A ka skenar maqedonas me përgjime për politikën shqiptare?

Nga Ervis Iljazaj

Kjo javë ka qenë java më e vështirë politike për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste që nga viti 2013 kur erdhën në pushtet. Çështja Tahiri ka tronditur qeverinë dhe pozitat e saj në sytë e opinionit publik, fill pas fitores së thellë në zgjedhjet e 25 Qershorit.

Në këtë kuptim qeveria duket si e paralizuar dhe e pamundur të artikulojë një vizion, apo një propozim për qeverisjen e vendit, sepse është e mbërthyer nga çështja Tahiri, e cila po konsumon shumë energji për të dhe qytetarët.

Rasti i Saimir Tahirit, për nga vetë rëndësia dhe ndjeshmëria që ka, ka mbërthyer vëmendjen e çdo aktori politik, shoqëror dhe ndërkombëtar në Shqipëri. Kështu që çdo gjë tjetër duket e bllokuar.

Nuk besoj se do të ketë çështje tjetër në politikën shqiptare, që është folur dhe ka zhvilluar debatin në opinionin publik se sa çështja e Tahirit.

Mjafton të shihje emisionet apo median në përgjithësi dhe gazetarinë online për të kuptuar se nuk kishte temë tjetër përveç saj.

Fjala më e përdorur gjatë gjithë këtyre ditëve në rastin Tahiri është fjala përgjime. Përgjimet që dolën nga Habilajt, videot e përgjuara që implikojnë politikanët, që nga shumë gazetarë investigativë thuhet që ekzistojnë. Po ashtu, përgjime që mund të kenë të akuzuarit në këtë çështje për njerëz të tjerë dhe që, shpesh thuhet që shërbejnë për të shantazhuar dhe kërcënuar njëri-tjetrin në të gjithë këtë histori, apo përgjime të mundshme nga shërbimet sekrete ndërkombëtare.

Nëse e shohim në këtë këndvështrim, duket sikur politika shqiptare është në prag të një skenari maqedonas. Pak kohë më parë në shtetin fqinj maqedonas, përgjimet që implikuan zyrtarë të lartë të politikës atje, shkaktuan një rotacion politik që në mënyrë tjetër nuk kishte gjasa të ndodhte. Mbrapa këtyre përgjimeve, ishte sponsorizimi i fortë i ndërkombëtarëve dhe në veçanti i SHBA për të bërë rotacionin politik atje. Vetë ambasadori amerikan në Maqedoni në mënyrë të drejtë apo indirekt e pranoi këtë fakt. Kështu që, po të shohësh frymën mediatike dhe spekulimet në media në këto ditë, skenari i tyre ngjason ose më së paku ka një ngjashmëri paraprake me atë maqedonas.

Por, a është e vërtet një gjë e tillë në rastin shqiptar?

Po të shohësh deklaratat e Donald Lu për Rastin Tahiri, duket sikur një gjë e tillë nuk është e mundur. Të gjithë prisnin, që më së paku, qëndrimet e tij për këtë çështje të tronditnin pozitat e qeverisë. Por, nga ajo që u kuptua, u duk sikur ai qëndrim rehabilitoi këtë qeveri në këtë situatë të vështirë dhe delikate për të.

Por, kjo nuk do të thotë që shërbimet ndërkombëtare nuk mund të kenë në tryezat e tyre, fakte dhe të dhëna që janë shqetësuese, dhe nëse vërtet i kanë ato për ketë qeveri, atëherë ato me siguri do t’i bëhen të ditura publikut. Deri më tani nuk ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhi. Kjo për faktin se SHBA ka një axhendë të caktuar në Shqipëri dhe rajon, dhe për të çuar përpara këtë axhendë ka nevojë për aleatë politikë. Edi Rama deri më tani duket një nga këta aleatë. Se sa do të vazhdojë kjo aleancë mbetet për t’u parë. E sigurt është që kjo aleancë, me rastin Tahiri nuk duket e fortë si më parë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A po kërkon ndihmë Edi Rama te Partia Socialiste e vjetër?

Nga Ervis Iljazaj Ilir Zela është zgjedhur nga Parlamenti Kryetar i AKEP-it....
Read More