohë borxhin e jashtëm të kohës së komunizmit. Kur njeh të jashtmin, logjika e kërkon që ai më parë e detyrimisht duhet të njohë të brendshmin.

Së dyti, në vitin 1942, një repart i ushtrisë italiane në Shkodër, për nevoja të veta, blen dy dhoma përdhese (në Shkodër i quajmë “jerevia”). Për këtë blerje, meqë nuk ka para, lëshon një vërtetim. Në vitin 1991, pra pas plot 50 vjetëve, i zoti i dhomave, që e kishte ruajtur vërtetimin e blerjes, i drejtohet Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, duke i kërkuar shpërblimin së bashku me dëmshpërblimin. Dhe, mos u habitni. Së pari, i erdhi përgjigja pozitive. Ministria e Mbrojtjes së Italisë, jo vetëm njihte dokumentin e lëshuar 50 vite më parë, po edhe zotohej se, sapo të nxirrte fondin përkatës, do të shlyente detyrimin e vet. Dhe e shleu në kohë, duke na habitur të gjithëve e veçanërisht mua, që kisha bërë kërkesat përkatëse në emër të të zotit të mallit.

Tani, besoj, më kuptoni përse më duhet përgjigjja juaj.

Për habinë e madhe timen, pas tetë ditëve mora një përgjigje jo vetëm të qartë, po edhe të saktë e të kuptueshme. Më tepër se për problemin, për të cilin kisha shkruar, u gëzova se në Shqipëri po funksiononte shteti. Ishte hera e parë gjatë këtyre viteve të demokracisë që merrja një përgjigje ashtu siç duhet. Dhe ja se ç’shkruante (ndërmjet të tjerash) Avokati: “Ligji është shprehur në mënyrë të qartë që detyrime të tilla që kanë të bëjnë me pasuritë … të cilat janë krijuar njihen e pranohen si detyrime për t’u shlyer, po që do të zgjidhen me nxjerrjen e një ligji të veçantë. Të shpresojmë që ky ligj i veçantë të dalë sa më shpejt për të realizuar edhe ju këtë kërkesë të ligjshme…”.

Tashmë i trimëruar dhe i armatosur me përgjigjen e Avokatit të Popullit, i shkrova një letër ministrit të Drejtësisë (aty ku hartohen projektligjet) dhe për dijeni, Këshillit të Ministrave (aty ku miratohen projektligjet) si edhe Parlamentit (aty ku kthehen në ligj projektligjet).

Dhe ja tani mrekullia tjetër. Pa kaluar pesë ditë nga nisja e letrës, më kërkon në telefon kabineti i Kryeministrit. Një zë matanë telit më flet me dashamirësi:

– Prof. Luka? Letrën që keni dërguar këtu tek ne e morëm. Ju vëmë në dijeni se kërkesa juaj është e ligjshme dhe se po punohet për hartimin e këtij ligji.

I befasuar nga kjo telefonatë, pasi i shpreha falënderimet e mia për këtë mënyrë përgjigjeje, e pasi bëmë disa shaka, iu luta që të më dërgonte përgjigje edhe me shkrim. Pas dy-tri ditësh erdh edhe përgjigjja me shkrim. Nuk vonoi shumë arriti përgjigjja edhe nga Kuvendi Popullor. Zonja Topalli, ish-banorja e lagjes sime, për të cilën kisha votuar disa herë për ta zgjedhur deputete, ngjan që as e kishte lexuar fare kërkesën time. Ndërsa z. Parllaku (drejtori i Marrëdhënieve me Publikun), duke më falënderuar për bashkëpunimin, shprehte besimin që ta mirëkuptoja. Kjo përgjigje ma uli entuziazmin në zero. Unë nuk i kisha kërkuar z. Topalli as bashkëpunim e as mirëkuptim, po përgjigje për hallet e mia. Dhe hallet e mia nuk kishin asnjë lidhje me Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin!

Nisën dyshimet: Mos ndryshe mendon Kryeministri e ndryshe Kryetarja e Parlamentit!? Lexojeni vetë përgjigjen e z. Topalli dhe krahasojeni me atë të Kryeministrit. Ku njëra e ku tjetra!

Tani, e treta dhe e vërteta. Të shohim përgjigjen e z. Bumçi. Ajo erdhi pas afër tre muajsh. Vërtet vonoi, po së paku më sqaroi plotësisht. Z. Bumçi qe treguar vërtet i zgjuar dhe praktik. Kërkesën time, natyrisht të përmbledhur, ia kishte dërguar ministrit të Financave, z. Ridvan Bode. Z. Bode i qe përgjigjur kolegut të tij. Pikërisht këtë përgjigje, që sqaronte gjithçka, z. Bumçi ma dërgoi edhe mua.  Që mungonte legjislacioni për të zgjidhur problemin tim, këtë e kisha marrë vesh. Po që z. Bode nuk dinte që po hartohej një ligj i tillë, këtë e mësova nga përgjigjja e tij.  Po ajo që më habiti pa masë qe shprehja: “Edhe nëse do të merrej inisiativa ligjore për rregullimin e një marrëdhënie juridike ndërmjet palëve, ju sqarojmë që fatura financiare të cilën do të përballonte sot shteti shqiptar, është jashtë mundësive ekonomike të tij.”  I lodhur e i drobitur nga kjo përgjigje, më kishte zënë gjumi. Kur u zgjova (viti 2017) pashë veten time pa brekë. Më kishin zhveshur hajdutët. Dhe si nëpër terr m’u fanit përgjigja e ish-ministrit tonë të financave (z. Bode), se për atë: “Politika paskësh qenë bisnes!”. Kisha mbetur në rrugë të madhe krejt lakuriq. Te Pashai i sotëm nuk shkoja dot më, sepse ligji i famshëm ende nuk kishte dalë e as kishte ndërmend të dilte. Bile më kishin thënë se Pashai i sotëm nuk e njihte fare këtë gjuhë. Po as në shtëpi nuk kthehesha dot, sepse kishin kaluar plot 11 vjet që kur bëra kërkesën e parë e, më pastaj, kërkesa të tjera pa fund! Dhe pa dashur u gjenda Pranë detit i palarë …! (E krejt lakuriq!) duke mallkuar babanë që na kish lënë trashëgim gjithë atë pasuri! Tani shpresoj e kuptoni përse këtij shkrimi i vura titullin “A ka shtet në Shqipëri? (Kush i mbron të drejtat e mia?)”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ish-krahu i djathtë i Enver Hoxhës, shuhet në moshën 98-vjeçare

Është ndarë sot nga jeta në moshën 98 vjeçare, Rita Marko, një...
Read More